Vesti

Shpresë për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe një thirrje për ndryshim dhe solidaritet


3576-title

Shkruan: Jetlira Ademi

Dhuna me bazë gjinore është një problem global, përfshirë edhe Kosovën dhe shpesh ndodh larg syve të publikut, në privatësinë e shtëpive. Sipas një raporti të UN Women, vetëm në vitin 2023, rreth 85,000 gra dhe vajza janë vrarë me dashje në mbarë botën. Nga këto, 60% - apo 51,100 viktima - janë vrarë nga partnerët intimë ose nga anëtarë të familjes.

Statistikat tregojnë se çdo ditë humbin jetën 140 gra dhe vajza si pasojë e dhunës nga njerëzit më të afërt, që përkthehet në një viktimë çdo 10 minuta. Për më tepër, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në tre gra në nivel global përjeton dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj. Edhe në Kosovë situata mbetet shqetësuese. Agjencia për Barazi Gjinore raporton se mbi 68% e grave kanë qenë viktima të një forme dhune gjatë jetës së tyre. Në të njëjtën kohë, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, mbi 2,000 raste të dhunës në familje raportohen çdo vit, ku shumica dërrmuese e viktimave janë gra.

Këto të dhëna theksojnë domosdoshmërinë e veprimeve të menjëhershme dhe të koordinuara nga institucionet dhe organizatat për të adresuar dhe trajtuar me kujdes këtë fenomen. Përballë këtyre shifrave alarmante, përfshirja aktive e shoqërisë civile, zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e grave dhe ofrimi i mbështetjes për viktimat mbeten thelbësore për të luftuar këtë plagë sociale. Informimi i grave për mënyrat e raportimit të dhunës dhe shërbimet mbështetëse që ofrohen është jetik për t’i ndihmuar ato të dalin nga cikli i dhunës.

Në Gjakovë, sikurse në tërë Kosovën, situata për gratë mbetet sfiduese, por ka përmirësime të dukshme. Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Gjakovë gjatë vitit 2023 janë paraqitur gjithsej 145 raste të dhunës në familje, ndërsa në periudhën janar–nëntor 2024 janë paraqitur 131 raste të dhunës në familje, ku shumica e viktimave janë gra dhe vajza. Megjithatë, kjo nuk reflekton numrin e saktë të rasteve, pasi shumë gra nuk e raportojnë dhunën nga frika ose stigmatizimi.

‘‘Ne funksion te shërbimit social kemi Organin e Kujdestarisë i cili është organ përgjegjës që vepron në kuadër te Qendrës për Punë Sociale, i cili është përgjegjës për mbrojtjen e interesave të fëmijëve dhe të rriturve, i përbërë nga një grup i ekspertëve me përvojë profesionale në fushën e veçantë të përgjegjësisë. Andaj QPS në këtë kontekst bën edhe mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, të rritur e fëmijë, deri në ri integrim e fuqizim të qëndrueshëm të viktimës, në koordinim me akterët e tjerë. Qendra për Punë Sociale ndihmon viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, kur nevojiten shërbimet sociale, mbrojtje, ri integrim dhe fuqizim i qëndrueshëm i tyre në shoqëri. Çdo viktime të referuar i caktohet një menaxhere/menaxher i rastit, e cila/i cili është zyrtare/zyrtar që emërohet nga QPS për të ndihmuar në ofrimin e e ndihmës se menjëhershme per viktimën, vlerësimin e nevojave emergjente, identifikimin, planifikimin dhe koordinimin e shërbimeve ekzistuese, duke ndihmuar personin në zhvillimin e një plani gjithëpërfshirës të menaxhimit të rastit. Kjo duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me anëtarët e tjerë të QPS, për të siguruar ndihmë gjithëpërfshirëse për sigurinë, strehimin, drejtësinë, arsimin, trajnimin, punësimin, ndihmën sociale dhe ndihmën juridike’’, thotë Adelina Shehu – Kola – Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenjes Sociale në Komunën e Gjakovës.

Një kthesë drejt shpresës pavarësisht statistikave shqetësuese, është ekzistenca e institucioneve dhe organizatave që punojnë pa ndalur për të mbrojtur viktimat e dhunës. Në Gjakovë dhe në mbarë Kosovën, institucione si Qendrat për Punë Sociale, policia, dhe organizatat joqeveritare janë derë shprese me përkushtimin për të ndihmuar gratë në nevojë. Adelina Shehu – Kola, shprehet se Qendrave për Punë Sociale në Gjakovë është shpesh pika e parë e kontaktit për gratë që përballen me dhunë, por që në pamundësi të trajtimit të tërsishëm të rastit, kjo Drejtori bashkëpunonë ngushtë me Policinë, si dhe organizatat tjera lokale e më gjerë, për të siguruar mbrojtje për viktimat.

‘’QPS- ja respektivisht Organi i Kujdestarisë merret ne mënyrë profesionale me dukurinë e dhunës me baze gjinore, mirëpo për shkaqe objektive nuk kemi mundësi që të merremi me parandalimin e kësaj dukurie, por me trajtimin e rasteve pas paraqitjes së rastit. Mungesa e burimeve adekuate njerëzore në QPS siç është: punëtori social, psikologu klinik, pedagogu, logopedi. Mungesa e buxhetit vetanak (fondit emergjent) ndikojnë në sasinë dhe cilësinë e shërbimeve, mosdefinimi i standardit për numër të punonjësve dhe numër të popullsisë dhe rasteve, rezulton në ngarkesë të madhe të punës për Zyrtarët e Shërbimeve Sociale. Mungojnë programet e akredituara për ngritjen e kapaciteteve të ZSHS në QPS. Këto sfida adresohen përmes mekanizmave të nivelit lokal në koordinim me nivelin qendror’’, shprehet Shehu – Kola.

Organizatat joqeveritare në luftën kundër dhunës “Shtepia e Sigurtë” në Gjakovë ofron strehim të përkohshëm dhe mbështetje psikologjike për gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës. Sipas Erblina Dinarama, Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ-së ‘’Shtëpia e Sigurtë’’, në këtë qendër, krahasuar me vitet e kaluara, ka një rritje të rasteve të raportuara, që sipas saj tregon për një ndërgjegjësim më të lartë dhe përmirësim të mekanizmave të raportimit dhe mbështetjes. Kjo organizatë ka mekanizmat për të inkurajuar raportimin, si: Ofrimi i mundësive për raportim anonim, linje telefonike falas të besueshme dhe mbështetje për viktimat për të denoncuar dhunën në një atmosferë të sigurt dhe të besueshme, duke u siguruar që viktimat të mos ndihen të pasigurta apo të frikësuara:

"Shtepia e Sigurtë ofron shërbime të plota për viktimat e dhunës me bazë gjinore, përfshirë strehim të përkohshëm, ushqim, veshmbathje, kujdes mjekësor, mbështetje psikolsociale dhe psikologjike, asistencë juridike, dhe mundësi për ngritje profesionale, punësim dhe riintegrim të plotë në shoqëri. Fokusimi është në ofrimin e mundësive për zhvillim personal dhe profesional për viktimat, në mënyrë që ato të rinisin jetën dhe të integrohen plotësisht në shoqëri’’, shprehet Dinarama. ‘’Medica Gjakova” një organizatë joqeveritare, në Gjakovë, në anën tjetër, pohon se numri më i madh i viktimave të dhunës me bazë gjinore në Gjakovë, janë gra/vajza, dhe që shifrat janë rritur dukshëm që nga pandemia. Mirëpo, sipas kësaj qendre, është evidentuar edhe rritja e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës.

Për më tepër, kjo organizatë identifikon stereotipet gjinore si faktorin më të shpeshtë që shpie në dhunën ndaj grave.

‘’Gratë janë më të prirura të jenë viktima të dhunës në familje ose ngacmimeve seksuale, ndërsa burrat shpesh përfshihen më shumë në situata që lidhen me dhunën fizike në publik ose në grupe. Arsyeja kryesore për këto dallime që ne kemi kontesuar lidhet me rolet tradicionale gjinore dhe pritshmëritë shoqërore, të cilat ndikojnë mënyrën si perceptohen dhe përjetohen situatat e dhunës. Këto dinamika varen edhe nga faktorët kulturorë, ekonomikë dhe institucionalë të shoqërisë ku ndodhin. Në organizatën tone shumica dhe përqindja më e lartë e viktimave të dhunës në bazë gjinore janë vajza/gra’’, thotë Mirlinda Sada, Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ-së ‘’Medica Gjakova’’.

’’Medica Gjakova’’ është e përkushtuar për rehabilitimin fizik dhe emocional, duke ofruar këshillim individual, grupor, në çift, me familje dhe me të rinjë, për të ndihmuar viktimat të rifillojnë jetën e tyre.

‘’Procesi i mbështetjes për viktimat fillon me krijimin e një mjedisi të sigurt dhe kontaktin e parë, ku profesionistët ofrojnë dëgjim empatik dhe vlerësojnë nevojat emergjente të viktimës, përfshirë ato fizike, emocionale dhe ligjore. Pas kësaj, ofrohet ndihmë emergjente, si mbështetje mjekësore, specifikisht ne jemi te specializuar për sherbimet gjinekologjike dhe psikologjike, ndërkohë që viktima orientohet drejt burimeve të tjera ndihmëse, si mbrojtja ligjore ose referojmë diku tjetër për strehim të sigurt. Në fazat pasuese të rehabilitimit përfshihen këshillimi i thelluar dhe trajtimi psikoterapeutik për të adresuar pasojat afatgjata të traumës, duke u përqëndruar te fuqizimi personal dhe rimëkëmbja emocionale pastaj sipas programeve tona ne synojmë t’i fuqizojmë viktimat edhe ekonomikisht duke ju jap hapësirë të angazhohen në projektet e sektorit ekonomik’’, shprehet Sada.

Ndërsa “Activism Roots” angazhohet për ndërgjegjësimin e komunitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të grave nëpërmjet fushatave edukative me një punë të palodhshme për mbrojtjen e të prekurve nga dhuna.

‘’Ne si organizatë organizojmë disa aktivitete ndërgjegjësuese duke i theksuar Sesionet Psikologjike. Në këto sesione vlen të theksohet rëndësia e shëdetit mendor, menaxhimi i stresit dhe vetëvlersimi. Një person i prekur nga dhuna duhet të ketë parasysh që nuk është vetëm një formë e dhunës si ajo fizike por janë disa, si: dhuna psikologjike, seksuale, ekonomike apo edhe emocionale. Ne si organizatë duke marrë parasysh bashkëpunimin me OJQ- të e tjera ndihmojmë në ngritjen e vetëdijes ndaj dhunës’’, shprehet Ideal Zhaveli, Drejtor Ekzekutiv nga OJQ-ja ‘’Activism Roots’’.

Ai, vë në dukje po ashtu, se vitet e fundit ka një rritje ndërgjegjësimi dhe fuqizimi për ta raportuar dhunën dhe rrjedhimisht po mirret parasysh më shumë si çështje. Gjithashtu, ai potencon mekanizmin më efikas që si organizatë përdorin për ta inkurajuar raportimin e dhunës, ndërsa thekson rëndësinë e pashmangshme të bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat tjera lokale dhe qëndrore.

‘’Mekanizmi më efikas që ne si organizatë e ofrojmë është liria e të folurit (bashkëbisedimi) në atë që i bënë të ndihen mirë dhe sigurtë, inkurajimi dhe bashkëveprimi me njëri-tjetrin. Disa nga qendrat që bashkëpunojmë janë: Qendra për Punë Sociale, Shtëpia e Sigurtë, Medica Gjakova, OJQ Perspektiva, në nivel lokal kurse organizata të shumta në nivelin qendror. Ne bashkë me organizatat tjera jemi në kontakt të cfarëdo lloj rasti specific. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të minimizojmë rastet e dhunës duke bashkëpunuar për ngritjen e kapaciteteve apo edhe ngritjen e vetëdijes ndaj formave të dhunës të ndryshme. Një ndër sfidat më të mëdha tek shumica e viktimave është se ata hezitojnë të tregojnë për rastet e tyre , por ne mundohemi ti mbështesim dhe të presim deri sa ata të jenë të gatshëm të tregojnë. Kështu që do të ishtë më efektive të anashkalojmë frikën dhe të ngrisim zërin për mbrojtjen e vetës nga rreziku’’, shprehet Zhaveli.

Këto institucione dhe organizata ofrojnë ndihmë të menjëhershme, por gjithashtu punojnë për parandalimin e dhunës nëpërmjet edukimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit. Fushatat publike, trajnimet për institucionet e drejtësisë dhe mbështetja për ndryshime legjislative janë disa nga aktivitetet e tyre të përditshme. Secila prej këtyre institucioneve dhe organizatave kanë një bashkëpunim të mirëfillit të inicimit, trajtimit dhe parandalimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore në Gjakovë.

Gratë duhet të dinë se nuk janë vetëm. Në Kosovë, ka institucione dhe organizata të përkushtuara për t’i mbrojtur ato, për të dëgjuar zërin e tyre dhe për t’i ndihmuar të rindërtojnë jetën e tyre.

Lufta kundër dhunës me bazë gjinore është një përgjegjësi e përbashkët, dhe së bashku, mund të ndërtojmë një shoqëri ku çdo individ jeton i lirë dhe i sigurt. 16 Ditët e Aktivizmit janë një thirrje për të vepruar tani, për t’u bashkuar dhe për të treguar solidaritet ndaj viktimave të dhunës, sepse çdo jetë e shpëtuar është një hap më afër një bote më të drejtë.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: