Lajmet

U mbajt Akademia për Trajnim të Trajnerëve në Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt


4058-title

Përgjatë tri ditëve, u mbajt Akademia për Trajnim të Trajnerëve (ToT), e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Pro Peace – Programi në Kosovë.

Kjo akademi mblodhi gazetarë dhe profesionistë të medias, duke krijuar një hapësirë për reflektim kritik, shkëmbim përvojash dhe zhvillim profesional. Në fokus ishte roli i gazetarisë në trajtimin e së kaluarës, sidomos në shoqëritë që ende përballen me pasojat e konflikteve dhe me sfida në ndërtimin e dialogut dhe besimit publik.

Përmes moduleve dhe diskutimeve interaktive, pjesëmarrësit eksploruan mënyra konkrete se si raportimi mund të kontribuojë në një kuptim më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës të së kaluarës, duke shmangur narrativat e njëanshme dhe duke vendosur në qendër dinjitetin e viktimave dhe të mbijetuarve.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të përfitojnë nga përvoja dhe perspektivat e trajnerëve:

- Prof. Dr. Dinko Gruhonjić theksoi se gazetaria që merret me të kaluarën kërkon jo vetëm saktësi faktike, por edhe përgjegjësi të thellë etike, duke paralajmëruar për rrezikun e keqpërdorimit të narrativave historike për qëllime politike apo ideologjike.

- Adriatik Kelmendi diskutoi mbi sfidat e gazetarisë në kontekste të polarizuara, duke nënvizuar se raportimi i balancuar dhe profesional është thelbësor për ndërtimin e dialogut publik dhe për të shmangur thellimin e ndarjeve shoqërore.

- Serbeze Haxhiaj solli në fokus rëndësinë e një qasjeje gjinore dhe të ndjeshme ndaj traumës, duke theksuar se mënyra se si raportohen përvojat e të mbijetuarve mund të ndikojë drejtpërdrejt në dinjitetin, sigurinë dhe procesin e shërimit të tyre.

- Ridvan Slivova vuri në pah fuqinë e fotografisë në ndërtimin e kujtesës kolektive, duke theksuar se fotografia nuk është vetëm dokumentim, por edhe interpretim, dhe si e tillë, kërkon ndjeshmëri të lartë etike në trajtimin e temave të konfliktit.

Si vazhdim i këtij procesi, gazetarët do të angazhohen në prodhimin e përmbajtjeve mediale që trajtojnë temat e ballafaqimit me të kaluarën dhe raportimit të ndjeshëm për konfliktin.

Share this Post: