SafeJournalists: Dënojmë fushatën denigruese kundër gazetarëve që raportojnë mbi SPAK-un, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz për fushatën e vazhdueshme denigruese online dhe ngacmimet e koordinuara që synojnë gazetaret Anila Hoxha dhe Klodiana Lala, raportimet e të cilave mbi Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar janë qartësisht në interes publik.
Shkalla e angazhimit dhe toni degradues, me bazë gjinore, i një pjese të madhe të komenteve tejkalojnë kufijtë e kritikës legjitime dhe tregojnë një model intimidimi që rrezikon të krijojë një efekt frikësues ndaj gazetarisë hulumtuese. Komentet publike të formuluara në këtë mënyrë mund të inkurajojnë më tej ngacmime, sjellje armiqësore apo përpjekje për të mobilizuar sulme online kundër gazetarëve.
Gazetarët që mbulojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar janë veçanërisht të ekspozuar ndaj presioneve dhe narrativave hakmarrëse për shkak të ndjeshmërisë dhe ndikimit të raportimeve të tyre. Insinuatat e seksualizuara, sulmet ndaj reputacionit dhe abuzimi i koordinuar online minojnë jo vetëm sigurinë dhe dinjitetin e gazetareve në fjalë, por edhe llogaridhënien demokratike dhe besimin publik në mbikëqyrjen e pavarur të aktorëve të pushtetshëm.
Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet të plotë me Anila Hoxhën, Klodiana Lalën dhe të gjithë gazetarët që punojnë në interes publik për të mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet. U bëjmë thirrje figurave publike dhe vetë profesionistëve të medias që të përmbahen nga retorika që nxit ngacmime, sulme me bazë gjinore apo fushata denigruese ndaj kolegëve. Mosmarrëveshjet profesionale nuk duhet kurrë të kalojnë në fushata intimidimi apo degradimi personal.
Gazetarët kanë një përgjegjësi të veçantë për të respektuar standardet etike dhe për të mbrojtur integritetin e profesionit. Normalizimi i taktikave denigruese ndaj reporterëve që mbulojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dobëson jo vetëm gazetarët individualë, por edhe besueshmërinë e medias në tërësi dhe funksionin e saj mbikëqyrës në një shoqëri demokratike.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje zyrtarëve publikë shqiptarë, aktorëve politikë, përfaqësuesve të mediave dhe institucioneve përkatëse që të distancohen qartë nga kjo retorikë dhe të kontribuojnë aktivisht në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për raportimin e pavarur.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën dhe mbetet i përkushtuar për të mbështetur gazetarët që përballen me presione dhe kërcënime gjatë ushtrimit të detyrave të tyre profesionale.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 26 shkurt 2026
Shoqata e Gazetarëve të BH-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave e Malit të Zi











