SafeJournalists: Siguria e gazetarëve në rrezik gjatë protestës së 24 janarit në Tiranë – Autoritetet dhe redaksitë duhet të reagojnë
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për raportimet sipas të cilave gazetarë dhe punonjës të mediave janë përballur me përdorimin e forcës gjatë mbulimit të protestës publike të mbajtur në Tiranë më 24 janar 2026.
Gazetarët e pranishëm në protestë po ushtronin detyrën e tyre profesionale për të informuar publikun. Sipas raportimeve mediatike, përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion të lartë dhe mjeteve të tjera për kontrollin e turmës në zonat ku po punonin gazetarët ka vënë seriozisht në rrezik sigurinë e tyre, duke cenuar njëkohësisht lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për informim. Incidentet e raportuara, përfshirë spërkatjen e dyshuar të fotoreporterit Felix Bilani dhe përdorimin e ujit me presion të lartë ndaj gazetarit Marsi Korreshi gjatë ushtrimit të detyrës, dëshmojnë për rreziqet e vazhdueshme me të cilat përballen gazetarët gjatë mbulimit të tubimeve publike.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me të gjithë gazetarët, operatorët e kamerave dhe fotoreporterët që janë prekur gjatë kryerjes së punës së tyre.
Rikujtojmë se autoritetet shtetërore kanë detyrimin parësor për të garantuar sigurinë e gazetarëve gjatë tubimeve publike. Në këtë kuadër, theksojmë se Policia e Shtetit ka miratuar një protokoll të posaçëm për mbrojtjen e gazetarëve, përfshirë edhe gjatë protestave, i cili duhet të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë efektive. Për këtë arsye, kërkojmë një reagim të shpejtë dhe transparent nga Policia e Shtetit për ngjarjet e 24 janarit, përfshirë sqarimin nëse protokolli është respektuar, identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Njëkohësisht, Rrjeti SafeJournalists nënvizon përgjegjësinë e qartë që kanë organizatat mediatike dhe drejtuesit e redaksive për mbrojtjen e stafit të tyre. Angazhimi i gazetarëve për të mbuluar protesta me rrezik të lartë pa përgatitje adekuate, pa vlerësim rreziku dhe pa pajisje mbrojtëse i ekspozon ata ndaj rrezikut serioz. Redaksitë duhet të ndërmarrin masa konkrete për të garantuar sigurinë e gazetarëve, operatorëve të kamerave dhe fotoreporterëve, përmes planifikimit të sigurisë, sigurimit të pajisjeve të nevojshme dhe përcaktimit të përgjegjësive editoriale për menaxhimin e rrezikut.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve përbën një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 26 janar 2026
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje-Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve Maqedonas
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi











