U mbajt panel diskutimi për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit 2026
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u mbajt sot një panel diskutimi me temën “Ndikimi i profesionit në shëndetin mendor të punonjësve të mediave”, i organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ngjarja u hap me fjalë hyrëse nga Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së, dhe Pascale Roussy, Drejtore e Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Në fjalën e tij, Rexha theksoi se, përkundër rolit kyç të mediave në një shoqëri demokratike, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida serioze, përfshirë fushata të vazhdueshme për delegjitimimin e punës së tyre dhe gjuhë denigruese që cenon besimin e publikut. Ai bëri thirrje për respektimin e lirisë së medias dhe për forcimin e mbrojtjes institucionale për gazetarët.
Ndërkaq, Roussy theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për gazetarët dhe mediat në Kosovë, duke nënvizuar se liria e shtypit dhe mirëqenia e gazetarëve janë thelbësore për funksionimin e demokracisë. Ajo vuri në pah se shëndeti mendor i gazetarëve duhet të trajtohet si prioritet, dhe se institucionet, redaksitë dhe organizatat ndërkombëtare duhet të bashkëpunojnë për të krijuar mekanizma mbështetës dhe mjedise më të sigurta pune.
Paneli u moderua nga Xhemajl Rexha, ndërsa në diskutim morën pjesë gazetare dhe profesioniste të fushës, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi ndikimin e profesionit në shëndetin mendor.
Gazetarja Venera Xhoxhaj foli për përvojat e saj gjatë raportimeve në veri të Kosovës në maj dhe qershor 2023, duke theksuar presionin dhe rreziqet që përballen gazetarët në situata të tensionuara.
Ndërkaq, Ardiana Thaçi Mehmeti ngriti shqetësimin për sulmet dhe linçimet që ndodhin përmes platformave online, përfshirë grupe si “Albkings” dhe platforma të tjera si Discord, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike të gazetarëve.
Gazetarja dhe Drejtorja e RTK 2, Aleksandra Jovanoviq, ndau përvoja personale nga raportimet gjatë dhe pas konfliktit, duke theksuar se gazetarët shpesh janë dëshmitarë të traumave të të tjerëve, të cilat i mbartin edhe pas përfundimit të punës. Ajo nënvizoi se mungesa e reagimit institucional në raste sulmesh ndaj gazetarëve mbetet shqetësuese, ndërsa stigma rreth shëndetit mendor vazhdon të jetë e pranishme në profesion.
Drejtorja Ekzekutive dhe Përfaqësuesja e RrGGK-së, Getoarbë Mulliqi theksoi rëndësinë e hapjes së diskutimeve të vazhdueshme mbi shëndetin mendor në media dhe nevojën për mbështetje më të madhe për gazetarët, veçanërisht për gratë në këtë profesion.
Nga perspektiva profesionale, psikologia klinike Gresa Miftari foli për ndikimin e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj traumave dhe stresit në shëndetin mendor të gazetarëve, duke theksuar nevojën për mbështetje psikologjike, mekanizma institucionalë dhe krijimin e hapësirave të sigurta për të adresuar këto sfida.
Ngjarja u përmbyll me një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh me pjesëmarrësit, duke nxitur një diskutim të hapur mbi mënyrat konkrete për të përmirësuar mirëqenien e gazetarëve dhe për të forcuar lirinë e medias në Kosovë.
AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe në promovimin e kushteve më të mira të punës, duke theksuar se kujdesi për shëndetin mendor të punonjësve medial është thelbësor për një gazetari të lirë dhe profesionale.











