“Duroj për fëmijët”, stigma rreth heshtjes së bullizimit në martesë
Shkruan: Albina Kastrati
Askush nuk martohet me synimin që një ditë të divorcohet.
“E kam andërr të jetës me u largu prej këtu”, shprehet T. K., “ çka me i bo, për fëmijë e kom lan atë punë”.
T. K. u martua me personin që mendoi se do ta bëjë të lumtur—mirëpo pas pesë fëmijve, dy aborteve, dhunë psiqike dhe verbale nga kunetët me sëmundje mendore, përkujdesje ndaj vjehërrive me probleme shëndetësore, depresion post-partum—T.K. dëshiron vetëm të largohet diku, nuk e di ku, madje as nuk ka rëndësi më. Ajo ka heshtur mjaftueshëm tashmë e një dekadë.
“Më përqesh tash edhe për peshën që kam shtuar nga shtatzania e fundit”, thotë T.K, nga një qytet më i vogël, jo larg Prishtinës.
Mirëpo, kjo është më e lehta nga rutina e përditshme e saj. Si nënë dhe amvise, ajo përkujdeset për shtëpinë—gatuan, pastron, kujdeset për fëmijët, dhe kunetët.
“Nuk ka shancë një ditë të Zotit me hanger bukë pa u dëgju një zhurmë, pa u dëgju një bërtitmë, një të shame, një ofedim, një maltretim”, tregon T. për jetën e saj.
Psikologia Atifete Syla, thotë se për shkak se është një pjesë e errët kulturore dhe është normalizuar dhuna në familje, ndikon shumë në ngurrimin e denoncimit të saj për shkak të turpit dhe frikës se paragjykimit nga te tjerët, dështimit të masave dhe përkeqësimi saj.
“Kjo vie deri ne një pikë ku individi nuk sheh më rrugëdalje nga kjo marrdhënie dhe ulje të plotë të konfidencës”, thotë psikologia Atifete Syla.
Disa nga pasojat afat shkurtëra të dhunës si asaj psikologjike dhe fizike janë ndjenja e boshllëkut, ankthi, turpi, sepse individi ndihet i pafuqishëm, i shtypur dhe pa vullnet duke çuar kështu në ndrydhje të vet identitetit dhe personalitetit nga abuzimi konstant.
Kjo lloj jetese përveç se i ka ndikuar negativisht T. K., është manifestuar edhe tek fëmijët - ku dita e ditës humbin vetëbesimin dhe frikësohen edhe nga trokitja më e vogël.
“Janë në shkollë, me 5-sa dhe me sukseset ma te mira, nashta nuk i kanë kushtet as për veshëmbathje të mira, por shkojnë në shkollë - si vetë rrijnë. Mësuset më thirrin se këta po dinë (në mësime), por po rrinë vetëm si me u frikësu prej dikujt, pak diçka me kërsit në klasë, hyjnë nën bankë—kjo po më dhemb”, vazhdon T.
Psikologia Syla shpjegon se dhuna e tillë në aspektin psikologjik të fëmijëve, mund të ketë pasoja afatgjate rreth pranimit të saj si diçka normale.
“Një fenomen tjetër është po ashtu kur prindi qëndron në lidhje me partnerin abuziv për "të mirën" e femijëve. Instikti i çdo prindi është mbrojta e fëmijës së vet, por në këtë rast ka dëme të mëdha psikologjike tek fëmija, kur rritet në një ambient ku dhuna është "normalja" dhe nënçmimi, degradimi janë elemente që fëmija është i ekspozuar gjatë gjithë kohës. Kjo në te ardhmen reflektohet ne probleme me besimin ne raport te lidhjeve, nevoja per aprovim nga të tjerët”, shton Syla.
Në 5 vitet e fundit, T. ka pësuar edhe dy aborte—një në shtëpi, dhe një në klinikë. Asnjënjëra me plotë dëshirën e saj.
Ishin kunatat, motrat e bashkëshortit që e bindën për abortin e parë, me arsyetimin se nuk i kanë kushtet e përshtatshme financiare edhe për një fëmijë tjetër.
T. K. shprehet se nga gjendja emocionale e saj, anipse nuk dëshiroi, pas një kohe u bind, dhe duke e ditur se një gjë e tillë nuk mundet të kryhet në insitucionet publike shëndetësore, ajo shkoi tek një barnatore ku kërkoi pilulin për abortim. Farmacisti fillimisht ngurroi, por pas një kohe ia dha barnat e kërkuara.
Dhe kështu, në shtëpi, T.K. e mori hapin.
“Mundem me të thonë se e kom pa tmerrin me sy, se jom kon ka vdes, kom pas dhimbje ne ekstrem jom kon smut, jom kon me ethe dhe temperaturë, dhimbje, por e kapërceva disi, (burri nuk e ka dite për abort), për shtatzani i kom thonë, por ka thonë se nuk mundet me kon e vërtetë—e kom lon, ma nuk ia kam ba as me dije.”, thotë T.K.. teksa merr frymë thellë.
Aborti, sipas Ligjit në fuqi të Republikës së Kosovës thotë se një femër e moshës madhore mund të vendosë vet mbi ndërprerjen e shtatzënisë deri në fund të javës së dhjetë të shtatzënësisë, kurse çdo ndërprerje e shtatzënisë pas javës së 10 është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional.
Pas një viti, T. mbeti shtatëzënë sërish, dhe këtë herë pavarësisht fjalëve të të afërmëve, vendosi të pranoj faktin se do të lind edhe njëherë.
Mirëpo, qëndronte një problem që T. nuk e kishte menduar fare. Ajo nuk ishte pastruar klinikisht pas abortit të parë.
“Shkova te mjeku me u kontrollu pa i tregu dikujt…dhe po më pyetë a ke pas ndonjëherë abort para kësaj shtatzenie, I thash po, më tha ku ke abortu, i thash në shtëpi. Po më vjen keq tha, k’ta duhesh me u pastru menjëherë se ke mbetje të abortit. Edhe ja nisi me më bertit “si me abortu në shtëpi—ke mujt me vdekë” , fjalë reale të saj. Pastaj prapë kam qenë shtatzanë dhe tash e kam vajzën”, rrëfen T.K.
T. ëndërron që një ditë do të jetë në gjendje të ofrojë një jetë më të mirë për fëmijët e saj, dhe secilën ditë i kërkon bashkëshortit të largohen nga ajo shtëpi. Përgjigja e tij, thotë ajo, është gjithmonë e njëjtë. “Nuk mundemi, janë vëllezërit e mi, që m’i kanë lënë amanet prindërit”.
Ajo ka histori të abuzimit nga babai i saj, dhe thotë se bën gjithcka që fëmijët e saj të mos kalojnë në të njëjtat faza, edhe pse jetojnë me frikë të përhershmme.
Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka raportuar se në periudhën janar-tetor 2024 janë raportuar gjithsej 2574 raste të dhunës në familje. Prej tyre, 2055 viktima kanë qenë të gjinisë femërore dhe 530 të gjinisë mashkullore, duke e çuar numrin total të viktimave të raportuara në 2585.
Përgjatë muajit nëntor në Kosovë, si në mbarë botën, u shënua fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në kuadër të kësaj fushate, më 26 nëntor, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, organizoi ekspozitën e titulluar "Heshtja e Dukshme”, duke i vënë theks nevojën për ndërgjegjësim ndaj dhunës.
Në raportin “Ballafaqimi me dhunën në familje në Kosovë: Trajtimi institucional ndaj dhunës në familje për periudhën Korrik 2023– Qershor 2024”, nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike, thuhet se gjatë kësaj periudhë janë regjistruar 2 mijë e 856 raste të dhunës në familje.
“Nga 2 mijë e 856 raste të raportuara, 79 për qind e viktimave janë gra ndërsa vetëm 21 për qind janë burra. Ndërsa nga 571 të arrestuar, 92.55 për qind janë burra ndërsa 7.5 për qind janë gra. Sa i përket personave të dyshuar kemi një vlerë prej 88 për qind të burrave dhe 12 për qind gra. Si konkludim…kemi edhe dhunë me bazë gjinore dhe me këtë mund të themi se reflektohet dominanca e sistemit patriarkal në shoqërinë e Kosovës”, tha Reneta Bajrami nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Psikologia Rudina Koromani flet për pasojat e mundshme afatgjata tek fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës në familje që nga mosha e hershme, duke përmendur çrregullimin e stresit posttraumatik (PTSD) si një nga fenomenet më të zakonshme. Ajo thekson se kërkimi për ndihmë është i domosdoshëm për të mirën e fëmijëve dhe të vetes.
“Jeta është një dhuratë që duhet vlerësuar si e tillë dhe duhet luftuar për ta jetuar sa më të bukur. Kërko ndihmë dhe dil sa më parë nga dhuna ku jeton! Sepse ti dhe fëmijët e tu meritoni një jetë më të mirë dhe më të bukur”, thotë psikologia Rudina Koromani.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.











