SafeJournalists: Kërkojmë ndalimin e presionit ligjor dhe publik ndaj Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe gazetares Anisa Mahmutović
photo: canva
Rrjeti SafeJournalists dënon presionet dhe shpreh solidaritetin e tij të plotë me Shoqatën e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHJA) dhe gazetaren hulumtuese të pavarur Anisa Mahmutović, të cilat po përballen me padi për shpifje, të shoqëruara nga një fushatë e vazhdueshme publike që synon të diskreditojë punën e tyre profesionale. Veprimet ligjore janë iniciuar nga avokati Mirnes Ajanović, themelues dhe kryetar i Partisë Boshnjake (BOSS).
Ajanović ka ndërmarrë disa procedura ligjore dhe ka njoftuar se do të paraqesë kallëzime penale pranë prokurorive dhe organeve të zbatimit të ligjit kundër Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës, drejtuesve të saj dhe gazetares Anisa Mahmutović.
Ngjarjet lidhen me dëshminë e dhënë më 11 maj nga gazetarja hulumtuese Anisa Mahmutović dhe kryeredaktori i portalit plural.ba, Adis Mujdanović, përpara Komisionit për Luftën kundër Korrupsionit të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë dhe Hercegovinës. Dëshmia kishte të bënte me raportimet e tyre hulumtuese mbi parregullsi të dyshuara në universitete private, përfshirë universitetin ku Ajanović është lektor.
Menjëherë pas seancës dëgjimore, Mirnes Ajanović publikoi një seri postimesh në Facebook, ku akuzonte gazetarët se po mashtronin opinionin publik dhe po paraqisnin informacion të paplotë. Postimet përfshinin gjithashtu fotomontazhe që synonin të diskreditonin të dy gazetarët.
Më 13 maj, Mahmutović i hodhi poshtë publikisht këto pretendime dhe mbrojti integritetin e saj profesional. Një ditë më pas, Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHJA) publikoi një deklaratë në mbështetje të gazetarëve, në përputhje me mandatin e saj për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të gazetarëve.
Pas reagimeve publike të gazetares hulumtuese Anisa Mahmutović dhe BHJA-së, Mirnes Ajanović paraqiti dy padi për shpifje në Gjykatën Komunale të Tuzlës. Ai pretendon se deklarata të rreme dhe të paverifikuara kanë dëmtuar reputacionin e tij si avokat, lektor dhe figurë publike. Ai kërkon dëmshpërblim në vlerën prej 500 markash të konvertueshme (BAM), rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore, si dhe një urdhër gjykate që detyron Mahmutović të publikojë një përgënjeshtrim dhe vendimin përfundimtar të gjykatës në faqen e saj në Facebook.
Në të njëjtën kohë, Ajanović vazhdoi sulmet publike, duke akuzuar Mahmutović dhe Shoqatën e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës për lidhje me Partinë e Veprimit Demokratik (SDA). Në shënjestër u vunë gjithashtu presidenti i BHJA-së, Marko Divković, dhe sekretarja e përgjithshme, Borka Rudić, fotografitë e të cilëve u publikuan në rrjetet sociale.
Rrjeti SafeJournalists vlerëson se kombinimi i padive për shpifje dhe sulmeve të koordinuara publike përbën një formë serioze presioni ndaj gazetarëve dhe një kërcënim për lirinë e shprehjes. Veprime të tilla rrezikojnë të dekurajojnë gazetarinë hulumtuese mbi çështje me interes të lartë publik dhe kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ku gazetarët mund të përballen me ngacmime si në internet, ashtu edhe jashtë tij. Këto dy padi mbajnë karakteristikat e Padive Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP), pasi rrezikojnë të pengojnë raportimin legjitim mbi çështje me interes publik dhe të krijojnë një efekt frikësues ndaj gazetarisë hulumtuese.
I bëjmë thirrje Gjykatës Komunale të Tuzlës t’i rrëzojë këto padi. Gazetarët në këtë rast kanë raportuar pa dyshim për çështje me interes të rëndësishëm publik dhe, për këtë arsye, gazetarët dhe organizatat mediatike duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre profesionale pa u përballur me intimidim, sulme ndaj reputacionit apo veprime ligjore abuzive. Gjithashtu, kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të fushatës së diskreditimit të drejtuar ndaj Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHJA) dhe gazetares Anisa Mahmutović.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën dhe të qëndrojë në mbështetje të Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHJA) dhe gazetares Anisa Mahmutović në mbrojtje të lirisë së medias, gazetarisë së pavarur dhe të drejtës për të raportuar mbi çështje me interes publik.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 27 korrik 2026
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
- Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
- Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
- Shoqata Kroate e Gazetarëve
- Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
- Sindikata e Medias e Malit të Zi











