Edukimi medial - një nga zgjidhjet për luftimin e lajmeve të rreme
Autore: Besmire Kluna
Bazuar në hulumtimin e Universitetit të Miçiganit në ShBA: “Gënjeshtra dhe Propaganda, si të dalloni faktet nga trillimet’’, termi lajmë i rremë është histori e fabrikuar, pa fakte, burime apo citate të verifikueshme.
Arsyeja se pse krijohen është qëllimisht për të mashtruar lexuesin, dhe se në vitet e fundit janë përhapur më shumë përmes mediave sociale.
Sipas Faton Ismajlit – Profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, përhapja e informacioneve të rrejshme bëhet për disa qëllime të ndryshme.
“Së pari, informacionet e rreme krijohen dhe shpërndahen për qëllime komerciale. Disa media, kryesisht media pa adresë e të paregjistruara, shpërndajnë informacione të rreme për profit. Së dyti, informatat e rreme shpërndahen për përfitime politike apo për përfitime të grupeve të interesit. Së treti, informacionet e rreme krijohen dhe shpërndahen edhe për shkak të gazetarisë së dobët dhe mungesës së filtrave brenda redaksive për t’i verifikuar informacionet. Së katërti, lajmet e rreme krijohen me qëllim argëtimi e përqeshje (gazetaria satirike)”, ka thënë Ismajli.
Një studim i Parlamentit Europian i vitit 2021,‘’Harta e lajmeve të rreme dhe Dezinformatave në Ballkanin Perëndimor", tregon se edhe Kosova si shtet nuk është imune ndaj narrativeve të dezinformatave që kanë përfshirë pjesën tjetër të rajonit dhe botën. Kështu me përjashtim të rasteve të lidhura me COVID, nivelet e dezinformimit duke përfshirë ndikimin gjeopolitik nga Rusia, Turqia dhe Kina, ishin më të ulëta në Kosovë se në shumicën e vendeve të tjera të rajonit.
Gazetari njëherish Redaktori, Kreshnik Gashi, nga KALLXO, thotë se pasojat e publikimit të lajmeve të rrejshme janë të mëdha në krijimin e keqkuptimeve në shoqëri apo edhe keqinformimin e tyre.
‘’Lexuesit mund t’i dallojnë lajmet e rrejshme në disa forma, mungesa e emrit të autorit, mungesa e citateve, mungesa e burimit të informacionit apo edhe palëve të përfshira që janë disa prej shenjave dalluese të lajmeve të rrejshme. Mënyra më e mirë e luftimit të lajmeve të rrejshme është ndërtimi i mendimit kritik e po ashtu ndërtimi i kapaciteteve tek gazetarët për Fact Checking’’, ka thënë ai.
Raporti i NDI vitit 2021 - Zyra në Kosovë, tregon për monitorimin e lajmeve në internet dhe media sociale në prag të zgjedhjeve parlamentare. Gjetjet kryesore të këtij raporti ishin çrregullime të përhapura të informacionit, informacione të rreme, dhe të ekzagjeruar ose të dëmshme duke dështuar në kontroll faktesh.
NDI identifikoi 105 artikuj lajmesh që përmbanin çrregullime informacioni në portale.
Mirëpo, Imer Mushkolaj - Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, sqaron se Kodi Etik i Gazetarisë respektohet nga mediet online në Kosovë, por në disa raste gjatë punës së përditshme ndodhin lëshime dhe gabime profesionale që nënkuptojnë shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara.
‘’Në të tilla raste, Kuvendi i KMShK-së merr vendime bazuar në kod. Është çështje e secilës media veç e veç që të bëjë verifikimin e lajmeve që publikon. Bazuar në ankesat që vijnë në Këshill, publikohen edhe lajme të pa verifikuara’’ ka thënë ai.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2020 nga KMShK-ja janë trajtuar rreth 200 ankesa për lajme të rreme, kurse gjatë vitit 2021 janë trajtuar rreth 160 ankesa.
‘’Pjesa më e madhe e ankesave kanë pasur të bëjnë me nenet përkatëse të kodit që adresojnë raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur. KMShK brenda kapaciteteve që ka angazhohet që mediat të respektojnë Kodin, por edhe i ndihmon ato nëpërmjet organizimit të trajnimeve, seminareve, tryezave dhe debateve që në fokus kanë luftimin e lajmeve të rreme’’, tha Mushkolaj.
Lajmet e rreme mund të ndikojnë negativisht dhe janë të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi. Këtë e pohon edhe Sociologu Ferdi Kamberi ku thotë se pasojat mund të jenë të ndryshme në përgjithësi në shoqëri, duke shkaktuar panik dhe pasiguri tek qytetarët.
‘’Shpërfaqja e një paniku ka qenë goxha prezentë tek shoqëria kosovare me rastin e shfaqjes së COVID 19. Shembuj të tjerë, mund të jenë edhe me rastin e shpërfaqjes së konfliktit në Ukrainë, ku shumë portale (të cilat nuk kanë adresë konkrete), kanë përhape dezinformata për mungesë të miellit, vajit apo karburanteve. Një gjë e tillë, padyshim se ka shkaktuar panik tek qytetarët dhe në anën tjetër kompanitë e ndryshme kanë ngritur çmimet, duke e rënduar edhe me shumë shportën e qytetarëve edhe ashtu të varfër’’ tha Kamberi.
Teksa, krahas luftimit të lajmeve të rrejshme sipas Faton Ismajlit është i nevojshëm edhe vetëdijesimi i shoqërisë, i cili vlerëson se kjo të bëhet përmes edukimit formal dhe joformal edhe për grupe tjera shoqërore.
‘’Secili grup shoqëror, prej fëmijëve nëpër çerdhe e deri të profesorët universitarë, kanë nevojë që të kenë informacione bazike për median, për lajmin, për internetin dhe për format e reja të manipulimit përmes mediave. Pra, edukimi është çelësi dhe zgjidhja e kësaj çështjeje. Duke edukuar grupe të caktuara shoqërore, duke nxitur idenë që, edukimi medial të bëhet obligativ në çerdhe, shkolla, universitete do të mund të themi që pas një kohe shoqëria kosovarë është deri diku imune ndaj lajmeve të rreme’’, tha Ismajli.
Që edukimi medial është kurrciar për shoqërinë kosovare, dëshmohet pothuajse çdo ditë kur në rrjetet sociale nga llogaritë personale në baza ditore shpërndahen me dhjetra postime qoftë kulturore, sportive apo politike, të cilat ani pse nuk publikohen nga mediet, bëhen virale në internet dhe komentohen nga shoqëria.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit - implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga Instituti Kombëtar Demokratik - NDI dhe USAID në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit/es dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i NDI, USAID ose i AGK-së.











