Lajmet

U MBAJT VIZITA STUDIMORE NË SHKUP ME PJESËMARRËSIT E AKADEMISË NË FUSHËN E RAPORTIMIT PËR BALLAFAQIMIN ME TË KALUARËN (BMK) DHE RAPORTIMIN E SENSIBILIZUAR PËR KONFLIKT


3811-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim me Pro Peace, organizoi vizitën studimore në Shkup më datat 13-15 qershor 2025, me pjesëmarrës të Akademisë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe raportimit të ndjeshëm për konflikt.

Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrësit u pritën në zyrat e organizatës Pro Peace, ku u njoftuan më shumë me punën dhe programet e kësaj organizate në kontekstin e ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Ata patën mundësinë të diskutojnë për sfidat rajonale që lidhen me këtë temë, si dhe të shikojnë dokumentarin “Divided Society – Parallel Reporting on an Armed Conflict”, që trajton qasjet mediatike në raportimin e konflikteve të armatosura. Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit u mirëpritën nga ekipi i zyrës së Pro Peace në Shkup, Harald Schenker, Neal Raimi dhe Jakov Popovski.

Më pas, pjesëmarrësit vizituan Asociacionin e Gazetarëve të Maqedonisë, ku u pritën nga Dragan Sekulovski – Drejtor Ekzekutiv, Milan Spirovski – Hulumtues, dhe Sonja Damchevska. Ata u njohën me sfidat dhe përpjekjet për mbrojtjen e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe me projektet që synojnë ngritjen e cilësisë së gazetarisë në vend.

Po ashtu, pjesë e vizitës ishte edhe takimi me Këshillin për Etikë në Mediat e Shkruara në Maqedoni, ku pjesëmarrësit u pritën nga Nora Kaliqi, Kryetare e Bordit. Gjatë këtij takimi u diskutua për mekanizmat e vetërregullimit të mediave, standardet etike që promovohen nga Këshilli dhe rëndësinë e etikës në raportimin mbi çështje të ndjeshme.

Vizita u përmbyll me një ditë në Pikasa Analytics, ku pjesëmarrësit u pritën nga Meriton Nagavci, analist i të dhënave. Ai prezantoi punën e Pikasa në monitorimin e mediave online dhe analizimin e trendeve të raportimit, duke përfshirë ndikimin e rrjeteve sociale në përhapjen e narrativave mbi konfliktet dhe ballafaqimin me të kaluarën.

Akademia në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt, e organizuar nga AGK-ja dhe Pro Peace, ka filluar në prill 2025 dhe përfshin një seri trajnimesh për gazetarinë e ndjeshme ndaj konfliktit, luftën kundër dezinformimit, dhe rolin e medias në procesin e pajtimit.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është fuqizimi i gazetarëve dhe studentëve të gazetarisë me aftësi për të raportuar me profesionalizëm dhe ndjeshmëri për çështje të ndërlidhura me të kaluarën dhe konfliktet në rajon.

Share this Post: