News

Bashkëpunimi tregtar ndërmjet komuniteteve është mënyra për të krijuar komunikim dhe besim


Pazari lokal me mallra të përziera në Graçanicë, në Kosovën qendrore, është

vendtakimi më i shpeshtë i komuniteteve të ndryshme. Në të njëjtën hapësirë mund të

shihni shitës dhe blerës nga komuniteti serb, shqiptar, rom, goran dhe të tjerë.

Ky pazar nuk është vetëm një vend ku bëhen blerjet e përditshme të pemëve, perimeve,

bulmetit dhe produkteve të mishit, por edhe një qendër e rëndësishme ku mblidhen dhe

komunikojnë me njëri-tjetrin popuj të kombësive të ndryshme. Kjo është një mundësi jo

vetëm për të vendosur bashkëpunim tregtar, por edhe për t'u njohur me njëri-tjetrin dhe

për të ndërtuar besimin reciprok, si dhe për të mësuar gjuhën.

E moshuara Desanka Marinkoviq, një nga shitëset me kombësi serbe, veçoi rëndësinë

e komunikimit ndërmjet komuniteteve, ndonëse beson se nuk është e nevojshme që të

rinjtë të zotërojnë të gjitha gjuhët.

“Këtu blejnë edhe shqiptarët. Janë shumë të këndshëm kur vijnë. Flasin serbisht. Ne

bashkëpunojmë edhe me kolegët shqiptarë që shesin këtu. Unë nuk e flas shqipen, por

kur vijnë shqiptarët për të blerë nga ne, të gjithë e dinë. Flasin sikur kanë lindur me ne.

Shqiptarët janë shpesh blerësit tanë dhe më besoni fitojmë mirë”, thotë Desanka.

Kur e pyesim sa e rëndësishme është që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të dinë të dyja gjuhët zyrtare në Kosovë, shqipen dhe serbishten, Desanka thotë se nuk është e nevojshme.

“Nuk është e rëndësishme që të rinjtë ta dinë gjuhën, le të jetojnë ata me kombin e tyre, ne me tonin, e të jemi me shëndetet, por të bashkëpunojmë. Nuk e di pse të gjithë janë kaq të hidhëruar, nuk durohen për shkak të Kosovës”, thotë Marinkoviq.

Në anën tjetër, Gafurr Reçica nga Lipjani, shitës me kombësi shqiptare, beson se njohja e gjuhës është vendimtare për komunikim dhe bashkëpunim të suksesshë,.

“Sigurisht që gjuha është e nevojshme për komunikim dhe bashkëpunim, të gjithë duhet të mësojnë të paktën bazat. Kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm me serbët dhe shitësit e tjerë në treg, të gjithë jemi shokë. Ndihmojmë njëri-tjetrin. Të gjithë jemi njerëz, për sa më përket mua, nuk ka dallim”, ka sqaruar Gafurri duke shtuar se brezat e vjetër flasin më mirë gjuhët e fqinjëve të tyre, ndërsa të rinjtë shpesh neglizhojnë mësimin e gjuhës.

Smail Bytyq nga Livagja është një shitës me kombësi rome. Ai ka theksuar se asnjëherë nuk ka pasur probleme me asnjë komunitet. Thotë se më e rëndësishmja

është se çfarë personi është dikush, e jo çfarë kombësie.

“Bashkëpunojmë me të gjithë. Këtu nuk shikojmë kush është kush, rëndësi ka që të ketë mall cilësor. E njoh shumë mirë gjuhën shqipe, andaj komunikojmë pa probleme. Është shumë e rëndësishme të dini gjuhën, komunikimi është gjithmonë i nevojshëm.

Shumë mirë ia kaloj me shitësit e tjerë, qofshin serbë apo shqiptarë, gjithçka është njësoj, asnjëherë nuk ka pasur problem dhe nuk ka arsye për këtë”, tha Bytyq.

Edhe pse shitësit me të cilët biseduam besojnë se politika mund të ndikojë në bashkëpunim, megjithatë, sipas tyre, mirëkuptimi dhe komunikimi luajnë rol kyç.

Shembuj pozitivë të bashkëpunimit ndërmjet shitësve dhe blerësve janë shënuar edhe në vende të tjera. Të martave, kur është ditë pazari në Bresje afër Fushë Kosovës, në Pazar, edhe mes shitësve edhe blerësve qytetarë ka nga kombësi të ndryshme. Serbët nga Uglara fqinjë shpesh sjellin prodhimet e tyre të kopshtit në këtë treg dhe ua shesin shqiptarëve. Po ashtu, banorët e Uglarit furnizohen me mallra nga shitoret në Fushë Kosovë, pronarët e të cilave janë kryesisht shqiptarë. Ata besojnë se tregtia i bashkon njerëzit.

Në fund të prillit të këtij viti, afër urës kryesore të Ibrit në Mitrovicën e Veriut u hap një treg multietnik me mallra të konsumit. Qëllimi i këtij manifestimi ishte që të lidhin bizneset nga Mitrovica Veriore dhe Jugore, por edhe më gjerë, që ekspozuesit t'i prezantojnë produktet e tyre para komuniteteve, të rrjetëzohen, por edhe të inkurajojnë zhvillimin ekonomik në nivel lokal. Ndonëse viteve të fundit ka vite tensione në veri të Kosovës, muajve e fundit në Mitrovicën e Veriut po hapen gjithnjë e më shumë lokale në pronësi të shqiptarëve. Së fundmi në këtë qytet është hapur edhe rrjeti i dyqaneve Meridian Express. Në këtë shitore në mesin e punëtorëve është edhe një serb.

“Ofrojmë shërbimin më të mirë, ofrojmë produkte të reja. Ne kemi një gamë të gjerë produktesh për të gjithë klientët. Kemi shtatë persona që punojnë për ne. Shumica prej tyre, gjashtë nga shtatë, flasin të dyja gjuhët dhe kjo nuk duhet të kontestohet sa i përket ofrimit të shërbimeve”, tha Agon Gashi, menaxher i këtij zinxhiri tregtar, me rastin e hapjes së “Meridian Express”.

I pyetur nëse presin që në këtë objekt të vijnë serbët për tu furnizuar, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane është përgjigjur pozitivisht. “Nuk e di pse duhet t'i ndajnë shitoret në shqiptare dhe serbe, sepse po të shkoni në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, asnjë nga bizneset nuk është i regjistruar si shqiptar apo serb, boshnjak, pra në bazë të origjinës. Të gjitha këto janë biznese kosovare”, ka thënë Zeka. Graçanica dhe Mitrovica e Veriut nuk janë vendet e vetme në Kosovë ku ka komunikim dhe tregti. Edhe pazari i Gjilanit ka qenë shembull për 25 vjet. Për shumë shitës nuk është vetëm një vend tregtie, por edhe një mundësi për të takuar miqtë, për të shkëmbyer rrëfime dhe lajme, madje edhe për të bërë miq të rinj.

Ky lloj bashkëpunimi mes tregtarëve, por edhe tregtarëve dhe blerësve, pa dallim kombësie, prej vitesh funksionon pa probleme. Në pazar mund të gjeni kryesisht

produkte ushqimore vendase, turrshi, veshje të punuara me dorë, çanta dore, bizhuteri të punuara me dorë, lule, melheme, preparate bimore dhe gjëra të tjera që përfaqësojnë një formë të ruajtjes së kulturës që në këtë mënyrë u përcillet brezave të ardhshëm.

Share this Post: