Bashkëpunimi i të rinjve nga komunitete të ndryshme është çelësi për një të ardhme më të mirë në Komunën e Pejës
Vitet e fundit të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak, bashkë me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, bashkëpunojnë për të bërë ndryshime pozitive në Komunën e Pejës. Përmes projekteve të ndryshme, aktiviteteve dhe vizitave multietnike, të rinjtë ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe thyejnë stereotipet, duke vënë në dukje rëndësinë e bashkimit dhe komunikimit në një shoqëri multikulturore. Milana Zllatiçanin, praktikante në Radio Gorazhdec, aktivisht merr pjesë në këto projekte dhe beson se është thelbësore që të rinjtë nga komunitete të ndryshme të mësojnë më shumë për njëri-tjetrin.
“Zgjerimi i horizonteve dhe krijimi i njohjeve të reja ndihmon në thyerjen e stereotipeve. Këto projekte janë baza e marrëdhënieve të mira mes të rinjve. Ata kanë vullnet dhe dëshirë për t'u njohur me njëri-tjetrin. Atyre vetëm duhet t'u jepet mundësia, gjë të cilën ky projekt e mundësoi me sukses”, thotë Milana.
Mirëpo, Milana thekson se komunikimi mes të rinjve nga komunitetet e ndryshme në komunën e Pejës nuk është në nivel të lakmueshëm, ndonëse sheh potencial për ndryshim.
“Të rinjtë duan paqe dhe afrim me njerëzit e komuniteteve të tjera. Mungesa e mundësive për aktivitete të përbashkëta është një sfidë e madhe, megjithatë, ngjarjet si vizitat multietnike, seminaret dhe trajnimet ua ofrojnë mundësinë për të kaluar kohën së bashku”, thekson ajo.
Edhe Dardane Kastrati, gazetare në Radio Peja nga Peja, ndan optimizmin e njëjtë për të ardhmen e komuniteteve dhe të rinjve. Ajo thekson se projekti në të cilin ka marrë pjesë, përveçse ka dhënë kontribut për shoqërinë, ka ndërtuar marrëdhënie miqësore mes pjesëmarrësve nga komunitete të ndryshme.
“Komunikimi në mesin e të rinjve në Komunën e Pejës është i kënaqshëm, por besoj se duhet të realizohen më shumë projekte dhe të përfshihen të rinjtë nga komunitete të tjera, si rom, ashkali dhe egjiptianë. Besoj se nëse punojmë të gjithë së bashku, mund të arrijmë shumë gjëra të mira për komunitetin tonë”.
Edhe Rexho Kojiq, një nga përfaqësuesit e organizatës joqeveritare boshnjake “Vullnetarët e rinj” nga Vitomirica, është i kënaqur me bashkëpunimin mes të rinjve nga komuniteti serb dhe shqiptar.
“Puna jonë ka qenë konstruktive dhe bëri të mundur ndërtimin e besimit. Komuniteti boshnjak luajti një rol të rëndësishëm si urë lidhëse ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar për shkak të njohjes së të dyja gjuhëve dhe dëshirës për të krijuar më shumë lidhje”, thotë Rexho.
Megjithatë, ai thekson se është e nevojshme të përdoren të gjitha mundësitë në dispozicion për prosperitet në të ardhmen.
“Komunikimi është i mirë, por mund të jetë më i mirë përmes më shumë aktiviteteve dhe projekteve. Mundësitë janë të mëdha, thjesht duhet të përfitoni prej tyre”, shton ai. Për sa i përket të ardhmes, bashkëbiseduesit mbeten optimistë, por të vetëdijshëm për sfidat. Rexho tërheq vërejtjen lidhur me ndikimin e situatës ekonomike dhe të sigurisë në rajon, si dhe pasojat post-pandemike që janë duke u ndjerë ende.
“Migrimi është një problem i madh dhe shpresoj se të rinjtë do të qëndrojnë këtu, në vend që të shkojnë jashtë vendit”, përfundon ai.
Këto aktivitete tregojnë se të rinjtë janë të gatshëm të tejkalojnë dallimet dhe të punojnë bashkë për të krijuar marrëdhënie më të mira. Ndonëse komunikimi aktual nuk është në një nivel të lartë, ka gatishmëri të dukshme për ndryshime, gjë që mund të çojë në përmirësim afatgjatë. Pavarësisht sfidave ekonomike dhe sociale, të rinjtë besojnë në një të ardhme më të mirë, duke u mbështetur në aftësitë dhe bashkëpunimin e tyre, duke hedhur kështu themelet për një jetë të përbashkët më të qetë dhe më të qëndrueshme.