SafeJournalists: Dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të Nova TV në Kroaci
Rrjeti SafeJournalists shpreh mbështetje të plotë për gazetarët e Nova TV, të cilët dje u përballën me një sulm brutal në komunën e Marinës, në Kroaci. Ky rrjet e dënon me forcë këtë akt dhune dhe kërkon që autoritetet të identifikojnë dhe të ndjekin penalisht sa më shpejt të gjithë personat e përfshirë në këtë sulm të rëndë ndaj gazetarëve.
Ngjarja lidhet me një reportazh të transmetuar të dielën në mbrëmje në rubrikën “Poziv”, ku u zbulua ndërtimi i një varreze të paligjshme në tokë private, pa pëlqimin e pronarit. Gjatë xhirimeve, biznesmeni Marijan Ugrina iu drejtua ekipit televiziv me kërcënime, duke u kërkuar të fiknin kamerat me fjalët: “Fikeni kamerën, do t’jua thyej kamerën”. Ndërkohë, kryetari i komunës, Ante Mamut, refuzoi të fliste me gazetarët, duke u justifikuar në mënyrë të paqartë se nuk ndihej mirë. Po atë ditë, ai u arrestua nga policia në lidhje me rastin e varrezës së paligjshme.
Një ditë pas transmetimit, Inspektorati Shtetëror urdhëroi mbylljen e varrezës. Por situata u tensionua edhe më shumë të hënën, më 4 maj, kur gazetarja Tea Johman Nitraj, së bashku me kameramanët Kristijan Janton dhe Tomislav Sladić, tentuan të raportonin drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.
Sipas dëshmisë së gazetares, në një moment u shfaqën rreth 15 persona që u vërsulën drejt saj, ndërsa kameramanët u përpoqën ta mbronin. Sulmuesit ua morën kamerat me forcë dhe i shtynë fizikisht gazetarët drejt automjetit të ekipit.
Akte të tilla janë një goditje serioze ndaj lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve që të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të japin një mesazh të qartë se dhuna ndaj gazetarëve nuk do të tolerohet.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 5 maj 2026
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi











