Komunikimi shpëton jetë: Si po dështojmë (dhe si mund ta fitojmë) betejën me sëmundjet kronike në Kosovë
Sëmundjet kronike jongjitëse po vazhdojnë të dominojnë si sfida kryesore për shëndetin publik në Kosovë, duke qenë shkaku kryesor i vdekjeve dhe një barrë në rritje për sistemin shëndetësor. Megjithatë, përtej statistikave alarmante dhe faktorëve të njohur të rrezikut si duhanpirja, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik, një element kyç mbetet shpesh në hije: komunikimi publik.
Shkruan: Qëndresë Uka-Matoshi
Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, specialisti i shëndetit publik, Dr. Faik Hoti, vë theksin pikërisht te mënyra se si komunikimi ndikon drejtpërdrejt në sjelljen dhe vendimmarrjen e qytetarëve. Ai argumenton se mesazhet e paqarta, të vonuara apo shumë teknike jo vetëm që nuk ndihmojnë, por shpesh krijojnë konfuzion, pasivitet dhe humbje besimi te institucionet shëndetësore.
Në të kundërt, komunikimi i thjeshtë, i vazhdueshëm dhe i besueshëm mund të nxisë ndryshime reale në stilin e jetesës dhe të shpëtojë jetë.
Duke u ndalur te të dhënat e fundit që tregojnë rritje të rasteve të reja me sëmundje kronike në vend, Dr. Hoti thekson se kjo situatë kërkon më shumë sesa fushata sporadike, kërkon një strategji të mirëfilltë komunikimi, të koordinuar dhe afatgjatë. Ai flet për gabimet më të shpeshta në komunikimin shëndetësor, sfidat institucionale, ndikimin e dezinformimit në rrjetet sociale, si dhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit dhe mediave në këtë proces.
Në thelb, mesazhi është i qartë: pa një komunikim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, lufta kundër sëmundjeve kronike nuk mund të fitohet.
Intervista e plotë:
1. Çfarë janë sëmundjet kronike jo-ngjitëse (SKJN) dhe pse konsiderohen sfida kryesore?
Sëmundjet kronike jo-ngjitëse janë sëmundje afatgjata që nuk transmetohen nga personi në person. Ato zhvillohen ngadalë, shpesh nuk shërohen plotësisht dhe kërkojnë menaxhim të vazhdueshëm. Në këtë grup përfshihen sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe sëmundjet kronike të mushkërive.
Në Kosovë, ato përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë dhe barrën më të madhe për sistemin shëndetësor. Sfiduese i bën fakti që lidhen drejtpërdrejt me stilin e jetesës: ushqyerjen jo të shëndetshme, mungesën e aktivitetit fizik, duhanpirjen dhe alkoolin.
2. Sa ndikon komunikimi publik në mënyrën si qytetarët i kuptojnë rreziqet?
Komunikimi publik është vendimtar, sepse ndikon në vendimmarrje. Një komunikim i qartë, i vazhdueshëm dhe i besueshëm i ndihmon qytetarët të kuptojnë rrezikun real, të njohin shenjat paralajmëruese dhe të ndërmarrin hapa për parandalim.
Një kontroll mjekësor në kohën e duhur mund të parandalojë sëmundje serioze, madje edhe të shpëtojë jetë. Në të kundërtën, komunikimi i paqartë ose kontradiktor krijon konfuzion dhe ul besimin në shërbimet shëndetësore.

3. Cilat janë gabimet më të shpeshta në komunikimin shëndetësor?
Një nga gabimet kryesore është nënvlerësimi i vetë komunikimit. Shpesh përdoret gjuhë shumë teknike, e pakuptueshme për qytetarët. Po ashtu, fokusi vihet vetëm te informacioni, pa ofruar zgjidhje konkrete apo komunikim të vazhdueshëm.
Mungon përshtatja e mesazheve për grupe të ndryshme dhe shpesh komunikimi është i vonuar, pra reaktiv. Ai duhet të jetë aktiv, edukues dhe i vazhdueshëm, jo vetëm në kohë krizash.
4. Çfarë tregojnë të dhënat për SKJN në Kosovë?
Të dhënat e IKShPK-së tregojnë një rritje prej 5.5% të rasteve të reja në dy vitet e fundit, nga 41 258 në 43 539 raste. Rritja është më e theksuar te grupmoshat mbi 60 vjeç, me diagnoza si hipertensioni, diabeti tip 2, infarkti dhe sëmundjet malinje.
Kjo mund të lidhet edhe me diagnostikim më të mirë, por gjithashtu reflekton ndikimin e stilit të jetesës dhe plakjen e popullsisë. Faktorët kryesorë mbeten duhani, ushqyerja jo e shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe obeziteti.
5. A ka përmirësim në sjelljet e qytetarëve?
Ka sinjale pozitive, por progresi është i kufizuar. Është rritur ndërgjegjësimi për dëmet e duhanit dhe interesi për aktivitet fizik, por ndryshimi i sjelljes është proces afatgjatë.
Ai kërkon kombinim të komunikimit me politika konkrete si ligje, taksa dhe krijim të mjediseve të shëndetshme. Shoqëria ende nënvlerëson ndikimin e hapave të vegjël në shëndet.

6. Si ndikojnë mesazhet e thjeshta dhe pozitive?
Mesazhet e thjeshta dhe praktike janë më efektive. Shembuj si “Mos e pi duhanin”, “Ec 30 minuta në ditë” apo “Më pak kripë në ushqim” janë të drejtpërdrejta dhe ndihmojnë qytetarët të ndihen në kontroll, duke rritur gjasat për ndryshim.
7. A ka shembuj konkretë të ndikimit të fushatave?
Po, ka pasur ndikim në uljen e pranueshmërisë sociale të duhanit pas ligjit të vitit 2013. Duhani konsumohet më pak në familje, sidomos në prani të fëmijëve.
Gjithashtu, janë rritur testimet parandaluese për kancerin e gjirit dhe ndërgjegjësimi për aktivitetin fizik. Megjithatë, sfidë mbetet përdorimi i duhanit në hapësira publike dhe rritja e përdorimit të cigareve elektronike tek të rinjtë.
8. Cilat janë sfidat institucionale?
Sfidat kryesore janë mungesa e burimeve për komunikim strategjik, mungesa e koordinimit dhe ndikimi i madh i mediave sociale me informacione të pakontrolluara.
Fushatat janë shpesh sporadike dhe mungon vlerësimi i ndikimit të tyre.
9. Çfarë duhet të bëjnë institucionet?
Institucionet duhet të zhvillojnë strategji afatgjata komunikimi, të përdorin gjuhë të thjeshtë dhe kanale moderne, si dhe të përfshijnë komunitetin dhe profesionistët shëndetësorë.
Besimi ndërtohet përmes transparencës dhe qëndrueshmërisë.
10. Cilat janë tre mesazhet kryesore për qytetarët?
Të ndalojnë duhanin, të ushqehen shëndetshëm dhe të jenë fizikisht aktivë, si dhe të bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore.
Parandalimi është më i lehtë se trajtimi dhe një kontroll sot është siguri për nesër.

11. Cili është roli i shëndetit mendor?
Shëndeti mendor është thelbësor në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike. Stresi, ankthi dhe depresioni rrisin rrezikun për sëmundje fizike dhe ndikojnë në sjellje të dëmshme.Nevojitet më shumë mbështetje dhe ulje e stigmës për të kërkuar ndihmë.
Dezinformimi në rrjete sociale
Dezinformimi është një sfidë serioze për shëndetin publik. Ai nxit minimizimin e rreziqeve reale dhe promovon zgjidhje jo-shkencore.
Kërkohet reagim i shpejtë, komunikim i bazuar në fakte dhe angazhim më i madh i institucioneve dhe profesionistëve për të mbrojtur të vërtetën.
Kjo intervistë është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.











