Lajmet

SafeJournalists dhe MFRR: Mbyllja e Al Jazeera Balkans është një goditje e rëndë për lirinë e medias dhe pluralizmin në rajon


3834-title

Platforma Media Freedom Rapid Response (MFRR) iu bashkua reagimit tonë të enjten, më 17 korrik.

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë dhe solidaritet me mbi 200 gazetarë dhe punonjës të medias që janë prekur nga njoftimi i papritur për mbylljen e Al Jazeera Balkans pas 14 vitesh funksionimi të pandërprerë.

Kjo nuk është thjesht fundi i një mediumi të respektuar rajonal—është një goditje serioze për pluralizmin mediatik, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për t’u informuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për më shumë se një dekadë, Al Jazeera Balkans ishte sinonim i gazetarisë profesionale, të pavarur dhe cilësore, duke trajtuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore nga një këndvështrim rajonal. Mbyllja e saj përbën një humbje për demokracinë, transparencën dhe diskursin kritik në një rajon ku pavarësia mediatike është gjithnjë e më e brishtë.

Rrjeti është veçanërisht i alarmuar nga mënyra se si është komunikuar vendimi. Më shumë se 200 punonjës mësohet se kanë mësuar për mbylljen përmes raportimeve në media, dhe jo nëpërmjet kanaleve zyrtare të brendshme. Ky mungesë transparence dhe shpërfillje ndaj të drejtave të punëtorëve është e papranueshme dhe tregon brishtësinë më të gjerë të pozitës së gazetarëve në rajon.

Edhe pse kompania ka përmendur arsye biznesi për këtë vendim, ky veprim ngre shqetësime serioze për qëndrueshmërinë afatgjatë të gazetarisë së pavarur, madje edhe në ato media që më parë konsideroheshin financiarisht dhe editorialisht të qëndrueshme. Eliminimi i menjëhershëm i një zëri kaq të fuqishëm rajonal ngre gjithashtu pikëpyetje mbi përkushtimin e pronarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave, integritetit dhe misionit publik të gazetarisë.

Mbyllja e Al Jazeera Balkans ndjek një prirje shqetësuese në rajon. Në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe gjetkë, pluralizmi mediatik vazhdon të bjerë. Ndryshimet e fundit në pronësi dhe menaxhim në televizionin N1, si dhe presionet politike në rritje ndaj mediave të pavarura në Serbi, rrezikojnë edhe më tej hapësirën për gazetari të besueshme. Zhdukja e një tjetër mediumi të rëndësishëm do t’i linte qytetarët pa burime të sigurta informacioni dhe do të thellonte mungesën e demokracisë në rajon.

Ne i bëjmë thirrje menaxhmentit të Al Jazeera Balkans që të angazhohet në një proces të hapur dhe të drejtë me punonjësit e saj dhe të sigurojë që çdo shkarkim të realizohet në përputhje me ligjet e punës dhe me respekt të plotë për të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje qeverive të rajonit, institucioneve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë që ta trajtojnë këtë zhvillim me seriozitet. Mbrojtja e pluralizmit mediatik dhe kushteve të punës për gazetarët kërkon veprime të menjëhershme dhe konkrete, jo vetëm deklarata. Duhet të vendosen garanci ligjore për të parandaluar mbylljen e papritur të mediave pa mbrojtje për stafin, dhe për të garantuar pavarësinë financiare dhe editoriale të mediave që veprojnë në interesin publik.

Së fundmi, Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me gazetarët dhe stafin e Al Jazeera Balkans dhe është i gatshëm t’i mbështesë ata nëpërmjet kanaleve ligjore, profesionale dhe të avokimit.

Kjo nuk është thjesht historia e një redaksie. Është një paralajmërim se gazetaria e pavarur në rajon është gjithnjë e më shumë në rrezik—dhe se pa të, vetë demokracia është në rrezik.

Çdo sulm ndaj gazetarëve—përfshirë ato ekonomike dhe strukturore—është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 16 Korrik 2025

  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

  • Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

  • Shoqata e Gazetarëve të BH

  • Shoqata e Gazetarëve Kroatë

  • Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

  • Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: