Lajmet

SafeJournalists: Presionet nga administrata e qytetit të Mostarit paraqesin një kërcënim serioz për lirinë e medias


3948-title

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin e fundit verbal nga Kryetari i Mostarit, Mario Kordić, si dhe shënjestrimin e tij të drejtpërdrejtë publik ndaj gazetarit dhe bashkëpronar të Hercegovina.info, Mario Ćosić.

Në një deklaratëtë publikuar më 2 dhjetor në faqen zyrtare të Kryetarit në Facebook, Kordić akuzoi Ćosić se po përpiqet me qëllim të “destabilizojë” administratën e qytetit dhe të krijojë “pasiguri juridike dhe kaos”, duke pretenduar se gazetari po nxit një “atmosferë linçimi” ndaj zyrtarëve komunalë. Gjuha e tillë, e shoqëruar me nënkuptime të qarta shpifëse, përbën një formë serioze të presionit politik dhe një përpjekje për të delegjitimuar kontrollin profesional gazetaresk ndaj çështjeve të interesit të qartë publik.

Ky incident nuk është i izoluar. Kryetari Kordić ka bërë më parë akuza të pabazuara dhe të rënda ndaj anëtarëve të redaksisë së Hercegovina.info, përfshirë pretendimet se ata po shantazhonin investitorë. Në të njëjtën kohë, këtij mediumi i është mohuar sistematikisht qasja në informacione të interesit publik që lidhen me funksionimin e Qytetit të Mostarit, duke penguar raportimin e tyre hulumtues dhe duke kufizuar të drejtën e qytetarëve për informim të saktë dhe në kohë.

Rrjeti SafeJournalists thekson se gazetaria kritike dhe e bazuar në fakte është një komponent i pazëvendësueshëm i çdo shoqërie demokratike. Zyrtarët publikë kanë detyrimin të respektojnë rolin e mediave, të veprojnë me transparencë dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve pa përdorur frikësim, turpërim publik ose pengesë institucionale. Sjellja e Kryetarit Kordić përbën një keqpërdorim të qartë të pushtetit politik dhe paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

SafeJournalists shprehin mbështetje të palëkundur për Mario Ćosić dhe të gjithë redaksinë e Hercegovina.info. Ne u bëjmë thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Kantonit të Herzegovinës–Neretvës, të reagojnë pa vonesë, të garantojnë respektimin e të drejtave të gazetarëve dhe të ndërmarrin masa të duhura kundër çdo forme të ndërhyrjes apo frikësimit politik.

Zyrtarët publikë kanë detyrimin të veprojnë në përputhje me ligjet e transparencës dhe të lehtësojnë qasjen në informacion, e jo të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ku mediat nënçmohen apo pengohen publikisht. Sigurimi i kushteve të sigurta të punës për gazetarët nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një parakusht thelbësor për mbrojtjen e të drejtës së publikut për të ditur.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta monitorojë nga afër këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themeltare të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 4 dhjetor 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë e Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi

Share this Post: