Vesti

Op-Ed: Roli i infermierëve në humanizimin e kujdesit shëndetësor


4165-title

Autore: Fekrije Hasani

Në kujdesin shëndetësor, jo çdo gjë që ka rëndësi mund të matet me analiza, parametra apo rezultate klinike.

Ka momente kur pacienti ka nevojë që dikush t’ia shpjegojë edhe një herë atë që nuk e ka kuptuar. Ka momente kur frika nuk thuhet me fjalë, por shihet në heshtje, në mënyrën se si pacienti përsëritë të njejtën pyetje, apo si kërkon siguri te personi që qëndron pranë tij.

Ne shumicën e rasteve, infermierët janë ata që i vërejnë këto. Infermieret janë ndër profesionistët që kalojnë më së shumti kohë pranë pacientit. Ata përcjellin gjendjen e tij, zbatojnë procedurat dhe terapinë, por njëkohësisht dëgjojnë edhe pyetjet, shqetësimet dhe frikën që jo gjithmonë mund të ia drejtojnë mjekut gjatë një konsultimi.

Pikërisht këtu fillon humanizimi i kujdesit shëndetësor: në aftësinë për të parë përtej diagnozës dhe për të parë njeriun që jeton me të.

Në praktikën shëndetësore është e lehtë që pacienti të shndërrohet, pa dashje, në një dosje apo numër dhome, në një diagnozë apo në detyrën e radhës që duhet përfunduar. Ritmi i punës, përgjegjësitë dhe numri i pacientëve e bëjnë këtë rrezik edhe më të madh.

Por pacienti që ne e shohim si një rast mes shumë rasteve, mund të jetë duke përjetuar një nga ditët më të vështira të jetës së tij.

Prandaj, kujdesi i përqendruar te pacienti nuk mund të kufizohet vetëm te pyetja: “Çfarë trajtimi i nevojitet?” Duhet të pyesim edhe: “Çfarë është e rëndësishme për këtë person? Çfarë e shqetëson? Çfarë nuk po e kupton?”

Komunikimi nuk është vetëm mirësjellje. Është pjesë e kujdesit profesional. Një shpjegim i qartë mund ta zvogëlojë frikën dhe përmirësimin e përvojes së pacientit. Dëgjimi mund të zbulojë një shqetësim që pacienti nuk ka ditur ta shprehë, kuptoj nevojat e tij duke krijuar një marrëdhënie të bazuar në besim. Përfshirja në vendimmarrje mund t’i rikthejë një pjesë të kontrollit në një moment kur sëmundja ia ka marrë atë.

E njëjta gjë vlen edhe për dinjitetin.

Dinjiteti ruhet në gjërat që ndonjëherë duken të vogla: në mënyrën si i drejtohemi pacientit, si e respektojmë privatësinë e tij, si ia shpjegojmë një procedurë dhe nëse flasim me të apo vetëm për të.

Humanizimi, megjithatë, nuk do të thotë vetëm të jemi të sjellshëm. Ai kërkon partneritet. Kujdesi modern nuk duhet të jetë diçka që infermieria „bën për pacientin“, por diçka që ndërtohet së bashku me të.

Kujdesi i përqendruar te pacienti kërkon që ai të dëgjohet, të informohet dhe të përfshihet në vendimet për shëndetin e tij. Infermieria ka një rol të veçantë në këtë proces, duke mbrojtur nevojat, zgjedhjet dhe dinjitetin e pacientit brenda ekipit shëndetësor.

Por kujdesi i përqendruar te pacienti nuk mund të varet vetëm nga vullneti i mirë i infermieres. Edhe profesionisti më i përkushtuar e ka të vështirë të ofrojë kujdes njerëzor kur punon nën presion, me ngarkesë të madhe dhe pa kohë të mjaftueshme për komunikim.

Prandaj, krahas aftësive klinike, nevojiten institucione që e mbështesin këtë qasje. Edukimi i vazhdueshëm, aftësitë e komunikimit dhe një kulturë që e konsideron dëgjimin dhe informimin e pacientit pjesë të kujdesit janë po aq të rëndësishme.

Teknologjia, pajisjet dhe protokollet janë të domosdoshme për një trajtim cilësor, por nuk mund ta zëvendësojnë marrëdhënien njerëzore.

Një infermiere nuk mund ta ndryshojë gjithmonë rrjedhën e sëmundjes. Por mund të ndikojë thellësisht në mënyrën se si një njeri e përjeton sëmundjen dhe trajtimin.

Humanizimi i kujdesit shëndetësor fillon nga mënyra se si e shohim pacientin. Nëse e shohim vetëm si një diagnozë, kujdesi rrezikon të mbetet teknik. Nëse e shohim si njeri me nevoja fizike, emocionale dhe sociale, atëherë kujdesi merr një dimension tjetër.

Prandaj, fuqizimi i infermierëve nuk është vetëm një çështje profesionale. Është një domosdoshmëri për një sistem shëndetësor që dëshiron të jetë më cilësor, më i drejtë dhe më i orientuar drejt pacientit.

Në fund të fundit, pacienti mund të mos e mbajë mend çdo procedurë që i është bërë, por do ta mbajë mend si është ndier gjatë kohës kur ka pasur më shumë nevojë për kujdes.

Dhe pikërisht aty qëndron fuqia e infermieres: të kujdeset jo vetëm për sëmundjen, por për njeriun që jeton me të.

Ky opinion është publikuar në kuadër të projektit “Avancimi i raportimit mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse”, i zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në partneritet me Projektin Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Për më shumë mbi këtë temë, lexoni edhe hulumtimin e zgjeruar të gazetares Bubulina Peni , “Kujdesi që pacienti e mban mend", në këtë vegëz: https://familjajone.com/kujdesi-qe-pacienti-e-mban-mend/

Share this Post: