Lajmet

"Si e ka zakoni!": Kërkesa për "testim" virgjëriteti, rritë atë për himenoplastikë


3478-title

Autore: Albina Kastrati

“Ma kanë lshu qikën se nuk ka qenë e virgjër, a bon me ma kontrollu”,

Është një nga rastet që ka hasur gjatë karrierës së saj, specialistja e mjekësisë ligjore, Bergita Curri. Ekziston një keqkuptim se në Institutin e Mjeksisë Ligjore kryhen ekzaminime të virgjërisë tek vajzat dhe gratë, sipas Currit, ku kërkesa është ende prezente për këtë lloj testimi.

“Ekzaminimi klinik mjeko-ligjor i cili realizohet kur ka një rast abuzim seksual të një personi të mitur, të cfardo rasti që ka të bëjë me fushën e shkeljes së integriteit seksual të dikujt, nuk është certifikim i virgjërisë”, thotë Curri.

Anipse ekzaminimi i virgjëritetit në vitin 2022 në Republikën e Kosovës është i ndaluar me ligj sipas Kodit Penal dhe konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut, doktoresha Bergita Curri thekson se ka ende kërkesë, sidmos në klinikat private.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme (për testim të virgjërisë)...dallimi është që testimi për virgjëri e kërkojnë familjarët ku nuk ka asnjë bazë pse ne duhet të përfshihemi si profesionit, ndërsa personat që e kanë parasysh biznesin nuk lodhën shumë për shkeljen e të drejtave të njeriut, ai i merr paratë.”, shton Curri.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se: “Bashkëpunojmë ngushtë me Inspektoriatin Shëndetësor për të monitoruar dhe hetuar çdo raportim të shkeljeve. Nëse konfirmojmë se ekzaminimi i virgjërisë po praktikohet në klinika private, do të ndërmarrim masa të menjëhershme dhe të rrepta për ta ndaluar dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të pacientëve dhe standardet profesionale.”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, kur u pyet Inspektoriati Shëndetësor lidhur me testimin e virgjërsië në klinikat private, ata u përgjigjën se: “Inspektorati Shëndetësor nuk ka informata dhe se nuk ka ndonjë hulumtim lidhur me çështjen në fjalë.”

Mirëpo, edhe psikologia Selvi Izeti thotë se testi i virgjërisë në Kosovë, megjithëse i jashtëligjshëm, vazhdon të praktikohet në disa klinika private, dhe se koncepti i tanishëm i virgjërisë në shumë familje në Kosovë lidhet me reputacionin e vet familjes. “Nocionet patriarkale të thella në shoqërinë kosovare vazhdojnë të kontrollojnë trupin dhe seksualitetin e grave, duke kontribuar në vazhdimin e kësaj praktike, pavarësisht ndalimeve ligjore”, thotë Izeti. Sipas psikologës, kërkesa për një testim të tillë është problematike në disa aspekte, si ai psikologjik dhe social, pasi konsiderohet edhe si dhunë gjinore sepse cënon privatësinë dhe ndërhynë në integritetin e grave. “Psikologjikisht, ai (testimi) shkakton ndjenja turpi, poshtërimi, dëshpërimi, frikë dhe ankth të lartë, mund të shkaktojë trauma të rënda dhe të rikthejë trauma të mëparshme të lidhura me hetimet e abuzimeve seksuale, duke ndikuar në humbjen e vetëbesimit dhe vetë-urrejtjen. Vajzat që përjetojnë këtë proces shpesh ndjejnë dëshpërim të thellë dhe humbje të vetëvlerësimit. Në nivel social, testimi kontribuon në ndjenjat e turpit dhe poshtërimit, që çojnë në stigmatizim dhe diskriminim, shpesh me refuzim dhe dhunë në emër të nderit të familjes.”, shton psikologia Selvie Izeti.

Në Institutin e Mjeksisë Ligjore kryehen testime të rasteve të dhunimit seksual, për të gjetur dëshmi të rastit, ku sipas Currit, mosha e viktimave fillon nga fëmijëria, me grupmoshën më të prekur 11-16.

“Për dhunë seksuale i kemi diku 100 raste në vit, viteve të fundit e kemi parë një rritje (2022, 2023), në vitin 2022 për herë të parë është kaluar numri 100 i ekzaminimeve klinike...ajo që ka qenë shqetësuese në vazhimësi ka qenë mosha e këtyre rasteve, mbi 70% të viktimave të dhunë seksuale janë të moshës 11 deri në 16 vjeç.” Curri rikujton kohën kur ky ekzaminim nuk ishte ende i përfshirë në Kodin Penal, dhe kërkesën e madhe nga familjarët, zakonisht nga baballarët, partenerët, vëllezërit.

“E mbaj mend që në vitin 2005 kur unë e kam filluar punën së pari si mjeke e përgjithshme, në këtë insititut ne kemi pasur shumë më shumë njerëz që kanë ardhur”.

Ajo shpjegon tutje se mëngjesi i të hënave ka qenë me plotë kërkesa për këtë lloj testimi, dhe arsyeja për këtë është që në atë kohë, martesat janë kryer më së shumti ditën e diel: “

“...ishte babai duke thënë “ma kanë lshu qikën se nuk ka qenë e virgjër, a bon me ma kontrollu”... i kemi refuzuar të gjitha rastet...tash vijnë më rrallë. Vitin e kaluar kam qenë tek dera kur ka ardhur një cift i kam thënë vetëm largohuni se mundem ta thërrasë policin sepse kjo është vepër penale.””, shton Curri.

Gjithashtu, Organizata e Kombeve të Bashkuara e denoncojnë testimin e virgjërisë si shkelje të të drejtave të vajzave dhe grave, e cila mund të jetë e dëmshme për mirëqenien e tyre fizike, psikologjike dhe sociale. Ekzaminimi mund të jetë “i dhimbshëm, poshtërues dhe traumatik”, dhe përforcon nocionet stereotipe të seksualitetit femëror dhe pabarazisë gjinore.

Himenoplastika, pasojë e kërkesës për testim të virgjërisë?

Himenoplastika është një procedurë e kirurgjisë estetike për gratë që lejon rindërtimin e himenit.

Doruntinë Gashi, aktiviste për të drejtat e grave dhe njëherësh drejtoreshë e oeganizatës joqeveritare “Humanus Vita”, beson se himenoplastika është pasojë e drejtpërdrejtë e kërkesës për testim të virgjëritetit në Kosovë.

“Presioni social dhe normat kulturore që lidhin vlerën e një gruaje me virgjërinë krijojnë një mjedis ku disa gra ndihen të detyruara t’i nënshtrohen kësaj procedure. Kjo forcon kontrollin patriarkal dhe stigmatizimin, duke theksuar nevojën për edukim dhe zbatim të rreptë të ligjeve që ndalojnë praktikat e tilla të dëmshme.”, thotë Gashi.

Curri e bindur shpjegon se nga fenomini shoqëror për kërkesë të testimit, është rritur këresa për këtë ndërhyrje,dhe prandaj është propozuar që testimi të futet në Kodin Penal.

“Për rastet e virgjërisë mund të bëhet nëpër klinikat private, e bëjnë gjinekologët...për më tepër kërkohet edhe një procedurë tjetër që është futur si një mekanizëm komercial, qepja e himent, himenoplastika e cila ka buruar nga kërkesa për të dëshmuar virgjërinë, mjektë janë lëshu dhe kanë hyrë në këtë vallen e moralit dhe dëshmisë së moralit në nivel të shoqërisë.”, thotë Curri.

Sociologia Flakë Ymeri e sheh problematike kërkesën për testim të virgjeritetit pasi: “është dicka personale dhe i takon vetëm personit dhe duhet respektuar atë pjesë, sepse mund të ketë histori të ndryshme që nëse kërkohet testimi mund të preken shumë (ngjarje) traumatike si dhe të ndikojë në shendetin mendor.”, thotë sociologia.

A është Edukimi Seksual zgjidhja?

Aktivistja Gashi tregon se për herë të parë kur ka mësuar për konceptin e virgjinitetit ka qenë në moshë të re, ajo se çfarë mësoi ishte se koncepti i virgjinitetit është i lidhur ngushtë me traditat në shoqërinë ku ajo jetonte.

“Ishte e po ashtu e natyrshme qe pas martesës te ndaheshin çiftet ose te “leshohej” nusja ngaqe nuk kishte dale “qysh duhet”, duke u konsideruar si nje grua e keqe dhe e pamoralshme. Megjithatë, vetëm më vonë, duke u rritur dhe duke eksploruar më shumë, e kuptova se sa komplekse dhe shpesh e ngarkuar është kjo çështje, duke pasur ndikime të thella në jetët dhe liritë e individëve, veçanërisht të grave.”, thotë aktivistja.

Edukimi seksual në Kosovë nuk ekziston si lëndë e veçantë, në kurrikulën bërthamë është e përfshirë në kuadër të lëndëve Biologjia dhe Njeriu dhe Natyra.

Mësimdhënësia A.D nga Podujeva thotë se ekziston një dallim i dukshëm në mes rajoneve lokale dhe ato qëndrore, sa i përketë përceptimit dhe konceptit të virgjinitetit..

“Tek ne ende disa zona lokale kem prapambeturi, ku ende nuk fliten temat tabu me fëmijët, pra prindërit ende nuk janë të lirë të flasin me fëmijët e tyre në mënyrë të hapur për tema të ndieshme...Prindërit janë ata që duhet t’i informojnë më lirshëm fëmijët e tyre me tema të tilla, pra mos të hezitojnë po të flasin lirshëm për këto tema.”, thotë A.D. Ajo shton se edukimi seksual nuk është lëndë zgjedhore në shkollën ku ajo punon ,mirëpo ka urgjencë që të futet në kurrikulë. “Mendoj që patjetër duhet të futet qoftë si e vetme ose edhe si edukim shëndetësor e në kuadër të saj të jenë edhe disa kapituj lidhur me edukimin seksual.”, përfundon mësimdhënësja A.D.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët dhe adoleshentët kanë të drejtë të edukohen për veten dhe botën përreth tyre në një mënyrë të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin – dhe ata kanë nevojë për këtë mësim për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Psikologe Selvi Izeti thotë se integrimi i edukimit për barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut në kurrikulat shkollore mund të ndihmojë në ndryshimin e normave kulturore, fuqizimin e të rinjve për të sfiduar praktikat diskriminuese.

“Trajtimi i kësaj çështjeje kërkon një qasje të gjithanshme që përfshin zbatimin e rreptë të ligjit, edukimin e gjerë dhe shërbimet e mbështetjes për vajzat që kalojnë në këtë proces.”, thotë Izeti.

Bergita Curri shton se ka neglizhencë si nga institucionet përkatëse ashtu edhe brenda vet familjes për të edukuar fëmijët lidhur me shëndetin e trupit të tyre, për arsye “morali”, pasi konsiderohet si e turpshme të flitet një gjë e tillë, mirëpo nga viktimat e shumta të dhunës seksuale që ka ekzaminuar deri më tani, Curri tregon se është e dhimshme të kryesh ekzaminime të cilat ai fëmijë nuk e ka idenë se cfarë i ka ndodhur parimishit.

“Unë e shoh që edhe shkollat nuk bëjnë mjaftueshëm për t’i krijuar fëmijëve (hapësirë), nuk i shoh institucionet , arsimtarët, mësimdhënësit që krijojnë ambiente ku fëmijët mund të diskutojnë ckado që ata dëshirojnë të dinë...prindërit vet nuk e krijojnë ambientin për të diskutuar lirëshëm për seksualitetin”, thotë specialistja e mjeksisë ligjore.

***

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit "Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore". Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian';

Share this Post: