Lajmet

SafeJournalists: Presion politik dhe kërcënime ndaj javores Novosti në Kroaci


3943-title

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër deklaratat e fundit të përfaqësuesve të Lëvizjes së Atdheut (Domovinski pokret), pjesë e koalicionit qeverisës në Kroaci, të cilët kanë paralajmëruar se në vitin 2026 do të heqin të gjitha fondet buxhetore për javoren e minoriteteve Novosti.

Gjatë një paraqitjeje në Televizionin Kroat (HTV), deputeti Stipo Mlinarić tha se financimi për Novosti “është ulur me 200 mijë euro këtë vit” dhe se “vitin e ardhshëm do të hiqet plotësisht.” Po ashtu, sipas Novi list, kryetari i Lëvizjes së Atdheut, Ivan Penava, u bëri thirrje deputetëve të minoriteteve që, përmes Këshillit për Pakicat Kombëtare, “të mos mbrojnë interesat e Novosti.”

Këshilli për Pakicat Kombëtare është një institucion i pavarur që ndan mbështetjen për mediat e minoriteteve përmes një procesi vjetor dhe të paanshëm. Duke ushtruar presion publik ndaj këtij organi dhe duke shpallur paraprakisht heqjen e mbështetjes, pjesëtarë të koalicionit qeverisës po ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në një proces të pavarur, duke shkelur Ligjin Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare dhe duke tentuar të godasin financiarisht një media të minoriteteve që prej kohësh është në shënjestër të sulmeve shpifëse.

Veçanërisht shqetësuese është fakti që përfaqësuesit e Lëvizjes së Atdheut krenohen hapur se kanë ndikuar në ndarjen e fondeve të këtij viti, ku Novosti mori 35% më pak se shuma e kërkuar. Deklarata e tyre publike — “Ajo që premtojmë, e realizojmë – Financimi i reduktuar për javoren Novosti” — e tregon qartë presionin politik ndaj një institucioni të pavarur.

Veprime të tilla përbëjnë kërcënim serioz për lirinë e medias, të drejtat e pakicave dhe vetë standardet demokratike. Ushtrimi i presionit politik dhe financiar ndaj një mediaje të minoriteteve është i papranueshëm në çdo shoqëri demokratike.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve kroate të garantojnë pavarësinë e Këshillit për Pakicat Kombëtare, të sigurojnë mbrojtjen e mediave të minoriteteve dhe të ndalojnë çdo formë të presionit politik ndaj gazetarëve dhe mediave.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë situatë.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 3 dhjetor 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
BH Journalists’ Association
Unioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: