Vesti

Roli i gjendjes emocionale në ndjeshmërinë për të besuar lajmet e rreme


2923-title

Autorë: Nora Gjuzi dhe Edon Gërbani

Lajmi për vdekjen e Faton Haxhaj nga fshati Greikoc i Komunës së Suharekës, vuri në pah edhe një herë prezencën e lajmeve të pa verifikuara, të krijuara pa dashje apo edhe të tilla që ishin të qëllimshme për shkak të përfitimeve të ndryshme.

Derisa në rastin e Faton Haxhajt, Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, kishte njoftuar se trupi i pajetë i Haxhajt ishte dërguar për obduksion në Institutin Mjekësor Ligjor, dhe se në vendin e ngjarjes menjëherë kishin dalë njësitet e Policisë dhe Prokurorisë, në anën tjetër nëpër portale te ndryshme kishin filluar të qarkullonin informacione të pabaza, e të paverifikuara si:

"Sipas të njëjtave burime, i riu nga Suhareka ka vendosur t’i japë fund jetës pasi që kohëve të fundit është ndarë nga e dashura e tij." apo "Rrahet i riu nga Suhareka dhe më pas vritet", sidoqoftë në këtë rast familja e as miqtë e të ndjerit nuk kishin dyshime për vrasjen e tij.

Rasti në Polici tashmë ishte hapur si hetim i vdekjes, apo vdekje e dyshimtë, por megjithatë hetuesit nuk do kufizoheshin vetëm në pistën e vetëvrasjes.

Mirëpo, informacione të tilla ishin kryesisht në formë masive në rrjetet sociale nga mediat e ndryshme online. Portalet e ndryshme, e veçanërisht ato që kishin krijuar përmbajtje të tilla, shumë prej tyre ishin pa redaksi dhe në përmbajtjet tjera të tyre dukshëm vërehet mungesa e redaksisë, një ekipi, të gazetarëve të cilët janë në gjendje të mbulojnë ngjarjet, e të raportojnë në formë origjinale dhe t'i trajtojnë ato në bazë të një politike autentike editoriale.

Mirëpo, kur kemi parasysh se lajmet e ndjeshme viteve të fundit po përcillen zakonisht duke i marrë nga ndonjë medium tjetër dhe pa cituar fare burimin e informacionit, dhe shpesh herë duke e deformuar, duke i shtuar informacione të pabaza apo të supozuara, kjo për shkak të presionit të kohës dhe luftës për të qenë i pari, e këtu jo vetëm portalet joserioze pa redaksi, por edhe ato që kanë staf e redaksi, shpeshherë janë viktima të shpërndarjes së lajmeve të rreme, e që kishte shumë të tilla në rastin e Haxhajt.

Edhe pse, në parim verifikimi është thelbi i gazetarisë, ai gjithashtu shfaq dhe vështirësitë për standarde të larta në gazetari. Kjo ndonjëherë lidhet edhe me atë se sa janë të rëndësishme raporti në mes institucioneve dhe gazetareve, e këtë më së miri e tregon edhe lidhshmëria e publikimit të temave pa raportime zyrtare dhe mostransparenca e një institucioni, e cila çon drejtpërdrejtë deri tek pasimi i një lajmi jo të saktë.

Në rastin e Faton Haxhaj, nuk iu është kushtuar rëndësi publikimit të të dhënave personale si informacione mbështetëse në esencën e informatës, gjithsesi parashtrohet pyetja se sa një media duhet t'i mbrojë informatat që tashmë janë publikuar.

Përderisa dyshimet të cilat kishin mbetur të konfirmoheshin përgjatë realizimit të autopsisë dhe analizimit të provave të mbledhura në vendin e ngjarjes, ato në të njëjtën kohë u kishin dhënë shkas portaleve të ndryshme për supozim të motivit të vetëvrasjes.

Pjesë e hetimit ishte edhe analizimi komunikimeve në telefonin e viktimës, me të cilat pretendohej që ta zbardhin edhe motivin e vetëvrasjes. Prandaj, si pasojë e hetimeve ata nuk ishin të gatshëm ta publikonin këtë informacion, gjë për të cilën akoma nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit - implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga Instituti Kombëtar Demokratik - NDI dhe USAID në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit/es dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i NDI, USAID ose i AGK-së.

Share this Post: