Propaganda ruso-kineze në mediat shqip
Autore: Donjeta Murselaj
Më 26 shkurt 2022, menjëherë pas nisjes së sulmeve ruse në Ukrainë, Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë urdhëroi ndalimin e përkohshëm të transmetimit të kanaleve ruse.
Këtë vendim, KPM-ja tha se e mori me qëllim të parandalimit të propagandës.
“Qëllimi i këtij vendimi është parandalimi i propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës dhe jo pengimi dhe cenimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimin.
Pasi që, ky komision është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e vetëm përmbajtjeve mediale audio dhe audiovizuele, propaganda vazhdoi në mediat online, por jo nga ato ruse.
Shqipfolësve iu servuan lajme propagandistike nga mediat kineze.
“CRI online shqip” dhe “Radio Ejani” janë vetëm disa nga mediat online që shpërndanë propagandën ruse gjatë kësaj periudhe.
Më 24 mars të 2022-ës, CRI online shqip, publikoi një artikull, i cili citonte “Global News”, media e kontrolluar nga shteti kinez. Në këtë artikull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbahen përgjegjëse për gjoja nxitjen dhe nisjen e konfliktit Rusi – Ukrainë.
Artikulli u shoqërua me një karikaturë, në të cilën shfaqet presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në zyrën e tij, duke mbajtur një maskë me mbishkrimin “Paqe”, derisa po ndez një zjarr mbi një hartë. Krahas flamurit të ShBA-së i cili qëndron prapa presidentit amerikan, në pjesën e poshtme të tavolinës është vendosur flamuri i NATO-s.

NATO e ShBA ishin sërish temë e këtij mediumi në artikullin e publikuar më 6 prill të këtij viti. Kësaj here, NATO cilësohej si “komplotistja e Luftës së Ftohtë në shekullin e 21-të”. Wang Lei/ Artan, emri i të cilit gjendet në fund të artikullit, pretendon se ShBA po përdor skenarin e njëjtë që e zbatoi në Bashkimin Sovjetik, edhe në rastin e Rusisë dhe Ukrainës.
Për të arritur këtë qëllim, sipas Wang Lei, ShBA po përdor “makinerinë e propagandës”, të përfaqësuar nga “Zëri i Amerikës” (VOA).

Vetëm gjashtë ditë më vonë, ky medium vazhdoi propagandën kundër NATO-s, me një artikull të ri të titulluar “NATO-ja, që ka sjellë ngatërresa në Evropë, nuk duhet të shkaktojë më trazira në botë”.
Autori i artikullit, Xu Guang, që nuk dihet nëse është vërtet gazetar, shkruan se “në konlifiktin Rusi – Ukrainë, NATO-ja ka luajtur një rol negativ, duke nxitur armiqësinë” dhe se me ndërhyrjet e saj ka shkaktuar luftëra dhe konflikte.

Ndërsa, më 14 qershor, në ditën e vizitës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Finlandë, ky portal publikoi artikullin “A ka ndryshuar pozicioni i NATO-s për Ukrainën?”.
Artikulli citonte Stoltenbergun se gjoja deklaroi se për të fituar paqe, Ukraina duhet të japë territor.
"Paqja është e mundur në Ukrainë, po çështja është se me çfarë çmimi, se sa territor, sovranitet dhe pavarësi jeni të gatshëm të paguani për këtë paqe”, citohej Stoltenberg, i cili në atë konferencë kishte folur vetëm për shqetësimet e Turqisë dhe kundërshtimet e saj për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancë.
Teksti u shoqërua me një karikaturë, e cila shfaqte Stoltenbergun para “Parkut të Paqes”, duke thënë “Mirë se erdhët në lojën tonë të luftës”.

Koncepti i ri strategjik i NATO-s, që doli nga samiti i Madridit, përmendi për herë të parë Kinën si rrezik për sigurinë globale.
Radio “Ejani” të cilën rrjeti social “Facebook” e ka kategorizuar si media të kontrolluar nga shteti kinez, më 1 korrik shkroi një artikull, i cili këtë vlerësim të NATO-s e cilëson si “një hap të rrezikshëm për të shkelur Azi-Paqësorin dhe për të frenuar Kinën”.
Sipas këtij medium, “pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, NATO-ja, e udhëhequr nga ShBA-ja, ishte e prirur të përfshihej në ndarjet idologjike dhe kundërvëniet në grup”.
Artikulliut iu bashkëngjit një karikaturë, në të cilën shihej një personi veshur me ngjyrat e flamurit amerikan, i cili mban në duar “kutinë e Pandorës” me llogo të NATO-s, duke thënë “po vij”.

Në mesin e mediave në gjuhën shqipe, të cilat “Facebook-u”, i ka kategorizuar si media të kontrolluar nga shteti kinez janë edhe “Ejani Studio” dhe “Revista Ejani”.
Për të rritur ndikimin e tyre në hapësirat shqipfolëse, në këto mediume shfaqen “gazetarë” të cilët flasin shqip e mbajnë emra shqiptarë, si: Zana, Besa, Artani, Shpresa.
Përveç çështjeve politike, këto media me kinezë shqipfolës po promovojnë atraksionet turistike, jetën e përditshme në Kinë e deri se si të përgatisësh një çaj Matcha, duke bërë që qytetarëve t’u ndryshohet pavetëdijshëm bindja për Republikën Popullore të Kinës dhe politikën e saj karshi shqiptarëve.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit - implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga Instituti Kombëtar Demokratik - NDI dhe USAID në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit/es dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i NDI, USAID ose i AGK-së.











