Lajmet

SafeJournalists: Sulmet ndaj gazetarëve që raportojnë për fushatën zgjedhore në Serbi duhet të ndalen menjëherë


4208-title

Foto: Canva

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin fizik ndaj Aleksa Nikolićit, korrespondent i portalit ZOOMER, i cili u lëndua derisa po raportonte nga një tubim publik në Nish, pranë një stende të përkrahësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), përpara Teatrit Kombëtar.

Nikolići po filmonte stendën e përkrahësve të SNS-së dhe, pasi përfundoi incizimin, filloi të kalonte rrugën për të vazhduar punën e tij gazetareske dhe për të dokumentuar situatën te stenda e studentëve. Në atë moment, njëri nga katër apo pesë të rinj trupmëdhenj që qëndronin në ishullin e trafikut në rrugën Vožda Karađorđa, hodhi drejt tij një objekt në formë vezake, prej qeramike dhe metali, i cili e goditi në tëmth. Pas sulmit, sulmuesi e ngriti kapuçin për të fshehur fytyrën, ndërsa një person tjetër ia tregoi gazetarit gishtin e mesëm dhe e ofendoi duke i bërtitur: “Zhduku, pederast i ndyrë.”

Gazetari iu afrua zyrtarëve policorë që ndodheshin në vendngjarje, por ata refuzuan të ndërhynin dhe e udhëzuan që t’i drejtohej komandantit të Stacionit Policor Medijana. Pasi Nikolići dha deklaratë, ai iu nënshtrua një kontrolli mjekësor i shoqëruar nga policia, ku u konstatua se kishte pësuar lëndime të lehta në kokë.

Sulmi ndaj një gazetari gjatë ushtrimit të detyrave të tij profesionale është akt i papranueshëm dhune dhe kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e gazetarëve, lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Asnjë gazetar nuk duhet të përballet me dhunë fizike, kërcënime apo frikësim për raportimin e çështjeve me interes publik, pavarësisht kontekstit politik apo shoqëror. Veçanërisht shqetësuese është mosreagimi i vazhdueshëm i policisë në rastet kur gazetarët përballen me sulme fizike dhe kërcënime.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje policisë dhe prokurorisë kompetente që, pa vonesë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të identifikuar sa më shpejt sulmuesin, për ta nxjerrë atë para drejtësisë dhe për të siguruar që të marrë sanksionin e duhur në përputhje me ligjin. Presim që autoritetet kompetente të veprojnë me urgjencë, përkushtim dhe efektivitet, në përputhje me udhëzimin detyrues për trajtimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, i cili kërkon reagim të menjëhershëm.

Kujtojmë gjithashtu se policia ka detyrim t’u mundësojë gazetarëve ushtrimin e detyrave të tyre profesionale pa pengesa dhe t’i mbrojë kur siguria e tyre është në rrezik. Mbrojtja e gazetarëve nuk varet nga vullneti i mirë i zyrtarëve të veçantë policorë, por është detyrim institucional dhe një nga parakushtet për garantimin e lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar me kohë dhe në mënyrë objektive. Institucionet kanë përgjegjësi t’i trajtojnë këto raste me seriozitet, të parandalojnë përsëritjen e tyre dhe të dërgojnë mesazh të qartë se sulmet ndaj gazetarëve nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.

U bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë dhe pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që t’u përcjellin mesazh të qartë anëtarëve, aktivistëve dhe përkrahësve të tyre se presioni ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe se mediave duhet t’u mundësohet të kryejnë punën e tyre pa pengesa.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 9 tetor 2026

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Medias së Malit të Zi

Share this Post: