Lajmet

Trajtimi i dhunës mbi baza gjinore në lokalitet - Komuna e Mitrovicës


3618-title

Shkruan: Flutura Sogonjeva

90 raste të dhunës në baza gjinore, 86 prej tyre me viktima gra e vajza u regjistruan nga janari në tetor të vitit të kaluar(2024) në stacionin policior të jugut në Mitrovicë.

Afër 34 kilometra larg kryeqyteti, në Mitrovicën Jugore funksionon Qendra “Raba Voca” e cila që nga fundi i shekullit të kaluar u del në ndihmë atyre që përjetuan dhunën.

Fidane Hyseni e cila e udhëheq këtë qendër bën me dije se vetëm prej 2007-tës e deri më tani ka trajtuar mbi 1363 raste të tilla.

Për të, funksionimi në një qytet si Mitrovica mban vështirësi pasi jo të gjitha kushtet për strehim të rasteve janë të plotësuara.

“Në komunën e Mitrovices për të funksionuar është mjaft vështirë, arsyeja që jemi me një objekt me qera (qeraja mjaft e lartë 500.00 euro ne muaj) si dhe nuk përmbush të gjitha kriteret për strehimin e rasteve të dhunës sipas standardeve evropiane”, thotë Hyseni.

Megjithatë, fal ndihmës së UNOPS është ndërtuar një objekt për strehimore në periferi të qytetit. Por, infrastruktura, uji, rryma e të tjera elemente nuk janë të perfunduara pasi atë pjesë pritet ta mbulojë komuna e Mitrovicës.

E pyetur se sa ka gjetur mbështetje insitucionale, ajo thotë se ajo tashmë janë bërë tri vite nga përkrahja e fundit institucionale lokale, me përjashtim të komunës Skënderajit kur gjatë vitit të kaluar, kësaj qendre i’u ndanë 2500.00 euro.

Nga Ministria e Drejtësisë, qendra “Raba Voca” është subvencionuar për 12 muaj.

Në anën tjetër, ndikimi i dhunës shpesh rezulton me efekte psiqike negative të mëdha.

Në vende ku ende mbizotërojnë opinione të ndryshme rreth shprehjes e vizitave tek psikologu, gjërat vetëm sa vështirësohen edhe më shumë.

Psikologu Nuhi Sadiku, i cili vepron në qytetin e Mitrovicës përmend disa prej tyre.

“Sigurisht se dhuna në aspektin psikologjik ndikon tek sistemi nervor për afate kohore të gjata. Ajo e dëmton dhe e cënon shëndetin mendor të individit. Bashkë me të paraqet edhe ç'rregullime tjera të individit siç janë : Ndjenja e fajit, pagjumësi, pa energji, nuk i bëjnë përshtypje momentet që dikur është kënaqur etj. E gjithë kjo duhet të denoncohet dhe mos të jetohet nën kërrcnim, dhuna mos të bëhet si racion i ushqimit të përditëshëm”, thotë ai.

Sadiku teksa flet përvojën e tij ndër vite brenda kësaj komune, thotë se ajo psikologjike ishte më evidentja teksa përmend edhe shkaktarët e mos raportimit të saj.

“Kam punuar me raste të ndryshme, mirëpo më të theksuara deri më tani janë rastet e dhunës psikologjike. Evidente është shumë në aspekte të ndryshme, mirëpo stigma dhe frika për pasojat që pasojnë janë shkaktarët e mos raportimit të dhunës. Forma më e mirë do të ishte rehabilitimi komplet i këtyre rasteve me seanca dhe mbështeje sociale e pastaj duke i integruar edhe në shoqëri me punësim dhe angazhim”.

Gazetaria, e njohur si pushteti i katërt përçon mesazhe dhe njihet për ndikim në masë përmes formave të ndryshme.

Në Mitrovicë, gazetari i mediumit “Mitropol”, Urall Boshnjaku thotë se raportimet mbi dhunën në baza gjinore përpiqen të mos i lënë pas dore.

Boshnjaku thotë se viktimat e dhunës në baza gjinore nuk gjejnë zë të mjaftueshëm në shoqëri për shkak të mentalitetit kryesisht patriarkal.

“Ne raportojmë për rastet e lidhura me dhunën mbi baza gjinore e cila është e e pranishme në masë të madhe për shkak të roleve gjinore të përcaktuara nga shoqëria.Sipas të dhënave të fundit që i posedojmë , nga janari deri në nëntor, në Kosovë janë regjistruar diku rreth 2600 viktima të dhunës në familje, shifra që tregojnë se ka pasur një rritje të theksuar të rasteve të dhunës në Kosovë. Nga vëzhgimi ynë, konsiderojmë që viktimat e dhunës në baza gjinore nuk kanë zë të mjaftueshëm në shoqërinë kosovare për shkak të mentalitetit kryesisht patriakal që mbizotëron si kulturë lokale”, tha ai.

Boshnjaku thotë se përkundër faktit që në Kosovë organizohet fushata globale e “16 Ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” dhe përkundër trajnimeve të shumta, fushatave e aktiviteteve qe organizohen nga organizatat e shoqërise civile, dhuna në baza gjinore vazhdon të jetë dukshëm e pranishme në Kosovë gjithandej.

“Krijimi i vendeve të reja të punës ku grave u ofrohet hapsirë e barabartë me burrat do ishte një prej nismave të duhura për lehtësimin e rasteve të dhunës gjinore, që në esencë ndërlidhen me dhunën ekonomike si shkak i pozicionit shoqëror të gruas në familjet kosovare. Edhe drejtësia kosovare do duhej të shqiptonte dënime shumë më serioze për rastet e konfirmuara të dhunës, në mënyrë që të krijohej vetëdijësim mbi peshën e madhe që ka kjo dukuri në shoqëri” thotë ai.

Sipas tij, viteve te fundit ka vetëdijësim më të madh të grave për të raportuar dhunën në instanca institucionale por edhe në medie.

Ai thotë së media duhet të ketë edhe “follow-up” të ngjarjeve që lidhen me dhunën në baza gjinore, në mënyrë që proceset e gjykimit të jenë më transparente e më të ekspozuara për publikun.

E përderisa rastet e dhunës gjinore mbeten në një numër jo të vogël, aspekti financiar luan një rol të madh.

Melihate Beshiri, drejtuese e organizatës “Bussines Women Mitrovica” tash e tetë vite merret me fuqizimin e grave në biznes.

Ajo thotë se mbi 100 gra e vajza të komunës së Mitrovicës, mes tyre edhe ato që përjetuan dhunën mbi baza gjinore kanë pëfituar trajnime duke u bërë tashmë edhe ndërrmarëse të sukseshme.

“Organizata jonë është themeluar në vjtin 2017. Aktivitetet tona janë zakonisht me gra e vajza të cilat i ndihmojmë në fuqizim drejtë të bërit biznes, si në avokim, lobim, edukim dhe trajnime të ndryshme. Kemi pasur më shumë se 100 gra e vajza me të cilat kemi punuar e që tashmë janë ndërmarrëse të sukseshme. Kemi edhe sfida rreth projekteve, kryesisht kur aplikojmë në Ministri të ndryshme derisa komuna na mbështet. Por, kemi pas edhe raste të grave që kanë pësuar dhunë psiqike e fizike. Jemi kujdesur që edhe ato t’i ofrojmë përmes trajnimeve të ndryshme”, tha ajo.

Sipas Beshirit gjërat vështirësohen edhe më shumë kur ende ka dallime në baza gjinore si shkak i metalitetit patriakal ndonse tashmë thotë ka vetëdijësim.

“Gratë ndërrmarrëse kanë vështirësi sepse ende mentaliteti është i pranishëm, sidomos në vise rurale. Megjithatë, shumë gra tashmë marrin pjesë nëpër trajnime dhe gjejnë punësim duke u bërë kështu edhe të zonjat e vetës” përfundon ajo. Gjatë 2023-tës komuna e Mitrovicës ishte komuna me rritjen më të madhe të rasteve të raportuara mbi dhunën në baza gjinore, sipas raportit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Ndër vite, ndonëse jo edhe në numër të madh brenda këtij qyteti u zhvilluan protesa me thirrjen për barazi gjinore.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: