SafeJournalists and EFJ: We Strongly Condemn Physical Attacks on Journalists in Republika Srpska
photo: canva
Rrjeti SafeJournalists dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dënojnë fuqishëm sulmet e fundit fizike ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të medias në Republika Srpska, Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për lirinë e medias dhe sigurinë e atyre që punojnë në interes të publikut.
Më 7 shkurt, gazetarja Sanja Vasković, kryeredaktore e portalit Spin, u ofendua verbalisht dhe u pengua fizikisht gjatë raportimit të një ngjarjeje në Sarajevën Lindore. Telefoni i saj iu mor me forcë dhe siguria e saj u vu në rrezik teksa po hetonte çështje që lidhen me mjedisin dhe transparencën. Pavarësisht faktit se gazetarja e regjistroi qartë sulmin fizik, organet e rendit e klasifikuan incidentin si kundërvajtje të lehtë.
Njëkohësisht, EFJ dhe SafeJournalists rikujtojnë edhe sulmin ndaj kameramanit të televizionit BNTV nga Bijelina, i ndodhur më 21 janar, kur ekipi televiziv u sulmua fizikisht dhe verbalisht gjatë ushtrimit të detyrës profesionale. Pas një sërë fyerjesh verbale, një roje sigurie e goditi kameramanin në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime. Edhe pse policia reagoi shpejt, rasti u trajtua si kundërvajtje në kuadër të prishjes së rendit publik, duke dhënë një sinjal shqetësues për tolerimin e dhunës fizike ndaj gazetarëve në krye të detyrës.
Rrjeti SafeJournalists dhe EFJ shprehin shqetësim të thellë për këto raste dhe për modelin më të gjerë të presioneve, frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës fizike ndaj gazetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Sulmet ndaj profesionistëve të medias minojnë rolin themelor të gazetarisë në shoqëritë demokratike, dekurajojnë raportimin e pavarur dhe dëmtojnë besimin e publikut në informacionin e domosdoshëm për një qytetari të informuar. Këto sulme nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një tendence shqetësuese të shkeljeve ndaj punonjësve të medias në rajon.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente – policisë, prokurorisë dhe institucioneve gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë – që sulmet fizike dhe përpjekjet për të penguar punën e gazetarëve t’i trajtojnë si vepra të rënda penale, në përputhje me Kodin Penal, dhe jo t’i reduktojnë në kundërvajtje. Gjithashtu, kërkojmë hetime të plota, transparente dhe efektive, si dhe ndëshkimin e të gjithë autorëve sipas ligjit.
Rrjeti SafeJournalists dhe EFJ theksojnë edhe një herë se liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë shtylla thelbësore të shoqërisë demokratike dhe të të drejtave të njeriut. Pa mbrojtje efektive dhe pa respektimin e sundimit të ligjit, sulmet ndaj gazetarëve do të vazhdojnë të nxisin frikë, vetëcensurë dhe një mjedis armiqësor ndaj informacionit të pavarur.
Ne shprehim solidaritet të plotë me kolegët tanë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të veprojnë me vendosmëri për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të të drejtave të profesionistëve të medias.
Rrjeti SafeJournalists
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)











