Mbahet trajnimi “Roli i grave gazetare në proceset post-konflikt dhe tranzicionin e informacionit”
U mbajt trajnimi me fokus në adresimin e rolit të grave gazetare në shoqëritë që kalojnë përmes periudhave të pas-konfliktit. Trajnimi u udhëhoq nga Masha Mileusniq, përfaqësuese e Rrjetit të Grave Gazetare të Serbisë, e cila ndau përvoja të vlefshme nga puna e saj në kontekste të ndjeshme dhe të ndërlikuara mediatike.
Gjatë trajnimit, gazetarët e Ukrainës diskutuan mbi sfidat dhe përgjegjësitë që gratë gazetare përballen gjatë raportimit në mjedise të tensionuara dhe pas-konfliktuale, si dhe rolin e tyre në ndërtimin e një narrative të balancuar dhe gjithëpërfshirëse në periudhat e tranzicionit demokratik dhe informativ.
Diskutimi i hapur në fund të trajnimit nxiti reflektime mbi rëndësinë e përfshirjes së zërit të grave në median e pas-konfliktit dhe fuqizimin e tyre si agjente të ndryshimit përmes raportimit etik dhe të qëndrueshëm.
Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence - Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe i implementuar nga AGK-ja.
Ky program mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt.
Nga programi Journalists in Residence – Kosovo, deri më tani kanë përfituar 19 gazetarë nga Ukraina, prej të cilëve gjashtë kanë përfunduar me sukses periudhën gjashtëmujore të strehimit në Kosovë.











