Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën: Ka përparim të kufizuar në lirinë e shprehjes, ka pasur zhvillime të perceptuara si përpjekje të Qeverisë për kontroll mbi median
Komisioni Evropian të mërkurën ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2024, ku tek seksioni për lirinë e shprehjes vlerësohet se Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” sa i përket lirisë së shprehjes.
Raporti thekson gjithashtu zhvillime që kanë ndodhur në Kosovë e që janë perceptuar si përpjekje të Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median.
Raporti i Progresit për këtë vit ngre shqetësimet për paqëndrueshmërinë e Transmetuesit Publik dhe dorëheqjet e shumta në mesin e drejtuesve dhe anëtarëve të lartë të Bordit, duke theksuar se Transmetuesi Publik duhet të trajtojë me shpejtësi shqetësimet që lidhen me përgjegjshmërinë dhe pavarësinë editoriale.
Sa i përket sulmeve kundër gazetarëve, Raporti i Progresit thekson se ende vazhdon të mbetet një nivel i pandëshkueshmërisë.
Në fund, Raporti i Progresit potencon se Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme.
Në vitin e ardhshëm, Kosova sipas rekomandimeve të Raportit të Progresit duhet, në veçanti:
→ të përmirësojë kapacitetin e autoriteteve prokuroriale, gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit për të trajtuar rastet që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes;
→ të zhvillojnë protokolle dhe trajnime për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, duke përfshirë mekanizmat e paralajmërimit të hershëm dhe të reagimit të shpejtë; përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias; dhe të forcojë raportimin profesional;
→ të sigurojë zbatimin e Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave duke siguruar harmonizim të plotë me acquis të BE-së dhe standardet evropiane; dhe rishikimi i Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës për të siguruar financim të qëndrueshëm, duke ruajtur pavarësinë e saj.