SafeJournalists: Dënojmë kërcënimet dhe ngacmimet mizogjene ndaj gazetares Maria Popović në Serbi
Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm kërcënimet, fyerjet dhe ngacmimet me bazë gjinore të drejtuara ndaj gazetares dhe redaktores së portalit Pravo u centar nga Lazarevci, Maria Popović, pas raportimit të saj nga një tubim i Partisë Progresive Serbe këtë javë në atë komunë të Beogradit.
Gjatë raportimit nga ngjarja, një person e filmoi gazetaren me telefon celular duke u paraqitur rrejshëm si punonjëse e një televizioni lokal, ndërsa një burrë pranë saj bëri komente të papërshtatshme duke përmendur Kroacinë, HRT-në dhe tema të ngjashme. Pas publikimit të videos në faqen e medias në Instagram, pasoi një valë komentesh shqetësuese, fyese dhe mizogjene, të drejtuara ndaj gazetares, djemve të saj dhe familjes.
Veçanërisht shqetësues është fakti se ndër këto mesazhe është publikuar edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë, që paraqet rrezik serioz për sigurinë e gazetares Maria Popović. Një mesazh kërcënues është postuar tri ditë më parë nga llogaria në Instagram “goran39528”, i cili përmban një sërë fyerjesh dhe gjuhe mizogjene. Mesazhe të tilla nuk përbëjnë vetëm gjuhë urrejtjeje dhe dhunë online me bazë gjinore, por edhe një përpjekje për të frikësuar gazetaren për shkak të punës së saj profesionale dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Kërcënimet janë raportuar në Prokurorinë për Krime të Teknologjisë së Lartë dhe ne presim një reagim të shpejtë dhe efektiv nga institucionet kompetente, përfshirë identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve. Autoritetet duhet të tregojnë qartë se kërcënimet, ngacmimet me bazë gjinore dhe dhuna digjitale ndaj gazetareve nuk do të tolerohen.
Rrjeti SafeJournalists rikujton se gazetaret në rajon po përballen gjithnjë e më shumë me sulme të koordinuara digjitale, fyerje mizogjene dhe kërcënime për dhunë, veçanërisht kur raportojnë për tema politikisht të ndjeshme dhe çështje me interes publik. Këto sulme synojnë t’i frikësojnë, diskreditojnë dhe pengojnë në ushtrimin e detyrës së tyre profesionale.
U bëjmë thirrje institucioneve në Serbi që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e Maria Popović dhe për të garantuar kushte në të cilat gazetarët mund të punojnë pa frikë nga dhuna, kërcënimet dhe fushatat e targetimit.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 23 prill 2026
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave e Malit të Zi











