Shpallje për çmimet rreth raportimit të përgjegjshëm për diabet për vitin 2024
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me projektin Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe projektin Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), shpall thirrjen për Çmimin për Raportimin e Përgjegjshëm rreth Diabetit 2024.
Ky çmim synon të vlerësojë punën e gazetarëve që rrisin vetëdijësimin dhe ofrojnë informacione të sakta për diabetin.
Qëllimi
Ky çmim vlerëson punën e gazetarëve që kanë ndikuar në edukimin publik për diabetin, trajtimin, parandalimin dhe pasojat e tij, si dhe rritjen e vetëdijësimit publik për diabetin.
Kushtet për aplikim
Të drejtë aplikimi kanë gazetarët nga Kosova.
Artikujt / storiet (video dhe audio) duhet të jenë të publikuara gjatë vitit 2024 deri me 14 nëntor 2024.
Kriteret për vlerësim
- Saktësia dhe besueshmëria e informacionit mbi faktet mjekësore lidhur me diabetin.
- Hulumtim i thelluar, përfshirë të dhëna dhe ekspertizë kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Origjinaliteti dhe qasja kreative ndaj temës.
- Potenciali për të pasur ndikim pozitiv në rritjen e vetëdijësimit për diabetin.
- Demonstrimi i nivelit më të lartë të përgjegjshmërisë etike në trajtimin e temës.
Procesi i aplikimit
Aplikimet mund të dërgohen përmes formularit në e-mailin: aplikimet@agk-ks.org.
Artikujt/storjet duhet të përfshijnë një kopje digjitale ose vegëzën e publikimit.
Fituesit do të shpallen gjatë ceremonisë që do të mbahet me 27 nëntor 2024, në Prishtinë.
Do të ndahen tre çmime: çmimi i parë €600; çmimi i dytë €450, dhe çmimi i tretë €300.
Rreth projekteve që mbështesin Çmimin për Raportimin e Përgjegjshëm rreth Diabetit
Çmimi për Raportimin e Përgjegjshëm rreth Diabetit mbështetet nga projektet IHS dhe AQH. Të dy projektet janë nisma të përbashkëta të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) të Kosovës, të zbatuara nga Instituti Zviceran për Sëmundje Tropikale dhe Shëndet Publik (Swiss TPH).
Qëllimi i këtij aktiviteti është të mbështesë gazetarët, redaktorët, blogerët dhe profesionistët e tjerë të medias për të përmirësuar informacionin e saktë publik dhe për të rritur vetëdijësimin mbi sëmundjet kronike jongjitëse (SJN), si kontribut për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit shëndetësor në Kosovë dhe fuqizimin e komunitetit të pacientëve për të menaxhuar më mirë shëndetin e tyre.
Çmimi për Raportimin e Përgjegjshëm rreth Diabetit – 2024 FORMULARI I APLIKIMIT
Data e fundit për aplikim: 15 nëntor 2024, 16:00.