Lajmet

Pasojat psikologjike të dhunës fizike te gratë


3611-title

Shkruan: Erlida Mulaku

“Gratë dhe vajzat kudo vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo formë ekstreme e dhunës me bazë gjinore dhe asnjë rajon nuk është i përjashtuar”.

Kështu thuhet në raportin “Femicidet në 2023-tën” të publikuar nga UN Women, ku tregohet se vëmendja ndaj këtij problemi mund të jetë zbehur në vazhdën e pandemisë COVID-19.

Por, sa zbehen pasojat psikologjike të këtij problemi te vajzat e gratë viktima?

Teksa, dhuna fizike vazhdon të shkatërrojë gratë dhe vajzat në mbarë botën, pasojat psikologjike të saj shpesh kalojnë pa u vënë re ose nuk adresohen fare.

Psikologia, Fiona Zeka thotë se viktimat e dhunës fizike shpesh kanë çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD), e cila karakterizohet nga kujtime ndërhyrëse, kthime prapa, hipervigjilencë dhe mpirje emocionale.
Pasoja të tjera sipas saj janë edhe ankthi e depresioni, abuzimi me substanca, kujtesa e përqendrimi i dëmtuar si dhe besimi negativ për veten.

Ndërsa, sipas drejtoreshës së Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Zana Hamiti Asllani, një nga barrierat kryesore me të cilat përballen viktimat e dhunës fizike kur bëhet fjalë për qasjen në mbështetje psikologjike është marrja e vendimit për të denoncuar dhunën, i cili është hapi i parë dhe vendimtar për to.

“Dhe ky vendim shpeshherë i bën viktimat të mendojnë se a kanë vepruar drejtë apo kanë gabuar, për faktin se e kanë të vështirë qëndrueshmërinë financiare nëse dëshirojnë të pavarësohen.” - shprehet tutje drejtoresha.

Një lloj i tillë i dhunës si ajo fizike përveç që ka pasoja psikologjike, përcillet edhe me pasoja të krizës së identitetit qoftë kulturor, por edhe gjinor.

Sipas sociologes, Flakë Ymeri, pasojat e krizës së identitetit janë se viktimat ndjehen të nëpërkëmbura e të nënshtruara çdoherë.

Dhuna fizike ndikon tek viktimat duke lënë pasoja edhe në marrëdhëniet shoqërore të tyre.

“Mund të ketë pasoja që komuniteti apo shoqëria të distancohet nëse vendosë të hesht dhe mos raportojë dhunën dhe vetë personi viktimë të ndihet inferior”, shton sociologia.

Mirëpo një nga mënyrat më të thjeshta për të mbështetur këto viktima për të i kaluar sfidat e dhunës fizike është që fillimisht të mos paragjykohen e stigmatizohen nga familja, shoqëria e komuniteti.

“Sistemi i mbështetjes, i cili përfshin familjen, miqtë dhe komunitetin, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ndihmuar viktimat të kapërcejnë efektet psikologjike të dhunës. Mbështetja sociale është një nga faktorët më të fuqishëm mbrojtës kundër stresit traumatik dhe një element kyç në procesin e shërimit”, shprehet psikologia Zeka duke shtuar se ky sistem ndihmon në krijimin e një ambienti të sigurt dhe redukton ankthin e frikën.

“Jemi të prirë të paragjykojmë gjithmonë viktimën se ka nxitur konfliktin, ne ndihmojmë vetëm kur i pranojmë viktimat në shoqëri dhe zgjasim duart për ta ndihmuar dhe raportuar dhunën", thotë sociologia Ymeri.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në tetor të vitit 2024 janë raportuar 2574 raste të dhunës në familje. Prej tyre, 2055 viktima kanë qenë të gjinisë femërore.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: