Vesti

U ndanë Çmimet e Verifikimit të Fakteve - 2025


3956-title

Në një kohë kur dezinformimi dhe propaganda po ndikojnë gjithnjë e më shumë në debatin publik dhe proceset demokratike, gazetaria e bazuar në fakte mbetet një nga shtyllat kryesore të interesit publik. Me këtë qëllim, u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimeve të Verifikimit të Fakteve, ku u vlerësuan storjet që kontribuojnë në ekspozimin e dezinformimit dhe forcimin e gazetarisë profesionale. Nga 19 aplikime të pranuara, juria profesionale në përbërje: Dren Gërguri, Mexhide Demolli dhe Gjeraqina Tuhina, vlerësoi storjet në fushën e verifikimit të fakteve dhe luftës kundër dezinformimit.

Vendi i parë Fitim Gashi – Sbunker

“Telegrami si laborator i propagandës dhe urrejtjes” Ky hulumtim trajton fushatat e koordinuara të dezinformimit përmes rrjeteve të kanaleve në gjuhën serbe dhe ruse në Telegram, të cilat kryesisht targetojnë komunitetin serb në Kosovë. Duke përdorur mjete digjitale monitorimi, përfshirë OSINT, analizë të përmbajtjes dhe verifikim faktesh, hulumtimi hedh dritë mbi mënyrën se si këto kanale, në koordinim me media pro-Kremlinit, orkestrojnë narrativë manipuluese dhe të rrezikshme. Punimi dokumenton përhapjen ciklike të urrejtjes dhe dezinformimit, frikësimet, kërcënimet dhe etiketimet stigmatizuese ndaj individëve që bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, si dhe keqpërdorimin e historisë për të krijuar perceptime kërcënuese. Gjetjet tregojnë rritje të aktivitetit gjatë krizave politike e të sigurisë, zgjedhjeve dhe protestave. Hulumtimi është publikuar edhe në platforma rajonale dhe është shoqëruar me produkte multimediale (reels, video, infografika).

Çmimi u nda nga Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Vendi i dytë Sandra Cvetkoviq – Radio Evropa e Lirë

“Si përhapën mediat ruse përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë?” dhe “Ndikimi i mediave ruse para zgjedhjeve lokale në Kosovë” Këta dy artikuj përbëjnë një tërësi të lidhur që dokumenton dhe verifikon mënyrën se si dezinformimi dhe narrativat manipuluese ndikojnë në proceset politike dhe jetën e përditshme në Kosovë, veçanërisht brenda komunitetit serb. Tekstet analizojnë raportimin e mediave shtetërore ruse RT Balkan dhe Sputnik Serbia gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit dhe zgjedhjeve lokale të tetorit, përmes monitorimit sistematik të dhjetëra publikimeve, analizës cilësore të përmbajtjes dhe krahasimit me raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për Zgjedhjet. Gjetjet tregojnë se këto media favorizojnë Listën Serbe, margjinalizojnë aktorë të tjerë politikë serbë dhe i paraqesin institucionet e Kosovës dhe Perëndimin si përndjekës të serbëve, pa prova. Analiza i vendos këto narrativa në kuadër më të gjerë të ndikimit hibrid rus në Ballkanin Perëndimor, duke i ofruar publikut fakte të verifikueshme në vend të sloganeve politike.

Çmimi u nda nga Jeta Xharra, Drejtore Ekzekutive e BIRN Kosova.

Vendi i tretë Xhezair Dashi & Arbër Ramadani – Nacionale

“Profile ‘grash të rreme’ që diseminojnë propagandë politike në kohë fushate zgjedhore” Autorët kanë hulumtuar diseminimin e propagandës politike përmes profileve të “grave të rreme” në Facebook gjatë fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Përmes artikujve dhe videove, ata kanë identifikuar mënyrën e operimit, paternat e ndërveprimit dhe shtrirjen e mesazheve partiake, duke treguar se këto profile ndërtojnë ndjekje të mëdha për të përçuar mesazhe politike në mënyrë mashtruese. Hulumtimi ka kontribuar edhe në mbylljen e dy prej profileve më problematike, pasi Meta konstatoi shkelje të rregullave të komunitetit.

Çmimi u nda nga Dren Gërguri, Kryetar i Jurisë.

I urojmë fituesit dhe i falënderojmë të gjithë aplikuesit për punën dhe angazhimin e tyre, si dhe partnerët që e bënë të mundur këtë ngjarje.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit MIDWatch, i implementuar nga BIRN Kosova në partneritet me Internews Kosova dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me përkrahje nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Share this Post: