U përmbyll Programi i Mentorimit për Gratë e Reja Gazetare
Në kuadër të ngjarjes “Nga analiza në veprim: Forcimi i lidershipit të grave dhe luftimi i dezinformimit gjinor në Kosovë”, u mbajt edhe paneli përmbyllës i Programit të Mentorimit për Gratë e Reja Gazetare, i cili mblodhi bashkë mentoret dhe menteet për të reflektuar mbi përvojën dhe rrugëtimin e tyre gjatë programit.
Paneli, me temën “Nga analiza në veprim – Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të grave gazetare”, u moderua nga Artiola Babuni, AGK, ndërsa pjesë e diskutimit ishin mentoret Gentiana Begolli Pustina, redaktore në RTK; Figen Shaban, nga redaksia turke e RTK-së; dhe Remzie Shahini Hoxhaj, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, së bashku me menteet Shyret Hoxhaj, Resa Krasniqi, Shpresa Rakovica dhe Besarta Jashari.
Gjatë panelit, mentoret dhe menteet ndanë përvojat e tyre nga rrugëtimi i mentorimit, duke folur për rëndësinë e udhëzimit profesional, ndërtimit të rrjeteve, mbështetjes mes grave dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim në gazetari.
Mentoret theksuan rëndësinë e përcjelljes së përvojës dhe njohurive te gjenerata e re e gazetareve, ndërsa menteet ndanë se si programi u ka ndihmuar të fitojnë më shumë siguri profesionale, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të krijojnë lidhje të reja brenda komunitetit mediatik.
Diskutimi u përqendrua gjithashtu në sfidat me të cilat përballen gratë e reja në gazetari, nevojën për më shumë mundësi për zhvillim profesional, si dhe rëndësinë e solidaritetit dhe rrjeteve profesionale në avancimin e grave në media.
Duke folur për rëndësinë e programit, Amanda Fisher, Zëvendësudhëheqëse e Zyrës për Komunikim Strategjik dhe Çështje Publike në UNMIK, theksoi se mentorimi është një element i rëndësishëm për fuqizimin e grave në media.
“Mentorimi nuk është vetëm një mundësi për zhvillim në karrierë – ai është një korrigjim strukturor”, tha Fisher.
Fisher vlerësoi punën e mentoreve dhe menteeve, duke theksuar se përmes këtij programi gazetaret e reja patën mundësi të ndërtojnë marrëdhënie profesionale me gra me përvojë në media, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të krijojnë rrjete të qëndrueshme mbështetëse.
Programi i Mentorimit për Gratë e Reja Gazetare krijoi një hapësirë të veçantë për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe mbështetjes mes gjeneratave të ndryshme të gazetareve, duke kontribuar në forcimin e lidershipit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre në media.
Përmes programit, pjesëmarrëset patën mundësi të përfitojnë nga përvoja profesionale e mentoreve, të diskutojnë për sfidat e punës në media dhe të krijojnë lidhje të reja që mund të shërbejnë si bazë për bashkëpunime të ardhshme profesionale.
Ngjarja u përmbyll me ndarjen e certifikatave për mentoret dhe menteet, duke shënuar përfundimin e këtij rrugëtimi, por njëkohësisht edhe fillimin e lidhjeve dhe bashkëpunimeve të reja profesionale mes pjesëmarrëseve.
Programi u mbështet nga UNMIK, ndërsa përmes tij u synua fuqizimi i grave të reja në gazetari, zhvillimi i tyre profesional dhe krijimi i një komuniteti më të fortë të grave gazetare në Kosovë.











