Kosovë: Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias kërkojnë buxhet të mjaftueshëm për transmetuesin publik RTK
Organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias dhe të gazetarëve, të nënshkruara më poshtë, shprehin shqetësimin serioz lidhur me nënfinancimin e Transmetuesit Publik të Kosovës, Radio Televizionit të Kosovës (RTK), dhe bëjnë thirrje urgjente që të përmbushen kërkesat ligjore për buxhetin.
Kuvendi i Kosovës aktualisht po diskuton buxhetin e RTK-së, i cili pritet të miratohet në dy lexime më 19 dhe 20 shkurt 2026. Sipas projektligjit për Buxhetin e vitit 2026, Kuvendi, bazuar në propozimin e Qeverisë, do të ndajë vetëm 8.9 milionë euro, që mjaftojnë vetëm për të mbuluar nevojat bazike operacionale, siç janë pagat e stafit.
Ligji për RTK-në parasheh që Transmetuesit Publik t’i ndahen 0.7 për qind të buxhetit total të shtetit, i cili është rreth mbi 3 miliardë euro. Kjo do të nënkuptonte që RTK-së duhet t’i ndahen afërsisht 22 milionë euro. Nëse miratohet, buxheti aktual do të përbënte vetëm 40% të kësaj shume të përcaktuar me ligj.
Një mungesë buxhetore e kësaj shkalle do ta minonte seriozisht aftësinë e Transmetuesit Publik për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe për të përmbushur misionin e tij për t’i informuar qytetarët për çështje me interes publik. Nëse RTK-së do t’i ndahej buxheti që i takon me ligj, kjo do t’i mundësonte të funksionojë në mënyrë të pavarur nga çdo ndërhyrje e Qeverisë dhe Kuvendit, duke mundësuar njëkohësisht investime dhe zhvillim të Transmetuesit Publik.
Theksjojmë se Neni 5 i Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) të Bashkimit Evropian kërkon nga shtetet anëtare e ku Kosova synon të bëhet pjesë që të sigurojnë financim të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm për mediat e shërbimit publik, në mënyrë që ato të mund të funksionojnë në mënyrë stabile dhe të pavarur. Sistemi i propozuar buxhetor, i cili bie ndesh me kornizën ligjore ekzistuese, do ta shkelte qartë këtë dispozitë të EMFA-së, nëse do të zbatohej.
Me këtë rast, ftojmë Qeverinë dhe Kuvendin që të iniciojnë punën për zbatimin e EMFA-së, si dhe të fillojnë diskutimet për reformimin e financimit dhe qeverisjes së RTK-së, me qëllim që të garantohet pavarësia e saj redaksionale dhe funksionale.
Në prag të vendimit të ardhshëm buxhetor, organizatat tona, për këtë arsye, i bëjnë thirrje të përbashkët Kryeministrit dhe Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të sigurojnë që Transmetuesi Publik të marrë buxhetin adekuat dhe të drejtë në përputhje me ligjin dhe që të mos i nënshtrohet presionit politik përmes kufizimeve buxhetore.
Nënshkruar nga:
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Index on Censorship
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
Reporterët pa Kufij (RSF)











