Lajmet

SafeJournalists: Kërkojmë shpjegime nga autoritetet kroate për ndalimin e hyrjes së gazetarit Avdo Avdić


3929-title

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz lidhur me vendimin e institucioneve të Republikës së Kroacisë për t’i ndaluar hyrjen në Kroaci Avdo Avdić-it, gazetar dhe redaktor i portalit Istraga.ba nga Bosnja dhe Hercegovina.

Më 12 nëntor, në orën 13:28, Policia Kufitare e Kroacisë në pikëkalimin Gradiška i dorëzoi Avdić-it një Vendim për Refuzim Hyrjeje në Republikën e Kroacisë, së bashku me një njoftim me shkrim ku thuhej se emri i tij figuron në bazën kombëtare të të dhënave të personave të ndaluar për hyrje në vend. Ministria kroate e Brendshme e lëshoi këtë vendim pa dhënë asnjë shpjegim shtesë për një masë të tillë.

Në një deklaratë për Rrjetin SafeJournalists, Avdić tha se beson se ndalimi i hyrjes lidhet me një diskutim panel ku mori pjesë së fundmi në Qendrën Islame në Zagreb, ku foli, ndër të tjera, për legjislacionin zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe qëndrimin zyrtar të Zagrebit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Vendimi që mora nuk përmbante asnjë arsye për vendosjen e ndalimit të hyrjes në Republikën e Kroacisë. Thjesht thuhet se emri im figuron në bazën kombëtare. Sikur të kisha kryer një vepër penale në territorin e Kroacisë apo BE-së, do të isha arrestuar. Sikur të kisha kryer një kundërvajtje, do të më dërgonin para gjykatës për gjobë. Por ata thjesht më ndaluan të hyja në territorin e Republikës së Kroacisë, kështu që mund vetëm të hamendësoj se për çfarë bëhet fjalë,” tha Avdić.

Pas këtij vendimi të Ministrisë kroate të Brendshme, ministri i Jashtëm i Bosnjë dhe Hercegovinës Elmedin Konaković dhe anëtari i Presidencës Željko Komšić lëshuan deklarata duke njoftuar se do t’i kërkojnë zyrtarisht shpjegime Ambasadës së Kroacisë në Sarajevë për arsyet e ndalimit të hyrjes për gazetarin Avdo Avdić. Ata paralajmëruan se ky është një sulm i rëndë ndaj lirisë së medias në të gjithë rajonin dhe i bënë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian të reagojnë për rastin. Reagoi edhe anëtari tjetër i Presidencës së BeH, Denis Bećirović, duke e përshkruar vendimin e autoriteteve kroate si “të papranueshëm”.

Rrjeti SafeJournalists e konsideron një veprim të tillë të institucioneve kompetente kroate si shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës për lëvizje të lirë dhe të drejtës së gazetarëve për të raportuar dhe diskutuar çështje me interes publik — qoftë brenda një vendi të vetëm, qoftë me dimension ndërkufitar. Vendimi arbitrar për t’i ndaluar hyrjen një gazetari në Kroaci, pa asnjë shpjegim konkret, përbën një precedent të rrezikshëm dhe kufizim të lirisë së medias, tërësisht të papajtueshëm me sundimin e ligjit dhe standardet demokratike të Bashkimit Evropian, anëtare e të cilit është Kroacia.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe institucioneve të tjera kompetente të sqarojnë menjëherë arsyet e ndalimit të hyrjes për Avdo Avdić dhe të garantojnë që gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe pa pengesa.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë përkatës mbi këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 13 nëntor 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BeH
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Share this Post: