Rrjeti SafeJournalists Dënon Bllokadën Policore ndaj Kanalit Më të Madh Informativ në Shqipëri, News24
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për operacionin policor të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025 ndaj Focus Media Group në Tiranë, përkatësisht ndaj News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Sipas komunikatës zyrtare të Focus Media Group, në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi godinën ku operojnë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike, duke i lënë kështu News24 pa sinjal transmetimi. Gazetarëve iu mohua hyrja në redaksi, duke ndaluar në mënyrë efektive punën e disa ekipeve redaktuese dhe duke privuar publikun nga qasja në përmbajtjen e tyre në eter. Nga ora 10:00 e mëngjesit, News24 rifilloi transmetimin përmes kanalit të vet në YouTube.
Raportohet se godina është objekt i një mosmarrëveshjeje pronësore me kompaninë shtetërore të armatimit KAYO, e cila iu dha pronësia më parë gjatë këtij viti. Rrjeti SafeJournalists kujton se, pavarësisht nëse ndodhin mosmarrëveshje të tilla, çdo veprim që ndikon në media duhet të ndjekë procedurat e duhura ligjore, të bazohet në një mandat të qartë ligjor dhe të garantojë ndërhyrje minimale në punën gazetareske dhe të drejtën e publikut për informim. Duhet dhënë gjithashtu kohë e mjaftueshme për mediat që të zhvendosen dhe të sigurojnë ambiente alternative, për të garantuar vijueshmërinë e punës dhe shmangur ndërprerjen e saj.
Sipas informacioneve publike të deritanishme nga përfaqësuesit e Focus Media Group, nuk ka pasur njoftim paraprak ndaj mediave, asnjë vendim gjyqësor apo urdhër ligjor në dispozicion publik që të justifikojë ndërprerjen e energjisë dhe bllokadën, ndërsa operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të një të shtune, kur prania e stafit dhe vëmendja publike janë zakonisht të ulëta. Në momentin e nxjerrjes së këtij deklarate, Policia e Shtetit apo autoritetet e tjera nuk kanë dhënë asnjë shpjegim zyrtar për bazën ligjore, motivet apo kohëzgjatjen e veprimit.
Pavarësisht çështjeve të mundshme që lidhen me Focus Media Group, qëndrimin e tyre redaktues apo sfidat e brendshme, ndërhyrja e sotme e paprecedentë është shqetësuese dhe kërkon vëmendje urgjente nga të gjithë aktorët që angazhohen për mbrojtjen e lirisë së medias dhe proceseve demokratike.
I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të heqin menjëherë bllokadën, të rikthejnë energjinë elektrike dhe të lejojnë hyrjen e plotë dhe të pakufizuar të gazetarëve në vendet e tyre të punës. Autoritetet duhet të japin një shpjegim të qartë publik për bazat ligjore dhe autorizimin e këtij veprimi. Ne kërkojmë që çdo masë e ardhshme ndaj mediave të zbatohet rreptësisht sipas procedurave ligjore, nën mbikëqyrje gjyqësore dhe me parimin e ndërhyrjes minimale në aktivitetin gazetaresk.
Ndërsa përgjegjësia kryesore i takon autoriteteve për respektimin dhe mbrojtjen e lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim, ne nxisim edhe pronarët dhe aksionarët e mediave dhe të ambienteve të përfshira të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe urgjente për të gjetur një zgjidhje që mbron punën, sigurinë dhe stabilitetin e gazetarëve, dhe garanton akses të pandërprerë të publikut në informacion.
Ne qëndrojmë në solidaritet me gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur nga kjo situatë në News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 9 gusht 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikatë e Mediave të Malit të Zi











