Lajmet

SafeJournalists: Sulmi i Dodikut ndaj gazetarit të BHRT-së në Bosnjë dhe Hercegovinë është përpjekje për të diktuar se kush mund t’i sfidojë të pushtetshmit


4206-title

Ilustrimi: Canva

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për sulmin verbal të presidentit të SNSD-së, Milorad Dodik, ndaj gazetarit të Radio Televizionit të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHRT), Vladimir Šušak, gjatë një konference për media të organizuar nga Qeveria e Republikës Srpska në Banja Luka, të hënën, më 19 tetor 2026.

Pasi Šušak e pyeti kryeministrin e Republikës Srpska, Savo Minić, për termocentralin e Ugljevikut, furnizimin me qymyr, kostot e pajisjeve dhe rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike, Dodik vuri në pikëpyetje legjitimitetin e gazetarit, shpërfilli BHRT-në dhe urdhëroi që atij t’i hiqej mikrofoni.

Pyetjet për çmimet e energjisë, prokurimin publik dhe shpenzimin e parasë publike janë çështje me interes të ligjshëm publik. Në vend që ta lejonte kryeministrin të përgjigjej, Dodik e shfrytëzoi rastin për ta sulmuar gazetarin dhe për ta diskredituar transmetuesin publik që ai përfaqëson.

Deklarata e Dodikut se gazetari “nuk është publiku”, pohimi i tij se BHRT-ja nuk i intereson dhe pretendimi se RTRS-ja është “televizioni ynë” janë po ashtu të papranueshme.

Transmetuesit publikë u shërbejnë qytetarëve, jo partive politike apo liderëve të tyre. Në një kohë kur BHRT-ja po përballet me një krizë të rëndë financiare, deklarata të tilla e dëmtojnë edhe më tej rolin e transmetuesit publik në nivel shtetëror dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur dhe të paanshëm.

Veçanërisht shqetësues është fakti që një konferencë zyrtare për media, e organizuar nga qeveria, u shfrytëzua për të shënjestruar një gazetar, ndonëse Dodik nuk mban më asnjë funksion ekzekutiv apo legjislativ në Republikën Srpska.

Mandati i tij si president i Republikës Srpska përfundoi më 12 qershor 2025, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës. Përfundimi i mandatit u konfirmua më pas edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë dhe Hercegovinës. Dodik është kryetar i partisë politike SNSD dhe jo përfaqësues i Qeverisë së Republikës Srpska.

Rrjeti SafeJournalists e konsideron të papranueshme që aktivitetet publike të organizuara nga Qeveria e Republikës Srpska dhe Zyra e Presidentit të Republikës Srpska të shfrytëzohen për të nxitur armiqësi ndaj BHRT-së dhe gazetarëve të saj.

Këto aktivitete duhet t’i shërbejnë interesit publik dhe jo të shndërrohen në platforma për frikësimin e gazetarëve, diskreditimin e mediave publike apo pengimin e punës së tyre.

Borka Rudić, sekretare e përgjithshme e Asociacionit të Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës, deklaroi për Rrjetin SafeJournalists se asnjë lider politik nuk ka të drejtë të vendosë se cilët gazetarë janë legjitimë apo çfarë pyetjesh mund të bëjnë.

“Qeveria e Republikës Srpska dhe institucionet përkatëse duhet të sigurojnë që aktivitetet zyrtare publike të jenë të hapura për gazetarët dhe mediat pa diskriminim, frikësim apo presion politik. Liderët politikë duhet të ndalojnë përdorimin e platformave institucionale për të sulmuar gazetarët vetëm pse bëjnë pyetje të cilave të pushtetshmit mund të mos duan t’u përgjigjen”, tha Rudić.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Qeverisë së Republikës Srpska dhe institucioneve përkatëse që t’u garantojnë gazetarëve qasje të barabartë në aktivitetet zyrtare dhe të parandalojnë ndërhyrjet politike dhe frikësimin e tyre.

Gazetarët nuk u japin llogari politikanëve për pyetjet që bëjnë. Politikanët u japin llogari qytetarëve për përgjigjet që japin.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta monitorojë këtë rast dhe t’i informojë institucionet dhe palët përkatëse kombëtare e ndërkombëtare për zhvillimet e mëtejshme.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 20 tetor 2026

  • Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

  • Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

  • Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës

  • Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë

  • Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

  • Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: