Lajmet

Nga parandalimi te rehabilitimi – çfarë duhet të dimë për strokun


4126-title

Autore: Vlerë Mehmeti

Stroku, apo sulmi në tru, është një gjendje urgjente mjekësore që ndodh kur ndërpritet furnizimi me gjak në një pjesë të trurit ose kur një enë gjaku në tru çahet. Si pasojë, qelizat e trurit dëmtohen brenda pak minutash dhe mund të shkaktohen pasoja serioze si paralizë, vështirësi në të folur apo humbje e funksioneve të tjera jetësore.Stroku vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe paaftësisë afatgjatë në mbarë botën. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se shumica e rasteve mund të parandalohen përmes kontrollit të faktorëve të rrezikut dhe reagimit të shpejtë ndaj simptomave të para. Në Kosovë, sfidat lidhen jo vetëm me trajtimin e pacientëve, por edhe me mungesën e vetëdijesimit të qytetarëve për shenjat paralajmëruese të strokut. Për rëndësinë e minutave të para, faktorët e rrezikut, trajtimin dhe rehabilitimin, flet neurologu, Dren Boshnjaku.

Stroku shpesh përshkruhet si një “krizë e heshtur”. Pse konsiderohet kështu dhe cilët janë faktorët kryesorë të rrezikut?

Stroku konsiderohet një “sulm i heshtur” për shkak të mungesës së informimit dhe vetëdijesimit publik për shenjat paralajmëruese dhe nevojën për përgjigje emergjente, si dhe për shkak të infarkteve cerebrale të heshtura që ndodhin pa simptoma të dukshme klinike. Dhjetë faktorë të rrezikut të modifikueshëm (hipertensioni, mungesa e aktivitetit fizik, çrregullimi i yndyrave në gjak, dieta, obeziteti abdominal, faktorët psikosocialë, duhanpirja, shkaqet kardiake, alkooli, diabeti) shpjegojnë mbi 90% të rrezikut global të strokut. Hipertensioni mbetet faktori më kritik për parandalimin primar.

Cilat janë arsyet kryesore të vonesës së pacientëve me simptoma të strokut dhe cilat shenja nuk duhet të injorohen?

Arsyet kryesore të vonesës përfshijnë mungesën e njohjes së emergjencës së strokut, mosnjohjen e shenjave dhe simptomave, vizitën te mjeku i familjes në vend të thirrjes së urgjencës, si dhe frikën apo mohimin e situatës.

Shenjat që nuk duhet të injorohen janë dobësia ose mpirja e fytyrës, krahut apo këmbës në njërën anë të trupit, problemet me të folurit, problemet me të parët dhe humbja e ekuilibrit ose koordinimit. Simptoma të tjera që kërkojnë vëmendje janë marramendja rrotulluese, shikimi i dyfishtë dhe vështirësia në artikulimin e fjalëve.

Sa raste të reja të insultit skemik regjistrohen çdo vit në Kosovë dhe sa mbesin me pasoja afatgjata?

Në Kosovë ende nuk ka të dhëna të sakta statistikore për shkak të mungesës së sistemit informativ shëndetësor. Sipas evidencës, në vitin 2024 janë trajtuar rreth 2700 pacientë me strok në Klinikën e Neurologjisë dhe në spitalet e përgjithshme. Pasojat afatgjata janë të konsiderueshme: në 90 ditë pas strokut, 10% e pacientëve nën 55 vjeç dhe 30% e atyre mbi 65 vjeç zhvillojnë paaftësi të re të moderuar ose të rëndë. Rreth 70% e pacientëve me strok të rëndë vdesin ose mbesin me paaftësi të theksuara brenda pesë viteve.

Sa e fortë është lidhja e strokut me hipertensionin, diabetin, kolesterolin e lartë dhe duhanpirjen?

Lidhja është jashtëzakonisht e fortë dhe së bashku ata shpjegojnë rreth 90% të rrezikut global të strokut. Hipertensioni është faktori më i fuqishëm i rrezikut dhe pothuajse 80% e individëve që përjetojnë strok kanë hipertension paraprak. Diabeti shoqërohet me dyfishim të rrezikut për strokiskemik. LDL-kolesteroli është faktor i rëndësishëm rreziku për strokuniskemik, ndërsa duhanpirja e dyfishon rrezikun e strokut dhe rreziku rritet me sasinë e konsumuar.

Si trajtohet aktualisht stroku në Kosovë dhe cilat janë sfidat kryesore?

Përafërsisht 4-5% e pacientëve me strok në Kosovë trajtohen me trombolizë, ndërsa një numër shumë më i vogël me trombektomi. Klinika e Neurologjisë në QKUK është aktualisht qendra e vetme ku realizohen këto trajtime. Sfidat kryesore mbeten mungesa e njohurive të qytetarëve për shenjat e strokut, mungesa e një sistemi “stroke alarm”, nevoja për trajnimin e stafit shëndetësor dhe zgjerimi i kapaciteteve për trombolizë dhe trombektomi.

Sa shpesh pacientët mbesin me pasoja afatgjata dhe çfarë roli luan rehabilitimi?

Komplikacionet afatgjata janë të shpeshta. Dëmtimi kognitiv prek 54-65% të të mbijetuarve, ndërsa lodhja, depresioni dhe ankthi mbeten probleme të zakonshme edhe vite pas goditjes. Rehabilitimi duhet të fillojë sa më herët dhe përmirëson ndjeshëm aftësinë e vetëkujdesit, funksionin motorik dhe pavarësinë funksionale.

Sa shpesh përsëritet insultiiskemik dhe sa i lartë është rreziku që një pacient ta pësojë një insult të dytë dhe çfarë nënkupton parandalimi sekondar?

Strokuiskemik përsëritet shpesh. Pa trajtim, rreziku i përsëritjes është rreth 10% në javën e parë, 15% në muajin e parë dhe 18% në tre muaj. Parandalimi sekondar i duhur mund ta reduktojë këtë rrezik deri në 80% dhe përfshin terapi antitrombotike dhe menaxhim agresiv të faktorëve të rrezikut.

A mendoni se qytetarët në Kosovë kanë mjaftueshëm njohuri për simptomat dhe faktorët e rrezikut të strokut? Cili do të ishte mesazhi juaj kryesor për parandalimin e strokut?

Bazuar në evidencën globale, njohuritë për shenjat dhe faktorët e rrezikut të strokut mbeten të ulëta në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Megjithatë, mesazhi kryesor është se deri në 90% e insulteveiskemike janë të parandalueshme përmes kontrollit të faktorëve të modifikueshëm të rrezikut. Strategjia “Life’sEssential 8” përfshin ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, ndërprerjen e duhanit, gjumin cilësor, kontrollin e peshës, kolesterolit, sheqerit në gjak dhe tensionit arterial.

Mesazhi përfundimtar është i thjeshtë: stroku nuk është fatal — është i parandalueshëm dhe i trajtueshëm.

Share this Post: