Lansohet Udhëzuesi për Politikat Redaktoriale
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) lansoi Udhëzuesin për Politikat Redaktoriale, në një ngjarje që mblodhi së bashku gazetarë, përfaqësues të komunitetit mediatik, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës. Publikimi i këtij udhëzuesi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të standardeve profesionale dhe etike në gazetari, duke ofruar udhëzime të qarta për vendimmarrjen redaktuese dhe raportimin e përgjegjshëm.
Fjalët hyrëse u mbajtën nga Nënkryetarja e AGK-së, Naile Dema Selmani, dhe Nikola Gaon, përfaqësues i UNMIK-ut, të cilët theksuan rëndësinë e këtij dokumenti në sigurimin e një qasjeje të unifikuar dhe profesionale në procesin redaktorial. Udhëzuesin e prezantoi Naile Dema Selmani, duke ofruar një pasqyrë të detajuar mbi përmbajtjen dhe qëllimin e tij për të ndihmuar gazetarët dhe redaksitë në vendimmarrjen e tyre etike dhe profesionale.
Pas prezantimit, u mbajt një panel diskutimi i moderuar nga Naile Dema Selmani, ku morën pjesë:
Krenare Sogojeva Dermaku – Komisionere për Informim dhe Privatësi
Flutura Kusari – Juriste e së Drejtës së Medias
Yll Zekaj – Këshilltar Ligjor, AGK
Alban Zeneli – Profesor në Departamentin e Gazetarisë, UP
Sandra Cvetkovic – Gazetare, REL
Panelistët theksuan rëndësinë e zbatimit të këtij udhëzuesi për të forcuar pavarësinë redaktoriale dhe për të siguruar një qasje më transparente dhe profesionale në raportim.
Juristja Flutura Kusari vlerësoi bashkëpunimin mes gazetarëve në përpilimin e këtij dokumenti. "Në jetën e përditshme, gazetarët përballen me konkurrencë dhe presion të vazhdueshëm për të publikuar lajme sa më shpejt. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, ata tregojnë solidaritet dhe bashkëpunim”.
Në anën tjetër, këshilltari ligjor Yll Zekaj theksoi rëndësinë e udhëzuesit, sidomos për gazetarët e rinj, të cilët do të kenë një udhërrëfyes praktik për të shmangur problemet ligjore gjatë raportimit. "Një nga sfidat kryesore me të cilat përballen është fenomeni i SLAPP-padive, të cilat synojnë t’i heshtin ata përmes proceseve të gjata gjyqësore. Prandaj, është thelbësore që çdo gazetar të jetë i sigurt se ka vepruar në përputhje me parimet profesionale, duke kryer verifikimin e burimeve dhe duke u siguruar që raportimi i tyre të jetë i saktë dhe i mbështetur në fakte.”
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, diskutoi për rëndësinë e respektimit të privatësisë në gazetari. "Respektimi i privatësisë është një obligim i të gjithëve, përfshirë edhe gazetarët, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut, por edhe një përgjegjësi për të mbrojtur të dhënat personale dhe dinjitetin e individëve" . Duke treguar se në Kosovë, sfidat në këtë fushë mbeten të mëdha, pasi vendi ynë ende ka mangësi serioze në mbrojtjen e të dhënave personale, ajo vlerësoi lansimin e Udhëzuesit si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit në këtë fushë.
Gazetarja Sandra Cvetkovic theksoi rëndësinë e këtij udhëzuesi në kohën e shpërndarjes masive të dezinformatave:
"Nga përvoja ime profesionale, mund të them me bindje se ky dokument do të jetë një mjet jashtëzakonisht i dobishëm për gazetarët. Në një kohë kur dezinformata dhe lajmet e rrejshme përhapen me shpejtësi, nevoja për një udhëzues të tillë është më e madhe se kurrë".
Nga perspektiva akademike, profesori i gazetarisë Alban Zeneli nënvizoi rritjen e konkurrencës së mediave në sferën digjitale dhe nevojën për standarde etike.
"Në epokën digjitale, ku mediat konkurrojnë për vëmendjen e publikut edhe me persona që shpesh veprojnë jashtë standardeve etike, ky udhëzues sjell një risi të rëndësishme. Ai u ofron mediave një mundësi për t'u diferencuar dhe për të ndërtuar besimin e audiencës përmes transparencës. Për më tepër, ai theksoi se ky dokument mund të shërbejë si model për mediat që duan të krijojnë udhëzuesit e tyre redaktorialë, duke kontribuar në ngritjen e standardeve profesionale në mjedisin mediatik në Kosovë.
Udhëzuesi për Politikat Redaktoriale është hartuar në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe kodet etike vendore. Ky dokument pritet të shërbejë si një mjet praktik për gazetarët dhe redaktorët, duke ndihmuar në sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies mediatike në Kosovë. Udhëzuesi do të jetë i qasshem në faqen e AGK-së që nga muaji prill. AGK falënderon të gjithë gazetarët dhe profesionistët që kontribuan në përpilimin e tij. Ky projekt mbështetet nga UNMIK – United Nations Mission in Kosovo.











