Sot u mbajt ngjarja e Çmimit për Raportimin më të Mirë në Ekonomi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në partneritet me JTI, zhvilloi sot ceremoninë në të cilën u vlerësuan storjet që kanë aplikuar gjatë thirrjes së hapur nga data 19 nëntor deri më 30 nëntor. Gjatë kësaj periudhe kemi pranuar 22 aplikime. Juria e këtij edicioni ishte e përbërë nga: Agon Sinanaj, Mentor Buzhala dhe Ardita Dushi.
Ngjarja u hap me fjalimet hyrëse, ku kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, theksoi rëndësinë e gazetarisë ekonomike dhe rolin e saj në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vend. Ai shtoi se gazetaria cilësore ekonomike jo vetëm informon publikun, por ndihmon edhe në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme.
Më pas, fjalën e mori Ardita Dushi, Menaxhere për Çështjet Korporative dhe Komunikim në JTI, e cila nënvizoi rëndësinë e partneritetit me AGK-në dhe mbështetjen për storje që promovojnë transparencë dhe llogaridhënie publike, duke vlerësuar punën e gazetarëve ekonomikë si aleatë të një ekonomie funksionale.
Në fund, përfaqësuesi i jurisë, Agon Sinanaj, ndau përvojat gjatë procesit të vlerësimit, duke theksuar profesionalizmin e lartë dhe cilësinë e aplikimeve të këtij viti.
Në këtë edicion të parë, gazetarët konkurruan me storje që dëshmojnë guxim profesional, qasje hulumtuese dhe përkushtim për informim të publikut.
Sot, gjatë ngjarjes, ne jemi të lumtur të njoftojmë fituesit:
Fituesit e Çmimit për Raportimin më të Mirë në Ekonomi 2025:
Vendi i parë – Alberta Hashani (Betimi për Drejtësi)
“Tenderi i dyshimtë i kamionëve, u kërkuan me urgjencë për t’u mbajtur në parking”
Storja nis nga një sinjalizim dhe shpalos një tender prej 400 mijë eurosh për kamionë të cilët, në praktikë, nuk u përdorën pothuajse fare. Hulumtimi zbulon specifikime të hartuara për t’i përshtatur vetëm një kompanie, kontrata të shumta të njëpasnjëshme me të njëjtin operator ekonomik dhe kundërthënie të qarta me Ligjin e Prokurimit Publik. Dokumentet e naftës, gjendja e mjeteve dhe përdorimi minimal i tyre e thellojnë dyshimin për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vendi i parë – Egzon Dahsyla (Kallxo.com)
“Kurdisja e tenderit: Audioincizime se si kryeshefi i KRU ‘Gjakova’ u përfshi në negociata për një tender të ndërmarrjes”
Ky hulumtim zbardh mënyrën se si u manipulua një tender publik në “KRU Gjakova”, duke dokumentuar përfshirjen direkte të kryeshefit në vendimet që nuk i takonin atij. Përmes audio-incizimeve dhe dokumenteve zyrtare, storja tregon se si tenderi u orientua drejt një kompanie të lidhur familjarisht, ndërsa punët realisht i kryente një kompani tjetër. Pas publikimit, kryeshefi u pezullua, u kryen bastisje nga Policia dhe rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale për korrupsion.
Çmimi për vendin e parë, për të dy kolegët gazetarë, u nda nga Sazan Alija (Drejtor Rajonal, JTI).
Vendi i dytë – Sanie Jusufi (Koha.net)
“Shumëfishimi i vlerës së subvencioneve nuk ul importet”
Artikulli analizon pse rritja e subvencioneve bujqësore nuk ka sjellë rritje të prodhimit vendor dhe pse importet mbeten të larta. Duke u bazuar në të dhëna zyrtare, auditime, statistika dhe intervista, storja argumenton se mungesa e planifikimit afatgjatë, monitorimit dhe mbështetjes teknike po e bën politikën bujqësore joefektive.
Çmimi për vendin e dytë u nda nga Getoarbë Mulliqi (Drejtore Ekzekutive, AGK).
Vendi i tretë – Arjeta Shabani (Reporteri.net)
“Kosova, nga ‘insider tip’ drejt destinacionit të ëndërruar”
Ky shkrim sjell vëmendjen tek një sektor i nënraportuar: turizmi malor. Artikulli tregon se si shtigjet e hikingut dhe bujtinat po gjenerojnë ekonomi lokale dhe interesa të turistëve të huaj, veçanërisht përgjatë itinerareve ndërkufitare me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Çmimi për vendin e tretë u nda nga Mentor Buzhala (anëtar i jurisë).
Urime të gjithë fituesve dhe faleminderit të gjithë aplikuesve për punën e tyre të rëndësishme!











