Rrjeti SafeJournalists i shqetësuar nga deklaratat e Kryeministrit për transmetuesin publik në Shqipëri
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim lidhur me deklaratat publike të bëra në janar 2026 nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, në adresë të rolit, financimit dhe të ardhmes së RTSH-së, transmetuesit publik shqiptar.
Deklaratat u bënë gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, një forum politik që mbledh anëtarë të shumicës qeverisëse dhe përfaqësues të lartë të ekzekutivit. Në fjalën e tij, Kryeministri e karakterizoi RTSH-në si një institucion të dështuar, vuri në pikëpyetje legjitimitetin e tij si transmetues publik dhe deklaroi se financimi publik duhet të pezullohet derisa RTSH të “e meritojë”. Ai shtoi gjithashtu se të gjitha opsionet duhen marrë në konsideratë për të ardhmen e RTSH-së, përfshirë privatizimin apo edhe mbylljen.
Ndërsa debati publik mbi efektivitetin, qeverisjen dhe reformimin e mediave të shërbimit publik është legjitim, Rrjeti SafeJournalists nënvizon se transmetuesit publikë mbajnë një rol të veçantë demokratik. Mandati i tyre nuk përcaktohet nga performanca në treg apo miratimi politik, por nga detyrimi për t’i shërbyer interesit publik, për të garantuar informacion pluralist, për të mbështetur përmbajtje kulturore dhe arsimore, si dhe për të operuar të pavarur si nga presionet politike ashtu edhe nga ato tregtare.
Nga perspektiva e lirisë së shprehjes, lidhja e ekzistencës apo financimit të një transmetuesi publik me vlerësime ekzekutive të “meritës” ngre shqetësime serioze. Një kornizë e tillë rrezikon të minojë parimin e qeverisjes së pavarur (arm’s-length governance), që është thelbësor për standardet evropiane mbi lirinë e medias. Edhe në mungesë të masave të menjëhershme ligjore apo buxhetore, deklaratat publike të kësaj natyre mund të ushtrojnë presion të tërthortë mbi pavarësinë editoriale, të kontribuojnë në pasiguri institucionale dhe të inkurajojnë autocensurë brenda redaksive.
Rrjeti SafeJournalists është veçanërisht i shqetësuar për normalizimin e “mbylljes” si një opsion i artikuluar publikisht për një transmetues publik. Në praktikën demokratike evropiane, çështja qendrore nuk është nëse mediat publike duhet të ekzistojnë, por se si qeverisja, llogaridhënia dhe pavarësia e tyre mund të forcohen në përputhje me standardet demokratike. Trajtimi i ekzistencës së vazhdueshme të një transmetuesi publik si të kushtëzuar nga kënaqësia politike rrezikon të dobësojë garancitë institucionale që mbrojnë lirinë gazetare.
Këto zhvillime janë të rëndësishme edhe në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në kuadër të Klasterit 1 – Themeloret, ku liria e medias, pavarësia institucionale dhe balancat demokratike janë kritere thelbësore. Një transmetues publik i qëndrueshëm, i pavarur dhe i mbrojtur në mënyrë adekuate është një komponent kyç i një mjedisi të qëndrueshëm të informacionit demokratik.
Rrjeti SafeJournalists rikujton se kritikat ndaj performancës mediatike duhet të adresohen përmes proceseve transparente dhe të bazuara në ligj, përmes organeve të pavarura të mbikëqyrjes dhe përmes debatit publik gjithëpërfshirës — e jo përmes retorikës që mund të komprometojë pavarësinë institucionale dhe të ushqejë mosbesim apo armiqësi publike ndaj RTSH-së. SafeJournalists ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme reforma strukturore që forcojnë pavarësinë editoriale dhe llogaridhënien publike të RTSH-së, duke mundësuar transformimin e transmetuesit publik në epokën digjitale dhe aftësinë e tij për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve për informacion, kulturë dhe demokraci — veçanërisht përmes përzgjedhjes transparente dhe ligjore të drejtuesve, sigurimit të financimit të parashikueshëm dhe të mbrojtur, si dhe masave të qeverisjes që mbrojnë autonominë profesionale dhe të drejtat e punës të gazetarëve.
Ne inkurajojmë autoritetet shqiptare të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj standardeve evropiane për mediat e shërbimit publik dhe të sigurojnë që çdo diskutim mbi reformimin e RTSH-së të zhvillohet në një mënyrë që respekton plotësisht lirinë e shprehjes, pavarësinë gazetare dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 19 janar 2026
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi











