Letër e hapur për projektligjin anti-SLAPP në Shqipëri
Për: Z. Toni GOGU, Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Tiranë
CC:
-
Z. Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
-
Znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
-
Znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
-
Znj. Sofia Moreira de Sousa, Ambasadore e BE-së në Shqipëri
-
Znj. Giulia Re, Drejtuese e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë
-
Prof. Mark Marku, Kryetar i Platformës për Dialogun me Median
Subject: Forcimi i kuadrit ligjor të Shqipërisë kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP)
I nderuar Ministër Gogu,
Organizatat evropiane dhe rajonale për lirinë e medias, nënshkruese të kësaj letre, e mirëpresin projektligjin anti-SLAPP dhe përparimin e bërë drejt krijimit të garancive më të forta për gazetarët, punonjësit e medias, shoqërinë civile dhe të tjerët që angazhohen në pjesëmarrjen publike.
Projektligji përmban mbrojtje të rëndësishme, të cilat duhet të ruhen dhe të fuqizohen më tej. Në veçanti, zbatimi i tij edhe për procedurat vendore edhe për ato ndërkufitare shkon përtej fushëveprimit minimal të Direktivës së BE-së kundër SLAPP-ve dhe është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin shqiptar. Gjithashtu, mirëpresim krijimin e një kuadri të posaçëm ligjor, afatin prej 60 ditësh për vendimet lidhur me garancinë financiare dhe pushimin e hershëm të çështjes, si dhe dispozitat për shpenzimet, kompensimin dhe procedurat në vendet e treta.
Këto elemente pozitive pasqyrohen edhe në vlerësimin ligjor të përgatitur nga ekspertët e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit BE–Këshilli i Evropës Promovimi i lirisë së shprehjes në Shqipëri përmes dialogut të hapur. Në këtë vlerësim thuhet se projektligji është përgjithësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës, ndërsa identifikohen edhe një sërë ndryshimesh të synuara për të forcuar më tej qartësinë dhe efektivitetin e tij juridik.
Ndërsa Ministria po e rishikon projektligjin para konsultimit formal publik, i bëjmë thirrje që të sigurojë:
-
Mekanizmi për pushimin e hershëm të çështjeve të jetë efektiv në praktikë. Neni 9 duhet të përcaktojë qartë se vendimi për pushimin e hershëm është vendim mbi themelin e çështjes dhe jo pushim procedural, si dhe të qartësojë afatet për paraqitjen e kërkesave, pushimin e pjesshëm, pezullimin e procedurave kryesore dhe trajtimin e ankesave.
-
Të rishikohet përkufizimi i procedurave abuzive në nenin 3(3). Procedurat nuk duhet të konsiderohen abuzive vetëm nëse pretendimi është “qartazi i pabazuar”. Përkufizimi duhet të përfshijë edhe pretendimet tërësisht ose pjesërisht të pabazuara që ndiqen në mënyrë abuzive, ndërsa standardi i qartësisë së mungesës së bazës ligjore duhet të mbetet kriter për pushimin e hershëm.
-
Garancitë të jenë të zbatueshme në praktikë. Ligji përfundimtar duhet të përcaktojë rregulla të qarta për garancinë për shpenzimet, mbulimin e shpenzimeve të arsyeshme të mbrojtjes, dëmet dhe sanksionet; të sigurojë informacion të qasshëm për mbështetjen ligjore dhe format e tjera të ndihmës në dispozicion; identifikimin dhe monitorimin sistematik të rasteve; publikimin e vendimeve përkatëse; si dhe trajnimin e duhur. Duhet të shqyrtohen gjithashtu garancitë për mbrojtjen e burimeve konfidenciale të gazetarëve dhe pjesëmarrësve anonimë, si dhe të sigurohen burime të mjaftueshme për zbatimin e tyre.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Ministrisë që të trajtojë vazhdimin e kriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes në kuadër të kësaj reforme më të gjerë. Mbajtja në fuqi e procedurave penale për shprehjet që lidhen me çështje me interes publik rrezikon të minojë efektivitetin e garancive të reja civile anti-SLAPP, pasi veprimet abuzive ligjore mund të zhvendosen thjesht në rrugën penale. Për këtë arsye, vlerësimi ligjor rekomandon dekriminalizimin e plotë, përfshirë shfuqizimin e dispozitave përkatëse të Kodit Penal (nenet 119, 120 dhe 318). Nëse këto vepra penale mbahen në fuqi, garancitë e përshtatshme anti-SLAPP duhet të zbatohen edhe në procedurat penale që burojnë nga pjesëmarrja publike. Kjo është gjithashtu në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Në të njëjtën kohë, dekriminalizimi duhet të shoqërohet me mjete juridike civile efektive dhe proporcionale për dëmtimin e ligjshëm të reputacionit, plotësisht në përputhje me standardet evropiane për lirinë e shprehjes. Kuadri civil për shpifjen duhet të përafrohet me standardet evropiane dhe kjo çështje duhet të trajtohet veçmas.
Në fund, e inkurajojmë Ministrinë që të sigurojë një konsultim publik kuptimplotë dhe gjithëpërfshirës para se projektligji të procedohet më tej. Teksti i rishikuar duhet të publikohet me kohë të mjaftueshme që gazetarët, organizatat mediatike, shoqëria civile, profesionistët ligjorë, akademikët dhe palët e tjera relevante të mund të japin kontributin e tyre në mënyrë të argumentuar. Vërejtjet e pranuara duhet të shqyrtohen siç duhet para se projektligji të dërgohet në Kuvend.
E mirëpresim angazhimin konstruktiv të deritanishëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe e inkurajojmë atë që t’i përfshijë këto rekomandime në versionin e ardhshëm të projektligjit. Miratimi i një ligji anti-SLAPP që përfshin këto elemente shtesë do të përbënte një zhvillim pozitiv për lirinë e medias në Shqipëri, si në nivel evropian ashtu edhe ndërkombëtar. Organizatat tona mbeten të gatshme të kontribuojnë në konsultim dhe në zhvillimin e mëtejshëm të këtij kuadri ligjor.
Me respekt,
Nënshkruesit
-
Reporterët pa Kufij (RSF)
-
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
-
Free Press Unlimited (FPU)
-
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
-
South East Europe Media Organisation (SEEMO)
Rrjeti SafeJournalists
-
Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë
-
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
-
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
-
Asociacioni i Gazetarëve të BH-së
-
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
-
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
-
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri
-
Center Science and Innovation for Development (SCiDEV)
-
Këshilli Shqiptar i Medias (KShM)
-
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Shqipëri (BIRN Albania)
-
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)
-
Instituti Shqiptar i Medias (AMI)
-
Qendra Citizens Channel (Citizens.al)
-
Qendra Faktoje
-
Partners Albania for Change and Development
-
Albanian Center for Quality Journalism











