Lajmet

SafeJournalists, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe partnerët e EFJ në Shqipëri ngrenë alarmin për kërcënimet ndaj të drejtave të punëtorëve në ABC News Albania


3788-title

Rrjeti SafeJournalists, së bashku me Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), ngre alarmin mbi raportimet e fundit për shkelje të pretenduara të të drejtave të punës së gazetarëve në televizionin ABC News Albania, një prej televizioneve kryesore private në vend.

Informacioni i marrë nga një numër i konsiderueshëm gazetarësh tregon se drejtuesit e ABC News mund të kenë nisur në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim ndryshime në kontratat e punës, duke zëvendësuar kontratat e rregullta me marrëveshje me honorare (freelance). Këto ndryshime thuhet se kanë prekur deri në dhjetë gazetarë, përfshirë reporterë, korrespondentë dhe operatorë kamerash në të gjithë Shqipërinë. Për shkak të frikës nga ndëshkimi nga ana e menaxhmentit, aktorëve lokalë dhe raportimeve negative në media, gazetarët kanë kërkuar anonimat.

Sipas pretendimeve të gazetarëve, këto ndryshime janë komunikuar fillimisht në mënyrë joformale përmes platformave të mesazheve dhe më pas me email. Gjithashtu, jemi informuar për shqetësime lidhur me shkarkimin e papritur të disa operatorëve të kamerave, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në raportimet e përditshme të ABC News. Këto ndryshime të dyshuara në kontrata mund të cenojnë sigurinë e punës, stabilitetin ekonomik dhe mbrojtjen profesionale, duke i ekspozuar punonjësit e medias ndaj një presioni të shtuar financiar dhe social. Gazetarët kanë shprehur shqetësimin se masa të tilla do të ndikojnë negativisht në kushtet e punës dhe do t’i detyrojnë punonjësit të japin dorëheqjen.

Hezitimi i gazetarëve për të folur publikisht për shkak të frikës nga hakmarrja thekson më tej shqetësimet për një klimë pasigurie dhe presioni në disa pjesë të sektorit mediatik në Shqipëri.

Ne i bëjmë thirrje menaxhmentit të ABC News të japë menjëherë sqarime mbi ndryshimet e raportuara në kontratat e punës, të angazhohet në mënyrë transparente me punonjësit dhe të sigurojë përputhje të plotë me standardet kombëtare të punës.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës që të hetojë në mënyrë të thelluar dhe transparente këto raportime dhe të ndërmarrë masa për të mbështetur gazetarët dhe punonjësit e medias, të cilët meritojnë të punojnë në një mjedis të sigurt. Ne inkurajojmë gjithashtu Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) që të vlerësojë rreziqet që sjellin praktika të tilla të dyshuara për lirinë e medias, gazetarinë profesionale dhe pavarësinë redaksionale, duke siguruar respektimin e standardeve të promovuara nga Këshilli i Evropës.

Dialogu i Strukturuar për Median në Shqipëri duhet të përdorë menjëherë mekanizmat ekzistues dhe të propozojë rekomandime konkrete për të përmirësuar ndjeshëm të drejtat në punë dhe për të garantuar kushte të sigurta për gazetarët dhe profesionistët e medias. Gjithashtu, u bëjmë thirrje shoqatave të gazetarëve, organizatave mediatike, sindikatave, aktorëve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë që të tregojnë solidaritet aktiv me punonjësit e prekur të medias dhe të avokojnë së bashku për forcimin e standardeve të punës, në mënyrë që të sigurohet mbrojtje efektive e të drejtave të gazetarëve dhe promovimi i kushteve të denja të punës në gjithë sektorin mediatik shqiptar.

Rrjeti SafeJournalists dhe EFJ shprehin solidaritet të plotë me të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur nga kjo situatë. Rrjeti SafeJournalists do të ndjekë nga afër zhvillimet në lidhje me këtë çështje dhe mbetet plotësisht në mbështetje të gazetarëve dhe profesionistëve të medias në Shqipëri.

Rrjeti Safe Journalist

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Medias së Malit të Zi

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)

Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)

Share this Post: