SafeJournalists: Kërcënimet me bazë gjinore, pandëshkueshmëria dhe heshtja institucionale përcaktojnë pozitën e gazetareve në rajon
Rrjeti SafeJournalists mbajti konferencën “Nga Dëshmitë te Ndryshimi: Siguria dhe Pozita e Gazetarëve dhe Grave Gazetare në Ballkanin Perëndimor”, më 29 prill në Beograd, ku u prezantuan gjetjet më të fundit mbi pozitën e grave gazetare në rajon. Gjetjet tregojnë për një rritje të sulmeve, një dimension të theksuar gjinor të kërcënimeve dhe ngacmimeve, si dhe dobësi në mbrojtjen institucionale. Pjesëmarrësit në panel paralajmëruan se gratë gazetare përballen jo vetëm me kërcënime që lidhen me punën e tyre profesionale, por edhe me sulme që synojnë gjininë e tyre, pamjen, jetën private dhe familjare, ndërsa një numër i madh incidentesh mbeten të paraportuara për shkak të mungesës së besimit në institucione dhe frikës nga pasojat.
Konferenca u hap nga Tamara Filipović Stevanović, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS), Peter Truswell, ambasador i Australisë në Serbi, dhe Plamena Halacheva, zëvendësambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.
Duke hapur konferencën, Tamara Filipović Stevanović theksoi se siguria e gazetarëve dhe grave gazetare nuk është vetëm një çështje profesionale, por edhe një çështje demokratike. Ajo theksoi se konferenca mblodhi gazetarë, studiues, ekspertë, sindikata dhe partnerë për të diskutuar sigurinë e grave gazetare, ngacmimet në vendin e punës, pozitën e grave në media, indikatorët rajonalë të lirisë së medias dhe zhvillimin e protokolleve të ndjeshme ndaj gjinisë në redaksi. Duke kujtuar se Rrjeti SafeJournalists po shënon 10-vjetorin e tij, ajo theksoi se gjatë dekadës së kaluar rrjeti ka ndërtuar mekanizma mbështetës, ka dokumentuar sulme dhe ka avokuar për ndryshime institucionale, duke paralajmëruar se pas çdo numri qëndron përvoja konkrete e një gazetari, një gazetareje apo një redaksie.
Ambasadori australian në Serbi, Peter Truswell, tha se gratë gazetare në Ballkanin Perëndimor përballen me rreziqe disproporcionale, përfshirë abuzimin online, frikësimin fizik, fushatat e shpifjes, dhunën me bazë gjinore dhe paditë SLAPP. Ai theksoi se reagimet institucionale ndaj këtyre kërcënimeve shpesh janë të pamjaftueshme, gjë që e bën sigurinë e grave gazetare një çështje të rëndësishme jo vetëm për komunitetin mediatik, por edhe për demokracinë. “Ndryshimi real kërkon përgjegjësi kolektive. Kërkon që institucionet të reagojnë dhe që shoqëria në tërësi të njohë vlerën e gazetarisë,” tha Truswell.
Plamena Halacheva, zëvendësambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, paralajmëroi se gazetarët në mbarë botën po përballen me një spektër gjithnjë e më të gjerë kërcënimesh, nga sulmet fizike, ngacmimet dhe frikësimet, deri te mbikëqyrja, paditë SLAPP dhe keqpërdorimi i teknologjive të reja. Ajo theksoi veçanërisht pozitën e grave gazetare, të cilat janë të ekspozuara ndaj dhunës online seksiste, mizogjene dhe shpesh të seksualizuar, ndërsa kërcënimet digjitale gjithnjë e më shumë kalojnë në rrezik fizik. “Mbrojtja e lirisë së medias nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e gazetarëve, por me mbrojtjen e vetë demokracisë,” tha Halacheva.
Siguria e grave gazetare është çështje e mjedisit të përgjithshëm mediatik
Tamara Filipović Stevanović, duke folur në panelin e parë, kujtoi se Rrjeti SafeJournalists vazhdoi të monitorojë sigurinë e grave gazetare pas miratimit të Deklaratës për Sigurinë e Grave Gazetare, të nisur në shtator të vitit të kaluar. Siç tha ajo, rrjeti u angazhua për “ndjekjen dhe monitorimin e situatës sa i përket sigurisë së grave gazetare, reagimin ndaj kërcënimeve të tilla dhe monitorimin e kushteve të punës në përgjithësi.”
Filipović Stevanović paralajmëroi se i njëjti model përsëritet në shumicën e vendeve: kuadri ligjor ekziston, por praktika institucionale mungon, ndërsa redaksitë shpesh nuk janë vende të sigurta për gratë gazetare. “Gratë nuk raportojnë incidente për shkak të mungesës së besimit në institucione, frikës nga viktimizimi i mëtejshëm dhe përshtypjes se pasojat pas raportimit do të jenë të vogla ose inekzistente,” tha ajo, duke vlerësuar se kjo situatë i dekurajon edhe më shumë gazetaret që të kërkojnë mbrojtje.
Pothuajse gjysma e rasteve të sulmeve ndaj grave gazetare në BiH përmbajnë elemente gjinore
Mirna Stanković-Luković, hulutmuese nga Bosnja dhe Hercegovina (BH Journalists), paralajmëroi se ngacmimet dhe sulmet ndaj grave gazetare, veçanërisht online, janë modeli dominues i presionit dhe se këto sulme shpesh kanë një dimension të fortë gjinor. Siç theksoi ajo, “forma më e zakonshme e presionit është ngacmimi, kryesisht online,” ndërsa sulmet përfshijnë “fyerje të seksualizuara, sulme ndaj pamjes dhe jetës private, si dhe përpjekje për të diskredituar punën profesionale.” Sipas të dhënave të paraqitura, pothuajse gjysma e rasteve të regjistruara që përfshijnë gra gazetare përmbajnë elemente të qarta gjinore, duke treguar se ato janë në shënjestër “jo vetëm për atë që raportojnë, por për atë që janë.”
Si një hap të rëndësishëm përpara, ajo veçoi ndryshimet ligjore në Federatën e BiH, ku në vitin 2025 ngacmimi online dhe dhuna psikologjike u njohën si vepra penale, me njohjen e qartë të platformave digjitale si mjete për kryerjen e veprave penale. Kjo, sipas saj, është veçanërisht e rëndësishme sepse “rreth 70 për qind e sulmeve ndodhin online.”
Megjithatë, ajo vlerësoi se përparimet individuale ligjore ende nuk kanë çuar në mbrojtje sistemike. Shumica e organizatave mediatike, sipas saj, “nuk kanë protokolle të brendshme sigurie” ose mbështetje të strukturuar, duke lënë gazetaret shpesh të vetme dhe të varura nga shoqëria civile dhe rrjetet joformale të mbështetjes.
Në Serbi, gratë gazetare ishin objekt i sulmeve fizike, përfshirë edhe sulme nga policia
Marija Babić, juriste dhe hulumtuese në Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, tha se gratë gazetare në Serbi ishin në shënjestër të sulmeve fizike në një numër të madh rastesh gjatë vitit të kaluar. Veçanërisht shqetësues, theksoi ajo, është fakti se në disa raste sulmuesit ishin vetë punonjës policie. “Vitin e kaluar, NUNS regjistroi 77 raste që përfshijnë sulme ndaj gazetarëve dhe grave gazetare nga policia, mosreagim në rastet kur gazetarët u sulmuan, ose ndalime të pabazuara. Nga ky numër, 26 u kryen ndaj grave gazetare,” tha Babić.
Ajo gjithashtu vuri në dukje problemin e mosraportimit të kërcënimeve, veçanërisht te gratë gazetare që punojnë në komunitete lokale. Siç theksoi, përveç mungesës së besimit në institucione, gazetaret lokale shpesh kanë frikë se raportimi i një rasti do t’i ekspozojë ndaj pasojave shtesë në komunitetet ku jetojnë dhe punojnë. Ajo nënvizoi veçanërisht faktin se një numër më i madh sulmesh online drejtohen ndaj grave sesa ndaj burrave.
Babić gjithashtu iu referua rënies së veprimit institucional kur bëhet fjalë për sulmet ndaj grave gazetare. “Vitin e kaluar pati vetëm një dënim në një rast që përfshinte sulme ndaj grave gazetare,” tha Babić, duke shtuar se pandëshkueshmëria mbetet një nga problemet kryesore.
Në Mal të Zi, më shumë se gjysma e sulmeve të regjistruara përfshinin gra gazetare
Marijana Camović Veličković, hulumtuese në Sindikatën e Mediave të Malit të Zi, tha se gjatë vitit 2025 gratë gazetare morën mesazhe kërcënuese dhe ngacmuese, si dhe komente publike në profilet e tyre private në rrjetet sociale dhe përmes email-it, ndërsa katër raste përmbanin elemente gjinore. Camović Veličković theksoi veçanërisht rastet afatgjata të mbrojtjes policore. “Në Mal të Zi kemi dy raste në të cilat gratë gazetare kanë pasur mbrojtje policore për vite me radhë, ndërsa shkaku mbi të cilin e morën atë mbrojtje ende nuk është zgjidhur,” tha ajo. Deri në mars 2025, shtoi ajo, edhe një gazetare tjetër kishte mbrojtje policore, por ajo u ndërpre jo sepse arsyet për mbrojtje kishin pushuar së ekzistuari, por sepse policia nuk kishte mjaftueshëm oficerë në dispozicion për atë qëllim.
Duke folur për reagimin e shtetit, Camović Veličković tha se policia dhe prokuroria kishin nisur procedura kundër sulmuesve dhe se katër raste deri tani kishin marrë epilog gjyqësor përmes vendimeve të shkallës së parë në gjykatën për kundërvajtje. Dënimi më i lartë i shqiptuar ishte nëntë muaj burg për rrezikim të sigurisë, në një rast ku një gazetareje iu tha: “Kujdes se mos merr një plumb.” Megjithatë, ajo paralajmëroi se problemet mbeten të pazgjidhura. “Ka pasur përparim në atë që rastet po zgjidhen më shpejt, por problemi është se ende ka një numër të madh rastesh, ndërsa në rastet e pazgjidhura nuk po ndodh asgjë,” tha Camović Veličković.
Rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë po fillojnë të trajtohen si prioritet
Xhemajl Rexha tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës synon të ofrojë mbrojtje për të gjithë gazetarët, me vëmendje të veçantë për sigurinë e grave gazetare, të cilat shpesh janë të ekspozuara ndaj formave shtesë të presionit. Siç theksoi ai, një rrjet i grave gazetare është themeluar brenda asociacionit dy vite më parë, në mënyrë që koleget të kenë një hapësirë shtesë për mbështetje të ndërsjellë, diskutim dhe reagim ndaj problemeve me të cilat përballen. Rexha theksoi se mbrojtja e grave gazetare nuk është vetëm një çështje që u përket grave në profesion, por “një luftë e përbashkët për të drejtat themelore të njeriut dhe mbrojtjen e lirive të medias,” në të cilën edhe aleatët meshkuj luajnë një rol të rëndësishëm.
Ai gjithashtu vuri në dukje pozitën e gazetarëve nga komunitete të ndryshme etnike, veçanërisht kolegëve serbë nga veriu i Kosovës, të cilët, sipas tij, u ekspozuan ndaj kërcënimeve gjatë vitit 2025 për shkak të raportimit të tyre. Si zhvillim pozitiv, ai përmendi një strategji të re sipas së cilës rastet që përfshijnë gazetarë po fillojnë të trajtohen si prioritet. “Po fillojmë të shohim shenja pozitive në zgjidhjen e këtyre rasteve,” tha Rexha, duke veçuar shembullin e një procedure ku një person që kërcënoi një grup gazetarësh në një sallë gjyqi, përfshirë edhe një gazetare, u dënua brenda 45 ditësh.
Në Shqipëri, presionet ndaj grave gazetare janë sistemike, jo vetëm fizike
Blerjana Bino, hulumtuese nga Shqipëria, vlerësoi gjithashtu se sulmet ndaj grave gazetare në atë vend nuk drejtohen vetëm ndaj punës së tyre profesionale, por shpesh shtrihen edhe në jetën e tyre private dhe familjare, si dhe në rolin e tyre në shoqëri dhe debatin publik. Siç theksoi ajo, rreziku për gratë gazetare në Shqipëri më së shpeshti nuk është dhuna fizike e drejtpërdrejtë, por është “sistemik, strukturor dhe thellësisht i rrënjosur në ekosistemin e mënyrës se si funksionojnë mediat.” Sipas saj, ngacmimet online, sulmet mizogjene, fushatat e koordinuara të shpifjes, gjuha e seksualizuar dhe kërcënimet që përfshijnë anëtarë të familjes synojnë të frikësojnë gratë gazetare, të delegjitimojnë punën e tyre dhe t’i shtyjnë ato jashtë hapësirës publike dhe gazetarisë.
Bino tha se gjatë vitit 2025 u regjistruan 13 raste që synonin drejtpërdrejt gratë, me gjithsej 15 viktima, por paralajmëroi se hulumtimet, grupet fokusuese dhe intervistat tregojnë se numri real i rasteve është shumë më i lartë, sepse shumë sulme janë të normalizuara dhe nuk raportohen. Ajo theksoi veçanërisht se në fillim të vitit 2026 është vërejtur një zhvendosje drejt modeleve më të strukturuara të presionit në mjedisin digjital, politik dhe profesional. Këto modele, sipas saj, veprojnë së bashku me presionin politik, paditë SLAPP, taktikat e shpifjes dhe reagimet e dobëta institucionale. “Sulmet online dhe ato tradicionale janë më të dukshme, por ato funksionojnë së bashku me presionin politik, paditë SLAPP, taktikat e shpifjes dhe reagimet e dobëta institucionale,” theksoi Bino.
Gratë gazetare sulmohen si gazetare dhe si gra
Monika Kutri nga Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë vlerësoi se sulmet ndaj grave gazetare në Kroaci pothuajse gjithmonë kanë edhe një dimension gjinor. “Gazetarët sulmohen gjithmonë si gazetarë, ndërsa gratë gazetare sulmohen gjithmonë si gra,” tha Kutri. Siç shpjegoi ajo, gratë gazetare nuk sulmohen vetëm për shkak të punës që bëjnë; sulmet e tilla pothuajse gjithmonë përfshijnë komente për pamjen e tyre, moshën, fëmijët apo jetën private.
Ajo tha se në Kroaci vitin e kaluar, duke përfshirë kërcënimet drejtuar redaksive, u regjistruan gjithsej 30 kërcënime dhe sulme, por paralajmëroi se ky numër nuk pasqyron përmasën reale të problemit. “Mendoj se kjo nuk është as një e treta e asaj që ndodh realisht, sepse njerëzit nuk raportojnë,” tha Kutri, duke shtuar se shumë gazetarë i perceptojnë sulmet si pjesë të punës dhe i raportojnë vetëm kur kërcënimet bëhen seriozisht kërcënuese për jetën. Ajo theksoi veçanërisht se vitin e kaluar Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë filloi t’i kushtojë më shumë vëmendje dhunës dhe presioneve brenda redaksive. “E kuptuam se gratë gazetare shumë shpesh janë viktima edhe brenda redaksive,” tha ajo.
Duke folur për ndjekjen penale të rasteve, Kutri tha se policia zakonisht e bën pjesën e saj të punës, por se problemet lindin në nivelin e prokurorisë dhe gjykatave. Sipas saj, prokuroria shpesh vlerëson se nuk ka elemente të veprës penale, ndërsa procedurat gjyqësore zvarriten.
Në Maqedoninë e Veriut, ligjet ekzistojnë, por mungon reagimi i shpejtë dhe koordinimi institucional
Milan Spirovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut paralajmëroi se një nga problemet kryesore është normalizimi i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj grave gazetare. Ai gjithashtu vuri në dukje se kërcënimet në rrjetet sociale shpesh nuk raportohen sepse gratë gazetare besojnë se “kërcënimi do të kalojë pas tre ditësh.” Sipas gjetjeve për vitin 2025, ngacmimi online me bazë gjinore, dhuna digjitale dhe sulmet e koordinuara me retorikë gjinore përfaqësojnë kërcënimet më serioze për gratë gazetare në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se këto sulme nuk janë incidente të izoluara, por “një model strukturor dhe i vazhdueshëm që ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e grave gazetare për të punuar lirshëm dhe në mënyrë të sigurt.”
Spirovski theksoi se problemi nuk është mungesa e plotë e ligjeve, por zbatimi i dobët i tyre dhe koordinimi i pamjaftueshëm institucional. Ai vuri në dukje reagimet e ngadalta, të fragmentuara dhe reaktive të institucioneve, si dhe nivelin e ulët të besimit të grave gazetare në sistem.
Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve: Serbia shënon rënien më të madhe në rajon
Rezultatet e hulumtimit “Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve” për vitin 2025 u prezantuan gjithashtu në konferencë.
Fillimisht, studiuesja kryesore Snežana Trpevska përmblodhi rezultatet e hulumtimit për të gjitha vendet e Rrjetit SafeJournalists, pas së cilës studiuesit folën për veçoritë specifike të secilit vend.
Nga të gjitha vendet, Serbia shënoi rënien më të madhe, si dhe rezultatin më të ulët. Krahasuar me vitin 2024, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rënie më të vogla, ndërsa indeksi mbeti i njëjtë në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas këtij hulumtimi, situata në Shqipëri dhe Kosovë është disi më e mirë se në vitin 2024.

Burimi: SafeJournalists
Presionet në Shqipëri janë sistemike, por shpesh të padukshme në statistika
Blerjana Bino shpjegoi se Shqipëria duket më mirë se vendet e tjera të rajonit në disa indikatorë, sepse dhuna fizike dhe ndalimet e paligjshme të gazetarëve nuk janë një problem sistemik atje. Megjithatë, ajo paralajmëroi se kjo nuk do të thotë që gazetarët dhe punonjësit e medias veprojnë në një mjedis më të sigurt apo më mbështetës. “Natyra e presionit është e ndryshme – është më e nënkuptuar, indirekte, por më sistemike dhe në masë të madhe e normalizuar me kalimin e kohës si diçka që vjen me profesionin,” tha Bino.
Sipas saj, gazetarët në Shqipëri përballen me presion afatgjatë përmes ndërhyrjes politike, varësisë ekonomike, kontrollit editorial dhe gjithnjë e më shumë përmes dhunës së lehtësuar nga teknologjia.
Duke folur për mbledhjen e të dhënave, Bino theksoi se institucionet ende nuk kanë një sistem të standardizuar të mbajtjes së evidencave, gjë që çon në mospërputhje mes të dhënave të policisë, prokurorisë dhe shoqërisë civile.
Kroacia: Policia i regjistron rastet, prokuroria mbetet hallka e dobët
Monika Kutri tha se policia në Kroaci regjistron të gjitha rastet që raportohen tek ajo, por se veprimi i saj nuk është i njëjtë në të gjithë vendin. Ajo kujtoi se protokollet e nënshkruara nga Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë dhe Sindikata e Gazetarëve Kroatë me policinë pjesërisht burojnë nga puna e Rrjetit SafeJournalists dhe nga hulumtimet e mëparshme që dokumentuan problemet kryesore. “Kishim të dhëna të dokumentuara që tregonin se cili ishte problemi ynë, dhe kjo ishte një nga avantazhet kryesore,” tha Kutri, duke shtuar se situata është e mirë në nivel kombëtar, por se ende ka shumë probleme në nivel lokal.
Ajo gjithashtu theksoi se Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë merr vetëm të dhëna statistikore nga institucionet, pa shpjegime se cilave raste konkrete u referohen, gjë që e bën të vështirë krahasimin e tyre me bazën e vet të të dhënave. Ajo veçoi punën e prokurorisë si problemin më të madh, sepse, sipas saj, efikasiteti i sistemit bie kur një rast arrin në atë fazë, veçanërisht në rastet e kërcënimeve. “Ekziston një prag i lartë për veprën penale të kërcënimit dhe është e vështirë të provohet se një gazetar ka qenë realisht i rrezikuar në një rast të tillë,” tha Kutri, duke shtuar se prokuroria nuk u përgjigjet as kërkesave për hulumtim, duke deklaruar se nuk ka një departament të veçantë që merret me gazetarët.
Mali i Zi: Një mekanizëm i ri mbrojtjeje ka filluar të funksionojë, por nevojitet institucionalizim
Marijana Camović Veličković tha se në fund të vitit të kaluar Qeveria e Malit të Zi miratoi një vendim për krijimin e një grupi pune për sigurinë e gazetarëve, i përbërë nga përfaqësues të policisë, Prokurorisë së Lartë të Shtetit, Sindikatës së Mediave, Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, si dhe një jurist dhe një psikolog. Mekanizmi është projektuar në mënyrë që, pas një sulmi, të kontaktohet kryetari i grupit të punës, i cili më pas informon policinë dhe prokurorinë, ndërsa gazetarëve u ofrohet menjëherë ndihmë juridike dhe psikologjike falas. “Që nga krijimi i këtij mekanizmi, ka pasur nëntë thirrje, kështu që ai ka filluar të funksionojë,” tha Camović Veličković.
Ajo theksoi se qëllimi për këtë vit është që grupi i punës të gjejë një mënyrë për ta institucionalizuar mekanizmin, pra për ta bërë atë një organ të përhershëm dhe një njësi buxhetore në buxhetin e Malit të Zi, dhe jo diçka që varet nga vullneti i Qeverisë. Sipas saj, aktualisht bëhet fjalë vetëm për fonde minimale dhe mekanizmi mbështetet kryesisht në kapacitetet e Sindikatës së Mediave. “Kemi krijuar gjithashtu një linjë falas SOS për viktimat e sulmeve dhe do të donim që ky sistem të institucionalizohej,” tha ajo.
Kosova: Bisedimet me institucionet kanë sjellë përparim konkret
Xhemajl Rexha tha se në Kosovë, diskutimet me policinë, prokurorinë dhe gjykatat për mbrojtjen e gazetarëve në vitet e kaluara janë zhvilluar kryesisht në mënyrë joformale, por se këto kontakte me kalimin e kohës kanë çuar në përparim konkret – emërimin e personave përgjegjës për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve brenda policisë dhe prokurorisë. Siç theksoi ai, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tani ka një person kontakti në zyrën e prokurorisë në Prishtinë, të cilit mund t’i drejtohet drejtpërdrejt, edhe pse mekanizmi mbetet kryesisht joformal. “Ne duam t’i bëjmë gjërat shpejt, të mund t’i telefonojmë, dhe ata janë shumë të përgjegjshëm,” tha Rexha, duke shtuar se është e rëndësishme që përfaqësuesit e institucioneve kanë filluar t’i trajtojnë më seriozisht rastet që përfshijnë gazetarë.
Si një sukses të madh, ai veçoi strategjinë e miratuar në janar, sipas së cilës Këshilli Prokurorial i Kosovës për herë të parë parashikoi në një dokument të shkruar trajtimin me prioritet të rasteve që përfshijnë gazetarë.
Maqedonia e Veriut: Pikat e kontaktit kanë përshpejtuar reagimin, por rastet e vjetra mbeten të pandëshkuara
Milan Spirovski tha se shoqata ushtron presion të përditshëm ndaj prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme për të përmirësuar komunikimin dhe reagimin institucional në raste konkrete të sulmeve ndaj gazetarëve. Siç theksoi ai, Maqedonia e Veriut ka një sistem të pikave të kontaktit në prokurori dhe në Ministrinë e Brendshme, me të cilët janë në komunikim të rregullt. “Presioni nga shoqata jonë kontribuoi që këto raste të zgjidhen në kohë rekord,” tha Spirovski, duke iu referuar dy sulmeve serioze fizike të vitit të kaluar ku institucionet vepruan sipas detyrës zyrtare.
Megjithatë, Spirovski paralajmëroi se problemi kryesor është pandëshkueshmëria në rastet e vjetra. Sipas tij, që nga viti 2014 ka pasur 35 raste, nga të cilat vetëm rreth 15 për qind kanë pasur një epilog gjyqësor. “Kjo është shumë pak,” vlerësoi ai. Ai shtoi se, me iniciativën e shoqatës, Ministria e Brendshme në janar 2026 njoftoi krijimin e një Komiteti Kombëtar për Sigurinë e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias, ndërsa u formua edhe një grup pune me Qeverinë për direktivën kundër SLAPP, duke pasur parasysh rritjen e këtyre padive.
BiH: Hapat e parë drejt ndjekjes penale të dhunës online
Maja Radević nga Bosnja dhe Hercegovina (BH Journalists) tha se ndryshimet në Kodin Penal vitin e kaluar mundësuan për herë të parë ndjekjen penale të dhunës së kryer përmes teknologjive digjitale, pra dhunës online, përmes dispozitave që lidhen me dhunën psikologjike. Siç shpjegoi ajo, çdo abuzim që cenon integritetin psikologjik të një personi është i dënueshëm, me dënime që variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. “Në Republikën Srpska ende nuk ekziston një ligj i vetëm që do të lejonte ndjekjen penale të dhunës online,” tha Radević, duke shtuar se raste të tilla ndiqen në bazë të dispozitave të tjera ligjore.
Duke folur për rastin e parë të zgjidhur mbi bazën e dispozitës së re ligjore, Radević theksoi se autori u arrestua jo për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj grave gazetare, por për shkak të degradimit publik të vazhdueshëm për muaj të tërë, fyerjeve brutale dhe sharjeve në rrjetet sociale, të cilat u shpërndanë më tej nga ndjekësit e tij, duke krijuar një efekt viral dhe komente shtesë fyese. Ajo paralajmëroi se një pjesë e publikut dhe disa media e paraqitën gabimisht këtë rast si kufizim të lirisë së shprehjes ose si futje e një “delikti verbal”. “Ky rast tregon shumë për atë se sa të papërgatitur jemi si shoqëri për t’u përballur me dhunën online, apo sa pak të vetëdijshëm jemi për pasojat që ajo mund të shkaktojë,” tha Radević, duke shtuar se gratë gazetare nuk raportojnë pothuajse gjysmën e këtyre rasteve sepse i perceptojnë si pasojë të pritshme të punës së tyre.
Đurić: Mekanizmat nuk janë garanci pa institucione të pavarura
Rade Đurić nga NUNS vlerësoi se në Serbi sistemi për mbrojtjen e gazetarëve nuk ka funksionuar kurrë realisht në praktikë, edhe pse në letër duket i mirë. Siç tha ai, problemi nuk është vetëm ekzistenca e rregulloreve, por zbatimi i tyre, interpretimi i kërcënimeve dhe sulmeve, si dhe mungesa e ndjeshmërisë te policia dhe prokurorët. “Situata është shumë mirë e rregulluar në letër, dhe pastaj gjithçka bie dhe kupton se ekziston një boshllëk i madh ligjor në interpretimin e asaj që përbën kërcënim dhe asaj që përbën sulm,” tha Đurić, duke paralajmëruar se qindra kallëzime penale janë hedhur poshtë në vitet e fundit.
Ai theksoi se ekzistenca e mekanizmave në vetvete nuk është garanci për mbrojtje, sidomos në kushte të presionit politik, zbatimit selektiv të rregulloreve dhe rasteve gjithnjë e më të shpeshta të ndalimit të gazetarëve. Sipas tij, numri i rasteve të regjistruara nuk është përfundimtar sepse shumë incidente nuk raportohen ose NUNS nuk ka pasur qasje në to, ndërsa numri real mund të jetë dukshëm më i lartë. “Ekzistenca e çfarëdo mekanizmi nuk është absolutisht garanci,” tha Đurić, duke theksuar nevojën për ndarje të plotë të ndikimit mes pushteteve, trajnim serioz për prokurorët dhe policinë, si dhe kuptim të rolit të gazetarëve dhe pasojave që lënë kërcënimet dhe sulmet.
Më shumë gra në media, por jo më shumë barazi
Në konferencën e SafeJournalists u prezantuan dy studime mbi pozitën e grave në media: një studim mbi pozitën e grave gazetare dhe punonjëseve të medias në Serbi dhe rajon, i prezantuar nga profesorja Smiljana Milinkov e Fakultetit Filozofik në Novi Sad, si dhe rezultatet e projektit Global Media Monitoring Project mbi përfaqësimin e grave dhe burrave në lajme në Serbi, të prezantuara nga profesorja në pension Snježana Milivojević e Fakultetit të Shkencave Politike. Të dy studimet tregojnë se prania më e madhe e grave në media nuk ka sjellë barazi reale.
Hulumtimi i prezantuar nga profesorja Smiljana Milinkov tregon se përfaqësimi më i madh i grave në media nuk ka çuar në barazi të vërtetë në redaksi. Gratë janë më të pranishme në profesion, por ende nuk kanë ndikim të barabartë në vendimmarrjen editoriale, avancimin dhe kushtet e punës. Gjetjet tregojnë se dhuna, diskriminimi dhe pasiguria në punë nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një sistemi më të gjerë ku seksizmi dhe ngacmimi shpesh normalizohen përmes “shakave”, komenteve për pamjen, përjashtimit të grave nga temat e rëndësishme dhe dekurajimit të atyre që përpiqen të raportojnë dhunën. Gratë në fillim të karrierës, freelancere dhe punonjëset e medias me kontrata të pasigurta janë veçanërisht të cenueshme.
Sa i përket Serbisë, hulumtimi tregon se megjithëse gratë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të stafit të redaksive, pozita, pagat dhe ndikimi i tyre në politikat editoriale mbeten më pak të favorshme se ato të burrave. Gratë gazetare janë të ekspozuara ndaj kërcënimeve, sulmeve fizike, dhunës online, komenteve seksiste dhe ngacmimit seksual, ndërsa një pjesë e këtyre ngacmimeve ndodhin edhe brenda vetë redaksive, nga kolegët ose eprorët. Sulmet dhe ngacmimet më së shpeshti nuk raportohen për shkak të mungesës së besimit në institucione dhe procedurat e brendshme, frikës nga pasojat për punësimin, por edhe sepse përvoja të tilla për një kohë të gjatë janë trajtuar si diçka e zakonshme në profesion. Hulumtimi, prandaj, thekson nevojën për edukim shtesë, mbështetje dhe fuqizim të grave në media, si dhe krijimin e mjediseve redaksionale ku dhuna dhe diskriminimi diskutohen hapur, në vend që të mbulohen nga një kulturë heshtjeje.
Hulumtimi i prezantuar nga profesorja në pension Snježana Milivojević, në kuadër të Global Media Monitoring Project, tregon se bota mediatike ka ndryshuar ndjeshëm, por se pozita e grave në lajme ndryshon shumë ngadalë. Edhe pse gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, ato ende zënë një pjesë dukshëm më të vogël të dukshmërisë në hapësirën mediatike, veçanërisht në rolet e eksperteve dhe aktoreve në temat politike, ekonomike dhe ndërkombëtare. Gjetjet tregojnë se gratë janë më shpesh të pranishme përmes përvojës personale, njohurive joformale apo temave që lidhen me sferën private, ndërsa fushat e pushtetit dhe vendimmarrjes mbeten kryesisht të dominuara nga burrat. Një problem i veçantë është se lajmet që sfidojnë stereotipet gjinore mbeten të rralla, ndërsa mjedisi digjital po bëhet një hapësirë e rritjes së përshpejtuar të mizogjinisë dhe dhunës me bazë gjinore, e cila shpesh kalon edhe në botën fizike.
Sa i përket vetë profesionit, hulumtimi tregon se një numër më i madh i grave gazetare nuk nënkupton automatikisht barazi në sistemin mediatik. Gratë janë shumë të pranishme në raportim dhe në pozita fillestare, por ndikimi i tyre zvogëlohet në nivelet më të larta të vendimmarrjes, duke treguar ekzistencën e një “tavani të xhamit” dhe ndarje horizontale në redaksi. Profesorja Milivojević theksoi nevojën për një “resetim” dhe ndryshime më radikale në të gjithë sistemin mediatik si rekomandim kyç – nga organet rregullatore, bordet drejtuese dhe transmetuesit publikë, deri te arsimi, prodhimi i përmbajtjes dhe mbrojtja e grave gazetare. Rekomandimet përfshijnë masa për sigurinë dhe mirëqenien e grave gazetare, mbështetje për përmbajtje që promovon barazinë gjinore dhe një reagim më të fortë ndaj mizogjinisë online, seksizmit dhe dhunës me bazë gjinore.











