Lajmet

Nga komunikimi te ndryshimi i sjelljes


4143-title

Shkruan: Dr. Faik Hoti

Sëmundjet kronike jo-ngjitëse: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe sëmundjet kronike të mushkërive, përbëjnë sot barrën më të madhe të shëndetit publik në Kosovë. Ato nuk transmetohen nga njeriu te njeriu, por lidhen ngusht me sjelljet e dëmshme që bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme. Duhanpirja, ushqyerja jo e shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i alkoolit dhe stresi kronik janë faktorët kryesorë të rrezikut. Lajmi i mirë është se shumica e këtyre faktorëve mund të ndryshohen. Lajmi i keq ndërkaq, është se ndryshimi i sjelljes është shumë më i vështirë sesa ndryshimi i një ligji apo miratimi i një strategjie.

Çdo ditë në Kosovë, njerëzit humbin jetën nga sëmundje që në shumë raste mund të ishin parandaluar. Megjithatë, ne vazhdojmë të investojmë shumë më tepër në trajtimin e pasojave sesa në ndryshimin e sjelljeve që i shkaktojnë ato. Ky është paradoksi më i madh i shëndetit publik.

Prandaj, pyetja sot nuk është vetëm çfarë dimë për këto sëmundje, por si komunikojmë lidhur me to. Në shëndetin publik nuk fiton ai që i ka faktet, por ai që arrin t'i shndërrojë ato në sjellje të reja dhe parandaluese.

Pandemia e COVID-19 na dha një mësim që nuk duhet harruar: nuk mjafton të kesh të drejtë shkencërisht, nëse faktet nuk shndërrohen në veprime. Informacioni duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm, i besueshëm dhe i dhënë në kohën e duhur. Edhe rekomandimi më i mirë e humbet vlerën nëse qytetari nuk e kupton, nuk e beson ose nuk e zbaton. Ky mësim është po kaq i vlefshëm edhe në luftën kundër sëmundjeve kronike jo-ngjitëse.

Në shëndetin publik, çdo gjë nis nga komunikimi. Por, një nga keqkuptimet më të mëdha është se komunikimi shëndetësor ka vetëm rol informues. Në fakt, informacioni është vetëm fillimi. Shumica e duhanpirësve e dinë se duhani e dëmton shëndetin. Shumica e njerëzve e dinë se aktiviteti fizik është i dobishëm dhe se ushqimi me shumë kripë, yndyrë e sheqer e rrit rrezikun për sëmundje. Megjithatë, vetëm informacioni që kanë nuk mjafton për ta ndryshuar sjelljen. Ndryshimi kërkon diçka më shumë: besim, motivim dhe ndjenjën se veprimi është i realizueshëm. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes një mesazhi që informon dhe një mesazhi që ndryshon sjellje. Një mesazh si "Jetoni shëndetshëm" është shumë i përgjithshëm. Ndërsa një si "Ec së paku 30 minuta çdo ditë", "Mos e pi duhanin, ndalo sot" ose "Kontrolloje tensionin arterial, edhe kur ndihesh mirë", është konkret, praktik dhe i zbatueshëm. Sa më i thjeshtë të jetë mesazhi, aq më të mëdha janë gjasat që ai të shndërrohet në veprim. Një mesazh i mirë nuk kushton sa ndërtimi i një spitali, por mund të parandalojë që mijëra qytetarë të kenë nevojë për të.

Në Kosovë kemi parë se komunikimi mund të japë rezultate. Historia e kontrollit të duhanit në Kosovë e dëshmon këtë. Ligji për Kontrollin e Duhanit, paralajmërimet shëndetësore në paketimet e cigareve dhe fushatat ndërgjegjësuese kanë ndikuar në uljen graduale të pranueshmërisë sociale të duhanpirjes, sidomos në mjedisin familjar. Megjithatë, sfidat vazhdojnë, veçanërisht me përhapjen e cigareve elektronike tek të rinjtë që po krijojnë një varësi të re, shpesh të maskuar si modë apo teknologji moderne dhe me mosrespektimin e plotë të ligjit në hapësirat publike. Gjithashtu, fushatat për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit kanë bërë që sëmundja të zbulohet më herët dhe mundësitë e trajtimit të përmirësohen.

Një kërcënim tjetër po aq serioz është edhe dezinformimi. Në epokën e rrjeteve sociale, qytetarët ekspozohen çdo ditë ndaj "këshillave mjekësore" të jo profesionistëve, teorive konspirative dhe pretendimeve pa bazë shkencore. Fatkeqësisht, informacioni i rremë shpesh përhapet më shpejt sesa faktet. Kjo jo vetëm që krijon konfuzion, por dëmton besimin ndaj institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve. Kur institucionet heshtin ose komunikojnë me vonesë, boshllëkun e mbushin zërat që nuk i shërbejnë shëndetit publik. Fatkeqësisht, edhe në Kosovë nuk kanë munguar figura publike që kanë promovuar teori konspirative dhe pretendime pa bazë shkencore, të shumëfishuara nga televizione dhe platforma digjitale, shpesh pa filtrin e nevojshëm profesional. Është e qartë se lufta kundër dezinformatave nuk fitohet me censurë, por me praninë e vazhdueshme të institucioneve, me transparencë, integritet dhe komunikim profesional.

Komunikimi, megjithatë, nuk mund të mbetet përgjegjësi vetëm e institucioneve shëndetësore. Ai duhet të bëhet një aleancë ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, gazetarëve, sistemit arsimor, komunitetit dhe vetë qytetarëve. Gazetaria profesionale ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Në një kohë kur sensacionalizmi shpesh fiton më shumë klikime sesa faktet, raportimi i saktë dhe i përgjegjshëm për shëndetin është shërbim publik në kuptimin më të mirë të fjalës. Një lajm i verifikuar mund të parandalojë më shumë dëm sesa një trajtim i vonuar. Sikur që mund të ndikojë edhe gazetaria hulumtuese dhe trajtimi kritik i mangësive në sistemin shëndetësor, politikave të pamjaftueshme apo dukurive që rrezikojnë shëndetin.

Po aq e rëndësishme është që përpjekjet për komunikim të mos kufizohen në fushata sporadike. Ndryshimi i sjelljes nuk ndodh brenda një jave apo një muaji. Ai kërkon përsëritje, qëndrueshmëri dhe vlerësim të vazhdueshëm të ndikimit. Institucionet duhet të investojnë në strategji afatgjata komunikimi, të përshtatura për grupmosha dhe komunitete të ndryshme.

Në fund, beteja kundër sëmundjeve kronike nuk do të fitohet vetëm në ambulanca, klinika apo spitale. Ajo do të fitohet shumë më herët: në familje, në shkolla, në media, në vendin e punës dhe në hapësirën publike. Do të fitohet atëherë kur komunikimi të mos synojë vetëm të informojë, por të bindë, të motivojë dhe të ndryshojë sjellje.

Një mesazh i qartë mund ta shtyjë dikë të bëjë kontrollin e parë të tensionit arterial, të lërë cigaren, të ecë më shumë ose të zgjedhë një mënyrë jetese më të shëndetshme. Këto vendime duken të vogla, por janë ato që ndryshojnë statistikat e nesërme. Sepse, në shëndetin publik, fjala nuk është vetëm mjet informimi. Ajo është mjet parandalimi.

(Autori është specialist i Shëndetësisë Publike në IKSHPK)

Ky opinion është publikuar në kuadër të projektit “Avancimi i raportimit mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse”, i zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në partneritet me Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Për më shumë mbi këtë temë, lexoni edhe hulumtimin e gazetares Qëndresë Uka Matoshi: “Kur informacioni nuk mjafton: A po e ndryshon komunikimi shëndetësor sjelljen e qytetarëve në Kosovë?” në këtë vegëz https://nacionale.com/sociale/kur-informacioni-nuk-mjafton-a-po-e-ndryshon-komunikimi-shendetesor-sjelljen-e-qytetareve-ne-kosove

Share this Post: