News

U mbajt konferenca për Mbrojtjen e Fëmijëve në Masmedia


4127-title

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Terre des Hommes mbajtën konferencën për “Mbrojtjen e Fëmijëve në Masmedia”. Në hapje të aktivitetit, fjalët hyrëse u mbajtën nga Naile Dema Selmani, Nënkryetare e Bordit të AGK-së, dhe Marije Vuksani, Menaxhere e Programit në Terre des hommes, të cilat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet mediave, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në fjalën e saj hyrëse, Naile Dema Selmani vuri theksin në rolin e rëndësishëm që ka gazetaria profesionale në informimin e publikut dhe në përgjegjësinë e gazetarëve për të raportuar me kujdes, etikë dhe ndjeshmëri, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët. Ajo nënvizoi se respektimi i standardeve profesionale dhe mbrojtja e privatësisë së fëmijëve janë elemente thelbësore për një media të përgjegjshme dhe të besueshme.

Ndërsa, Marije Vuksani theksoi rëndësinë e vendosjes së interesit më të mirë të fëmijës në qendër të çdo veprimi dhe raportimi që lidhet me ta. Ajo rikujtoi se mënyra se si prezantohen storjet e fëmijëve në media mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën, sigurinë dhe mirëqenien e tyre, prandaj kërkohet një qasje e kujdesshme, e bazuar në respektimin e të drejtave të fëmijëve.

Në panelin e parë, të moderuar nga Edona Mushica, Zyrtare për Komunikim në TdHK, diskutuan Besian Beha, gazetar; Imer Mushkolaj, Drejtor Ekzekutiv në KMSHK; Naile Dema Selmani, Nënkryetare e AGK-së; dhe Yll Zekaj, avokat. Panelistët trajtuan sfidat me të cilat përballen gazetarët dhe mediat në raportimin për fëmijët, rëndësinë e respektimit të standardeve etike, funksionimin e mekanizmave vetërregullues, përgjegjësinë ligjore dhe nevojën që në çdo raportim të mbrohet dinjiteti, privatësia dhe siguria e fëmijëve. Gjithashtu, ata ndanë përvoja dhe reflektime mbi mënyrat se si mund të raportohet në mënyrë profesionale pa shkaktuar dëm apo stigmatizim.

Paneli i dytë, i moderuar nga Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë e KOMF-it, solli perspektivën praktike të gazetarëve fitues të çmimit nga KOMF – Albijona Hoxhaj, Herolind Ademi dhe Faton Polisi. Përmes rasteve konkrete nga puna e tyre, ata ndanë përvojat, sfidat profesionale dhe përgjegjësinë që mbart raportimi për çështjet që prekin fëmijët. Diskutimi theksoi se gazetaria etike dhe e ndjeshme mund të ketë ndikim pozitiv në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në promovimin e praktikave të mira mediale.

Në përmbyllje të aktivitetit, nuk mungoi as prespektiva e vet fëmijëve ku përfaqësuesja e Bordit Kombëtar Këshillimor të Fëmijëve, Nahar Rrmoku, theksoi se mediat duhet të kenë gjithmonë parasysh ndikimin që mund të ketë çdo fotografi, informacion apo storje e publikuar për një fëmijë. Ndër tjerash, ajo tha se çdo fëmijë duhet të trajtohet me respekt, kujdes dhe përgjegjësi, duke u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet pa cenuar të drejtat dhe privatësinë e tyre.

Aktiviteti është pjesë e projektit “Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët”, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Terre des hommes, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe HEKS/EPER.

Post Gallery

Share this Post: