Dhuna nuk njeh etni
Shkruan: Vjosa Çerkini
Gratë duket se janë pre e lirë për burrat, pavarësisht se ku jetojnë ose cilës etni i përkasin. Në Mitrovicën e Veriut, një përzierje etnish, ato bëhen viktima të dhunës në familje pa dallim.
M. B., 55 vjeçare nga Mitrovica e Veriut, raportoi burrin e saj I.B. për herë të parë këtë vit në polici për sulm fizik. Ajo kishte një sy të nxirë, mavijosje dhe plagë në të gjithë trupin, pasi u përpoq të sqaronte disa keqkuptime me burrin e saj. Situata eskaloi. Fjalët nuk ishin të mjaftueshme për burrin e saj; ai ngriti grushtet kundër saj.
"Unë doja vetëm të thosha se jam e mbingarkuar me punët e shtëpisë. Por, ai nuk donte ta dëgjonte këtë. Isha e shokuar që ai nuk do të merrte më në konsideratë argumentet verbale. Ishte e tepërt për mua dhe thashë, atëherë thjesht do të ndaloj,” tha ajo.
M.B është një nga 56 gratë në Mitrovicën e Veriut që këtë vit kanë raportuar burra, bashkëshortë, anëtarë të familjes, djem, për dhunë. Sipas të dhënave të policisë, vetëm në komunën e vogël të Mitrovicës së Veriut, ku banojnë rreth 18,000 banorë, janë raportuar 66 akte dhune brenda familjes. Por, numri i rasteve që nuk raportohen është të paktën dhjetë herë më i lartë.
A. A, 30 vjeçare nga komuniteti rom, jeton në Mitrovicën e Veriut me tre fëmijët e saj. Ajo është rrahur nga burri i saj për vite me radhë dhe ata jetojnë në një shtëpi me qira të rrënuar në periferi të qytetit. Ajo e do burrin dhe familjen e saj, megjithëse burri i saj ka qenë i dhunshëm ndaj saj. Çdo herë pas dhunës, ai i premtonte se do të ishte hera e fundit dhe se do të përmirësohej.
"Kam përjetuar dhunë në familje dhe kisha frikë ta lajmëroja, thjesht e pyesja veten ku të shkoj? Çfarë të bëj? Si mund ta shpëtoj familjen dhe fëmijët e mi? Por pastaj e mora vendimin ta denoncoj,” shprehet ajo.
Sipas sociologes Bukurije Rrustemi, gratë janë ndër kategoritë më të pambrojtura dhe me pak të fuqishme si pasojë e mungesës së pavarësisë ekonomike dhe arsimimit. “Një shoqëri e pa emancipuar dhe pa edukim të drejtë ende e sheh dhunën si mjet discipline dhe tregues të fuqisë dhe dominimit maskulin. Edhe në mesin e komuniteteve pakicë ka dhunë ndaj grave, por që nuk raportohet dhe nuk adresohet, e për pasojë dhunuesit vazhdojnë ushtrojnë dhunë dhe dhuna prodhon dhunues të së nesërmes,” shprehet sociologia Rrustemi.
Sipas dhënave të policisë së Kosovës, në tërë Kosovën për vitin 2024 janë raportuar 2585 raste të dhunës në familje, 2055 femra dhe 530 meshkuj. Ndërsa në vitin 2023, në Kosovë janë raportuar 2717 raste të dhunës në familje; në vitin 2022 janë raportuar 2817 dhe në vitin 2021 janë raportuar 2986 raste të dhunës.
Shkaktarët e ushtrimit të dhunës, sipas sociologëve, lidhen më së shumti me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale. Por, prezencë më të madhe të ushtrimit të dhunës ka tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në komunën e Mitrovicës së Veriut.
“Duhet të theksohet se dhuna tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas është shumë prezente. Gratë dhe vajzat përveç dhunës përjetojnë dhe shfrytëzim e detyrim të punës në rrugë. Fenomen tjetër që është prezent janë martesat e parakohshme dhe detyrimi për t'u martuar në rrethana të tilla aspak të sigurta për vajzat dhe gratë,” shprehet sociologia Bukurije Rrustemi.
Situata e grave në Mitrovicën e Veriut dhe në Kosovë në përgjithësi është alarmante. Dhuna në familje mbetet një problem i përhapur që prek gratë pavarësisht etnisë apo komunitetit të tyre. Për gratë si Milica dhe Ajshja i vetmi opsion për të dalë nga dhuna ishte raportimi në polici.
“Unë kam duruar dhe pastaj kam raportuar, por grave të tjera do t’u rekomandoja që të raportojnë qysh herën e parë kundër të ushtrohet dhunë ndaj tyre.”, përfundon A.A.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.