Informatë rreth Programit "Gazetarët në Rezidencë"
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe të Gjermanisë, janë duke zbatuar projektin “Gazetarët në Rezidencë”, përmes të cilit kanë sjellë në Kosovë gazetarë nga Ukraina dhe Afganistani që nga muaji prill i vitit 2022.
Projekti financohet nga Qeveria e Kosovës dhe e Gjermanisë dhe mbështetet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Shpenzimet e AGK-së për zbatimin e këtij projekti mbulohen krejtësisht nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, ndërsa të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me qëndrimin e gazetarëve nga Ukraina e Afganistani: pagesa mujore, qiraja për banesë dhe shpenzimet për fëmijë mbulohen tërësisht nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Kjo është bërë publike në dhjetëra njoftime të AGK-së. Deri më tani kanë përfituar 25 gazetarë nga Ukraina dhe Afganistani, 10 prej të cilëve jetojnë dhe punojnë ende në Kosovë.
Programi “Gazetarët në Rezidencë”, i financuar nga qeveritë kosovare dhe gjermane, është një program unik në botë, me të cilin Kosova mund të krenohet si shtet dhe shoqëri.
Ne ftojmë Partinë Demokratike të Kosovës të sigurohet që programet për mbështetjen e gazetarëve nga vatrat e luftës të mos keqpërdoren për fushata zgjedhore.











