Lajmet

SafeJournalists: Protesta e 10 shkurtit në Tiranë cenoi sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, thirrje për përgjegjësi nga të gjitha palët


3988-title

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz pas incidentit gjatë protestës së 10 shkurtit në Tiranë, ku operatori i News24, Aldo Kashri, u vu në rrezik të madh gjatë raportimit, ndërsa gazetarë dhe punonjës të tjerë të medias u ekspozuan ndaj gazit lotsjellës, topave të ujit dhe masave të tjera për shpërndarjen e turmës gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.

Sipas informacioneve publike, gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë më 10 shkurt, një koktej molotovi shpërtheu në afërsi të tij, duke i marrë flakë rrobat. Ai u ndihmua menjëherë nga kolegët pranë dhe arriti të shmangë pasoja më të rënda, megjithëse pësoi djegie në gishta. Asnjë gazetar apo punonjës i medias nuk duhet të përballet me rrezik të tillë për jetën gjatë raportimit në interes të publikut.

Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme, përfshirë përdorimin e koktejve molotov, mjeteve piroteknike dhe objekteve të forta, ndërsa më pas policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për kontrollin e turmës. Ky incident pason shqetësimet e ngritura edhe pas protestës së 24 janarit në Tiranë, kur gazetarë dhe punonjës të medias u ekspozuan ndaj kushteve të rrezikshme gjatë mbulimit të demonstratave publike. Këto ngjarje dëshmojnë mjedisin gjithnjë e më të rrezikshëm në të cilin operojnë profesionistët e medias në periudha tensioni politik.

Rrjeti SafeJournalists thekson se siguria e gazetarëve dhe profesionistëve të medias gjatë tubimeve publike është përgjegjësi e përbashkët.

Gazetarët dhe punonjësit e medias, përfshirë reporterët, operatorët dhe fotoreporterët, duhet të kenë mundësi të mbulojnë ngjarje me rëndësi publike pa u ekspozuar ndaj dhunës apo rrezikut disproporcional, pavarësisht natyrës së protestës apo aktorëve të përfshirë.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit në protesta duhet të përmbahen nga veprime që rrezikojnë përfaqësuesit e medias. Autoritetet kanë detyrimin pozitiv të garantojnë që gazetarët të kryejnë punën e tyre në siguri, përmes masave proporcionale të menaxhimit të turmës dhe protokolleve të qarta operacionale që njohin dhe mbrojnë punonjësit e medias. Nga ana tjetër, redaksitë duhet të kryejnë vlerësime të duhura të rrezikut dhe të ofrojnë udhëzime adekuate për sigurinë si dhe pajisje mbrojtëse për stafin e angazhuar në mbulime me risk të lartë.

Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me Aldo Kashrin dhe me të gjithë gazetarët dhe profesionistët e medias që raportojnë në kushte sfiduese. Garantimi i sigurisë së tyre është thelbësor për mbrojtjen e të drejtës së publikut për informim dhe për ruajtjen e standardeve demokratike.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 11 shkurt 2026

Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi

Share this Post: