SafeJournalists: Jemi thellësisht të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të punës së gazetarëve dhe punonjësve të mediave në Ora Sh.a. në Shqipëri
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin e thellë për pretendimet e shkeljeve serioze të të drejtave të punës ndaj ish-gazetarëve dhe punonjësve të medias në Ora Sh.a., një transmetues në administrim shtetëror në Shqipëri që nga shtatori 2023.
Më 19 qershor 2025, dhjetë ish-punonjës të Ora Sh.a. paraqitën një ankesë zyrtare ndaj institucioneve shtetërore shqiptare, duke denoncuar shkelje sistematike të të drejtave të tyre të punës. Ata raportuan për pushime kolektive të paligjshme, duke theksuar se rreth 80 punonjës të medias u pushuan nga puna midis viteve 2024 dhe 2025 pa ndjekur procedurat ligjore të nevojshme, përfshirë dorëheqje të detyruara, ndërprerje të menjëhershme pa njoftim adekuat, dhe largim të papritur nga regjistrat zyrtarë të punës. Gjithashtu, ata pohuan se Ora Sh.a. nuk ka paguar në mënyrë sistematike kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën 2022-2025, në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjeve shqiptare Nr. 7703/1993 dhe Nr. 10383/2011. Për më tepër, ankesat shprehin shqetësim lidhur me përjashtimin e mundshëm nga procesi aktual i falimentimit të Ora Sh.a., duke frikësuar se kjo mund të rrezikojë të drejtën e tyre për të kërkuar pagat e papaguara, kompensimet dhe kontributet e sigurimeve të papaguara.
Ne shprehim shqetësim serioz për shkeljet e pretenduara të të drejtave të punës që prekin ish-punonjësit e Ora Sh.a., duke theksuar se kushte të qëndrueshme dhe të drejta pune janë thelbësore për gazetarët që të ushtrojnë në mënyrë të pavarur shërbimin ndaj interesit publik. Aktualisht, integriteti i tyre profesional, siguria financiare dhe mirëqenia personale janë seriozisht të rrezikuara. Për më tepër, ky rast nënvizon një model shqetësues të praktikave të pasigurta të punës në sektorin e medias në Shqipëri, ku disa media kanë dështuar të sigurojnë mbrojtjen e detyrueshme sociale dhe shëndetësore për gazetarët gjatë periudhës 2024-2025.
Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur dhe mbetet i angazhuar për t’i mbështetur ata në përpjekjet e tyre. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të kryejnë menjëherë një hetim të hapur dhe transparent mbi shkeljet e pretenduara të të drejtave të punës në Ora Sh.a. Institucionet shqiptare duhet të njohin dhe mbrojnë zyrtarisht ish-punonjësit si kreditorë të privilegjuar në procesin e falimentimit në vijim.
Rrjeti SafeJournalists do të mbajë të informuar palët kombëtare dhe ndërkombëtare mbi zhvillimet dhe do të ndjekë me kujdes situatën, duke ofruar përditësime të rregullta dhe duke lobuar për veprime të përshtatshme.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 23 qershor 2025
Association of Journalists of Kosovo
Association of Journalists of Macedonia
BH Journalists Association
Croatian Journalists’ Association
Independent Journalists’ Association of Serbia
Trade Union of Media of Montenegro











