Realiteti i padukshëm i dhunës me bazë gjinore në Kosovë
Shkruan: Edona Shala
Teksa flasim për dhunën me bazë gjinore, zakonisht mendojmë për dhunën ndaj grave, e në një masë të vogël ndoshta edhe ndaj burrave.
Që nuk është gabim, sepse në Kosovë, vetëm nga janari deri në nëntor 2024, janë raportuar 2,585 raste të dhunës, ku 2,055 viktima janë gra.
E nga viti 2010 deri në prill 2024, janë vrarë 58 gra, kryesisht nga bashkëshortët, baballarët ose djemtë.
Megjithatë, dhuna me bazë gjinore nuk kufizohet vetëm te gratë dhe burrat. Ajo prek edhe individë që nuk përshtaten me ndarjet binare të seksit dhe gjinisë, të cilat janë ende normë në vendin tonë. Ky kufizim rrjedh nga fakti që strukturat shoqërore dhe ligjore e trajtojnë seksin dhe gjininë si kategori të pandryshueshme dhe binare.
Ligji për Barazi Gjinore për shembull ndonëse synon të luftojë pabarazinë, bazohet kryesisht në binarizmin gjinor dhe nuk adreson qartë realitetet fluide apo diversitetin gjinor.
Ky kufizim pengon njohjen e përvojave të individëve LGBTIQ+ që përballen me diskriminim dhe dhunë, duke forcuar një qasje të ngushtë dhe të kufizuar mbi identitetin gjinor dhe seksualitetin.
Përmes një përgjigje me shkrim Policia e Kosovës në Prishtinë tregon se gjatë vitit 2023-2024 janë raportuar 5 raste të dhunës ndaj komunitetit LGBTIQ+. Ndërsa potencuan se se nuk ka një kategorizim të veçantë të rasteve të dhunës me bazë gjinore që përfshijnë individë LGBTIQ+.
Por, ky nuk është tregues i qartë i gjendjes aktuale.
Rina Kika, avokate dhe hulumtuese e të drejtave të njeriut shpjegon se Kosova ka bërë shumë hapa pozitivë për përmirësimin e kuadrit ligjor që e rregullon mbrojtjen nga dhuna që përjetojnë personat për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Për shembull, në Kodin Penal që nga viti 2019, konsiderohet si rrethanë rënduese kryerja e veprave penale që janë të motivuara nga orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Madje një numër i veprave penale e përfshijnë këtë motiv brenda definicionit të tyre, psh. sulmi, lëndimi trupor, vrasja, etj.
Përpos kësaj, Ligji i ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në bazë gjinore, i njeh si viktima të ndjeshme personat LGBTQ+. Por sipas saj, “Ndërrimi i bazës ligjore është vetëm një hap në garantimin dhe mbrojtjen e personave LGBTQ+ prej dhunës.”
Pengesat ligjore dhe zbatimi në Kosovë
Sipas hulumtimit të Amnesty International (2023), ka mospërputhje në zbatimin e ligjeve kundër diskriminimit nga institucionet, veçanërisht në rastet që përfshijnë dhunën me bazë gjinore. Individët LGBTIQ+ shpesh injorohen, keqtrajtohen dhe ritraumatizohen.
Raporti Vjetor i CSGD (2023) tregon se pavarësisht mbrojtjes ligjore ekzistuese, përgjigja institucionale mbetet e pamjaftueshme, duke munguar shërbimet që adresojnë cenueshmëritë specifike të këtyre individëve ndaj dhunës me bazë gjinore.
Dhuna psikologjike po ashtu, përmes ngacmimeve, kërcënimeve dhe përjashtimit shoqëror, prek rëndë mirëqenien e individëve LGBTIQ+, ndërsa mungesa e statistikave dhe të dhënave të sakta për këto sfida e thellon më tutje problemin.
Dhuna me bazë gjinore përkeqësohet kur ndërthuret me homofobinë dhe transfobinë, sipas analizës për dhunën me bazë gjinore ndaj komuniteteve LGBTIQ+ nga CEL.
Në një bisedë anonime me një individ gej, i cili gjithashtu performon si karakter drag, del në pah një realitet i rëndë për personat LGBTIQ+ në Kosovë.”Drag osht mënyra jem me shpreh lirinë që nuk muj me e pas në përditshmëri," thotë ai. Por pas shkëlqimit të skenës, ai përballet me sfida të tjera.
Si djalë i një familje tradicionale prej një qyteti të vogël në Kosovë, shpesh është dashtë me duru dhunë psikologjike edhe kërcënime fizike për shkak të orientimit seksual edhe asaj qysh e shpreh veten. "M’ka ra m’i ndërtu dy botë," thotë ai. "Nji ku jam qysh po dojnë prindët me m’pa, e nji tjetër ku jam unë, tamam unë."
Kur ai paraqitet si drag, rreziqet shumëfishohen për shkak të dukshmërisë së tij. "Kur dal në drag, hala ma shumë ma qesin inatin e ma bojnë llaf, njerëzit veç m’sulmojnë me fjalë," thotë ai. "Ngucjet e ofendimet i ndij përditë, po ndonjëherë edhe m’ka ra me ju tutë përballjes me dhunë fizike."
Për të, dukshmëria si drag është një akt rebelimi dhe vetë-shprehjeje, por gjithashtu një sfidë e vazhdueshme për sigurinë e tij.
Trans-gratë janë më të rrezikuara nga dhuna fizike dhe seksuale për shkak të dukshmërisë dhe perceptimit se shkelin normat gjinore. Ndërsa, burrat gej dhe gratë lesbike përjetojnë dhunë në marrëdhëniet intime, por këto përvoja shpesh anashkalohen në diskursin ligjor dhe social. Në rastin e çifteve heteroseksuale, kjo shpesh mbulohet nga narrativi se "është normale të ketë vështirësi" në një lidhje, ndërsa për çiftet LGBTIQ+, theksohet dyfishimi i barrës: një herë për shkak të dhunës në vetvete dhe një herë tjetër për shkak të mungesës së mbështetjes dhe pranimit shoqëror.
Margjinalizimi shtohet për individët LGBTIQ+ nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët përballen me diskriminim racor dhe transfobi, duke i lënë pa mbështetje ligjore ose sociale.
Gjithashtu, faktorë si statusi ekonomik dhe vendndodhja gjeografike thellojnë pabarazitë. Individët LGBTIQ+ në zonat rurale përballen me mungesë të theksuar të shërbimeve dhe mbështetjes, duke i lënë ata më të cenueshëm ndaj dhunës dhe izolimit.
Ndërthurja e dhunës me bazë gjinore me krimet e urrejtjes homofobike dhe transfobike ndërlikon reagimin ligjor dhe institucional.
Shpesh, dhuna ndaj individëve LGBTIQ+ nuk njihet si dhunë me bazë gjinore apo krim urrejtjeje, duke u mohuar viktimave mbrojtjen e duhur dhe shërbimet mbështetëse.
Mungesa e strehimoreve dhe mbështetjes sociale
Një sfidë kyçe në adresimin e dhunës me bazë gjinore ndaj individëve LGBTIQ+ është mungesa e institucioneve dhe shërbimeve mbështetëse gjithëpërfshirëse.
Sistemi i mirëqenies sociale, përfshirë strehimoret për viktimat e dhunës në familje, shpesh operon me supozimin se vetëm gratë cisgjinore dhe heteroseksuale kanë nevojë për këto shërbime, duke përjashtuar individët LGBTIQ+.
Kosova ende nuk ka një strehimore të veçantë për personat LGBTIQ+ në nevojë.
Në bisedën anonime me vihet në pah se përveç dhunës, stigmatizimi social dhe mungesa e mbështetjes institucionale e bëjnë jetën shumë më të vështirë për shumë njerëz në situatën e tij.
Ai thekson se mungesa e hapësirave të sigurta për personat LGBTIQ+, si një strehimore e dedikuar, është një nga problemet më të mëdha.
"Mungesa e vendeve të sigurta për neve osht problem i madh," thotë ai. "Unë edhe shokt e mi shpesh ndjehemi si s’kemi ku me shku. Edhe kur lypim ndihmë, na shohin si diçka e çuditshme, jo si njerëz që kanë nevojë për përkrahje."
"Kur jam n’skenë edhe i ndij duartrokitjet, për atë moment e ndjej veten shumë të fuqishëm, sikur jam unë tamam. Po kur fiken dritat, kthehem në nji botë ku ajo liri ma nuk ekziston."
Përmes zërit të tij dhe përvojës, bëhet e qartë se dhuna me bazë gjinore ndaj komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë është një problem që kërkon ndërhyrje urgjente. Ai apelon për edukim më të mirë mbi diversitetin gjinor dhe për hapjen e strehimoreve ku individët si ai mund të gjejnë siguri dhe mbështetje.
Gjatë vitit 2021, CEL Kosova ofroi strehim për rreth 10 persona LGBTIQ+, por ky strehim ishte i përkohshëm dhe i kufizuar. Gjithashtu, gjatë vitit 2023, u paraqitën 5 raste për strehim, ku njëri prej tyre u strehua në një vend fqinj.
Ardita Bala, nga Qendra për Mirëqenien e Gruas në Pejë tregon se nuk kanë pasur asnjë rast ku persona nga komuniteti LGBTIQ+ kanë kërkuar strehim. Sipas saj stafi është i trajnuar për t’i trajtuar këto raste, megjithëse nuk kanë ndonjë protokol të veçantë për ti ndarë rastet e këtij komuniteti nga të tjerat.
Ndërsa Rina Kika tregon se “strehimoret për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë në familje nuk janë të përshtatshme per personat queer, duke u bazuar nga vetë përvojat negative dhe paragjykuese për të cilat kanë rrëfyer vetë ata, qoftë me stafin e strehimoreve, apo me personat e strehuar aty. “
Shumica e personave LGBTIQ+ që kërkojnë strehim shpesh janë të detyruar të shpërngulen në vendet fqinje ose të qëndrojnë te miqtë dhe organizatat joqeveritare që punojnë për të drejtat e tyre.
Në vitin 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi një buxhet për ndërtimin e strehimores, por deri tani nuk ka asnjë zhvillim në këtë drejtim madje as informacione zyrtare mbi këtë projekt.
Në një intervistë për Sekhmet Institute, kryetari i Prishtinës, .Përparim Rama ka theksuar përkrahjen e Komunës për ndërtimin e strehimores, por ka theksuar se procesi ka dështuar për shkak të mosdakordimit mbi vendndodhjen. Rama theksoi se hapja e një strehimoreje kërkon angazhim profesional dhe përgjegjësi nga komuniteti dhe organizatat joqeveritare për të siguruar shërbime të duhura për personat në nevojë.
Tutje Kika rekomandon që hapja e strehimores do të ishte një hap i domosdoshëm emergjent që do të duhej të prioritizohej nga autoritet.
“Edukimi seksual në shkolla është po ashtu i nevojshëm në mënyrë që nga herët fëmijët të pajisen me informatat e duhura për ta kuptuar veten dhe të tjerët. Kur jemi te edukimi është po ashtu e nevojshme që të jetë një shkëmbim më të shpeshtë të organizatave që udhëhiqen nga personat LGBTQ+ dhe të personave që i trajtojnë rastet e dhunës, ashtu që të kuptojnë më mirë për aspektet e ndryshme dhe ndjeshmërinë e këtyre rasteve.”
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.











