Lajmet

SafeJournalists: Etiketim i rrezikshëm ndaj AGK-së dhe mediave nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi


3947-title

Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm deklaratat e pakujdesshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme të bëra nga Sami Kurteshi, anëtar i partisë në pushtet Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe mediave në vend.

Z. Kurteshi e ka etiketuar AGK-në si “Aleanca e Grupeve Kriminale” dhe i ka quajtur gazetarët dhe disa media “vrasës me pagesë”. Këto deklarata pasuan reagimin publik të AGK-së, e cila një ditë më herët kishte dënuar sjelljen e tij ndaj gazetarëve pas një mbledhjeje të KQZ-së.

Rrjeti SafeJournalists i konsideron këto deklarata tejet nxitëse dhe të pabazuara, duke vënë në rrezik real AGK-në, gazetarët dhe mediat gjatë ushtrimit të detyrave të tyre profesionale. Kjo nuk është hera e parë që z. Kurteshi i drejtohet mediave me gjuhë të papërshtatshme për pozitën e rëndësishme që mban.

SafeJournalists u bën thirrje ushtruesit të detyrës së Kryeministrit, Albin Kurti, dhe partisë së tij, Vetëvendosje, që t’i japin fund njëherë e përgjithmonë kësaj praktike të dëmshme.

Rrjeti SafeJournalists shpreh mbështetje dhe solidaritet të plotë me AGK-në, e cila duhet të jetë në gjendje të realizojë misionin e saj për të promovuar sigurinë e gazetarëve në Kosovë pa presion dhe pengesa.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 4 dhjetor 2025
• Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
• Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
• Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
• Asociacioni i Gazetarëve të BeH
• Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
• Sindikata e Medias së Malit të Zi

Share this Post: