Vesti

Lajmet e rreme dhe shpërndarja e tyre e shpejtë për agresionin rus në Ukrainë


2909-title

Autore: Donjeta Zeqiraj dhe Shkurtë Spanca

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, janë shtuar edhe lajmet e rreme, të cilat po publikohen pa u verifikuar, e që disa prej tyre po përmbajnë edhe fotografi e video. Këto lajme po ndikojnë shumë në keqinformimin e publikut, e që disa prej tyre po arrijnë edhe qëllime malinje.

Rruga për verifikimin e lajmeve, fotografive dhe videove nuk është e mundimshme, por më e lehtë po është plasimi i tyre ‘copy-paste’. Sipas ekspertëve të mediave, dezinformimi për luftën në Ukrainë e ka burimin në Rusi, e cila një pjesë të madhe të lajmeve të rreme u përhapën përmes mediave ruse të vendosura në Serbi.

Këto lajme të rreme po qarkullojnë edhe në Kosovë, anipse ekziston mekanizmi për parandalimin e lajmeve të rreme e cila zhvillohet përmes kontesteve civile, sipas Ligjit mbi Shpifjen dhe Fyerjen.

Ky ligj, përcakton se autori i lajmit është përgjegjës për shpërndarjen e informacionit, të cilin ai e ka ditur se është i pavërtetë ose është dashur ta dijë se është i pavërtetë. Megjithëkëtë, deri tani nuk ka ndonjë rast që ka shkuar në gjykatë për shpërndarjen e lajmeve të rreme lidhur me luftën në Ukrainë, të cilat kanë ndikuar për përhapjen e panikes tek qytetarët.

Ekspertët e sigurisë kibernetike në ditët e para të luftës kanë identifikuar mbi 30 lajme të rreme që kanë qarkulluar brenda ditës në mediat në Kosovë.

Për shkak të rritjes së interesimit të qytetarëve për të konsumuar lajme që ndërlidhen me luftën në Ukrainë, mediat në Kosovë, për fat të keq, me apo pa qëllim, në disa raste kanë shpërndarë lajme me shpejtësi, pa i verifikuar. Madje, në disa raste, kanë rënë pre e propagandës ruse.

Së fundmi, një lajm i rremë që pretendon përfundimin e luftës në Ukrainë me intervenimin e Aleancës Veri-Atlantike (NATO), është shpërndarë në portalin “Gazeta Korrekte”, më 20 prill të këtij viti.

image.png

Për ta verifikuar këtë lajm nuk është punë e vështirë. Puna e parë që duhet bërë është të numërohen burimet e cituara në artikull dhe verifikimi i tyre nëse janë kredibil. Ky artikull nuk ka asnjë burim dhe nuk citon asnjë media ndërkombëtare.

Luftën në Ukrainë Rusia e ka përdorur edhe për të zhvilluar propagandën e saj kundër Kosovës. Ndonëse jo për të parën herë, Ambasada e Rusisë në Republikën e Afrikës së Jugut, ka shpërndarë një lajm të rremë për Kosovën më 17 mars 2022. Nga kjo ambasadë përmes llogarisë zyrtare në ‘Twitter’, kanë krahasuar bombardimet e NATO-s në ish Jugosllavi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe luftën atje. Ambasada e Rusisë përveç lajmit të rremë, ka shpërndarë dhe një fotografi të rrejshme, duke shkruar për bombardimin e ish Jugosllavisë dhe Kosovës, ata kanë postuar një foto të Irakut.

image-1.png

image-2.png

Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Rusia, vazhdimisht tenton të dëmtojnë themelet e shtetësisë së Kosovës duke synuar që të minimizojë angazhimin e Perëndimit në Kosovë dhe rajon, dhe duke tentuar që ta krahasojë rastin e Kosovës me atë të Krimesë së Ukrainës.

Që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi rajonin e Krimesë nga Ukraina, Rusia është përpjekur që shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ta lidhë drejtpërdrejt me këtë konflikt. Po ashtu, sipas këtij hulumtimi, propaganda ruse tenton që të ndryshojë narrativin për krimet e luftës në ish-Jugosllavi si dhe që ta akuzojë Kosovën për shtypjen e serbëve dhe të Kishës Ortodokse Serbe.

Lajmet e rreme që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë kanë ndikuar shumë tek qytetarët, duke u ngjallur atyre frikën se një Luftë e Tretë Botërore është afër. Pra, lajmet e rreme përbëjnë një kërcënim për sigurinë, kjo pasi që ndikimi i medias në çështjet e sigurisë është një element i rëndësishëm, i cili mund të ndikojë deri tek detyrimi i institucioneve të reagojnë dhe ndryshojnë vendimmarrje për shkak të medias.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit - implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga Instituti Kombëtar Demokratik - NDI dhe USAID në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit/es dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i NDI, USAID ose i AGK-së.

Post Gallery

Share this Post: